Disa ditë para Festës së Flamurit dhe Festës Kombëtare hyj në shtëpinë e shkrimtarit, pedagogut, përkthyesit, hulumtuesit e kulturës dhe gjuhës shqipe – Thoma Kacori. Një shtëpi e vjetër në qendrën e Sofjes, e mbushur me histori te shumta, me pritje e përcjellje te shqiptareve, një shtëpi qe për një kohë të gjatë ishte kthyer ne një ambasadë shqiptare ne Bullgari.
Atje më pret e zonja e shtëpisë – elegante, modeste, e sjellshme dhe e buzëqeshur. Është Violeta Kacori – bashkëshortja, e cila gjithmonë ka qenë pranë burrit të saj dhe e ka përkrahur në çastet e vështira, ka ndarë me të dhimbjet dhe trishtimet, gëzimet dhe sukseset e jetës.
E planifikoja këtë intervistë gjatë, mendoja se jam vonuar, kaq shumë kohë kaloi nga takimi ynë i fundit, bile ndihesha pak fajtore se nuk e kërkova më parë. Hyj në kabinetin e Thoma Kacorit, një ambient aq i ngrohtë, plot me libra, me tryezë të madhe shkrimi, ku ka kaluar jeta e tij, mbi librat, dorëshkrimet, përkthimet. Para meje janë renditur të gjitha dekoratat, me të cilat është nderuar gjatë viteve, ndër të cilat më të rëndësishmet janë: dekorata më e lartë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, urdhri “Naim Frashëri” i klasit të parë dhe urdhri “Nderi i Kombit” për kontribut të shquar në përfaqësimin dhe përcjelljen e vlerave të kombit shqiptar në Bullgari e më gjerë. Dhe tani jam e sigurt se nuk jam vonuar dhe momenti është më i përshtatshmi – pikërisht Thoma Kacori është personi, që duhet ta kujtojmë në festën më të madhe shqiptare, s’ka person që ta meritojë këtë më shumë se ai.
Më parë Violeta Kacori më tregon dorëshkrimet e tij, pastaj rendit para meje libra me poezi (Romancë dashurie dhe brenge), tregime (Jetë me Brenga; Ditë që s’harrohen; Tregime të jugut; Tregime të moçme shqiptare), romane (Për mëmëdhenë; Bijtë e shtrëngatës; Kryetrimi i Arbërisë Skënderbeu), fabula (100 Fabula), etj. Sipas saj frymëzim për veprat e shumta ai ka gjetur kudo – në rrugë, në tramvaj, në shtëpi, gjatë takimeve të zakonshme me njerëzit.
Për koston shpirtërore të kësaj veprimtarie të pasur vetë Thoma Kacori rrëfen në një intervistë: “Unë mund të them që fshati Kolonja, Shqipëria, jeta e kaluar, e sotme apo e ardhmja, janë si një mirazh, një mirazh që nuk më ka lënë e nuk më lë të qetë. Çdo ditë, është e pamundur të mos mendoj për fshatin ku kam lindur, për fshatarët, për jetën që kam kaluar atje...Unë, në qoftë se kam marrë një emër, në qoftë se njihem si njeri, si shkrimtar, si studiues, janë pikërisht këto që më kanë bërë të njohur. Malli për gjithçka, më ka mbajtur mërgimtar të pamërguar kurrë. Veç malli më ka bërë më të fortë.” Ky është malli për fshatin Shtikë të Kolonjës, ku ka lindur në vitin 1922, për Korçën dhe liceun francez atje, të mbyllur nga pushtuesit italianë, për të atin e mërguar në Amerikë, për fatin e vështirësitë e të gjithë shqiptarëve të kolonisë në Sofje.
Pas ardhjes në Bullgari në fund të viteve 40 dhe pas mbarimit të Universitetit Thoma Kacorri është angazhuar gati në çdo veprimtari intelektuale dhe krijuese që lejon një emigrant të adaptohet në shtetin e huaj, duke ruajtur lidhjet me kombin e vet dhe duke vënë në funksion njohuritë që ka për një kulturë tjetër të panjohur mjaftueshëm në këtë shtet. Ndoshta me dobi më të madhe për kontaktet kulturore bullgaro-shqiptare është hartimi i Fjalorit bullgarisht-shqip të tipit të madh akademik, ku Thoma Kacori është redaktori i pjesës në gjuhën shqipe. Studimet e tij gjuhësore janë lidhur me etnonimet e ndryshme të shqiptarëve dhe tme toponimikën sllave që mund të shpjegohet me anë të shqipes. Në vitet 50 është përkthyesi i vetëm letrar në gjuhën bullgare. Me rëndësi për komunikimin kulturor dypalësh janë përkthimet e tij të 20 filmave artistikë bullgarë.
Veprimtaria e tij në Universitetin e Sofjes i vë themelet e studimeve albanologjike, të cilat sot zhvillohen në Katedrën e gjuhësisë së përgjithshme, indoeuropiane e ballkanike. Në vitin 1962 krijon Lektoratin për gjuhën shqipe, kurse në 1972 boton metodën e parë për mësimin e shqipes për bullgarët, e cila më vonë është përkthyer në anglisht. Duhet përmendur dhe se vite më vonë, në 1998 botohet “Albanija”, me bashkautorë Thoma Kacorri dhe Bobi Bobev (historian dhe ish ambasador i Bullgarisë në Tiranë). Ky është një libër për historinë, gjuhën, traditat dhe kulturën e Shqipërisë – “Shqipëria e afërt dhe e panjohur”.
Aq e madhe është veprimtaria e Thoma Kacorit, prandaj nuk mund të përmendim të gjitha studimet e tij me rëndësi për kulturën shqiptare dhe nuk është e rastit se pas ndërrimit të jetës në vitin 2008 disa analistë dhe studiues komentuan se “Rilindësi i fundit u nda nga jeta”. Një nga nxënësit e tij të frytshëm është filologu dhe diplomati Ludmill Stankov (autor i gramatikës së gjuhës shqipe në bullgarisht), i cili thotë: “Unë përpiqem të shkoi pas tij, të ndjek rrugën e tij. Për mua ai mbetet Ambasadori i Nderit i Shqipërisë. Ambasadorët vijnë e largohen, kurse Thoma Kacori mbetet përgjithmonë. Thoma Kacori ka hapur një hulli të mbarë në arën e gjuhës shqipe në Bullgari. Unë në mënyrë modeste ndihem si vazhdues i tij.”
Tani 10 vjet pas largimit të tij nga kjo botë veprimtarinë e mërgimtarit atdhedashës e vazhdon bashkëshortja Violeta Kacori, duke dhuruar librat e tij dhe duke mbledhur dhe kërkuar mënyra të ndryshme për botimin e dorëshkrimeve të shumta. Në vitin 2014 tërë biblioteka e pasur personale e Thoma Kacorit gjeti vend në raftet e Bibliotekës së Universitetit të Korçës e kështu zonja Kacori plotësoi amanetin e tij. Vitin e kaluar një dhurim tjetër ishte bërë për bibliotekën e qytetit Ersekë, ku patrioti i madh ka mësuar.
Foto: Jordanka Ivanova dhe sq.wikipedia.orgModë që nuk vishet, por të frymëzon. Fustane të bukura, por jo prej dantelle apo mëndafshi, por prej metali. Skulpturat e krijuesit Zivko Sedlarski janë në pronësi të muzeve, galerive dhe koleksioneve private në 3 kontinente, duke i dhënë atij..
Në Varna hapet Festivali i 42-të i Filmit Artistik Bullgar "Trëndafili i Artë". Në programin konkurrues do të konkurrojnë 15 filma artistikë, 20 filma të shkurtër dhe 5 filma me seri. Hapja është mbrëmjen e 19 shtatorit në Qendrën e Festivalit dhe..
Kultura bullgare dhe traditat vendase, të cilat deri vonë dukeshin ekzotike për pjesën tjetër të botës, gradualisht po bëhen pjesë e kulturës botërore të shekullit të 21-të. Pasi ljutenica jonë dhe byreku ynë tradicional u përkufizuan si një..