Çdo vit pasi arrijnë moshën madhore të rinjtë largohen nga qendrat e strehimit të tipit familjar dhe format e tjera të kujdesit alternativ në Bullgari, të detyruar të fillojnë një jetë plotësisht të pavarur. Por ndryshe nga bashkëmoshatarët e tyre, ata nuk kanë prindër tek të cilët mund të mbështeten, nuk janë të përgatitur për këtë etapë të re të jetës së tyre dhe ndonjëherë madje stigmatizohen dhe diskriminohen. Shumë prej tyre thonë se kanë kaluar momente shumë të vështira, plot frikë dhe vetmi, se kanë besuar vështirë në aftësitë e tyre, se nuk kanë ditur se ku të kërkojnë ndihmë dhe si të mbajnë një lidhje emocionale me njerëzit që janë kujdesur deri tani për ta dhe kanë marrë vendime të rëndësishme për jetën e tyre.
Për t'i mbështetur ata në hapat e parë drejt jetesës së pavarur, shoqata "SOS Fshatrat e Fëmijëve Bullgari" krijoi projektin "Shtigjet drejt lirisë". Organizata joqeveritare synon të ndihmojë 200 të rinj për t’i shmangur grackat e zakonshme të papunësisë, varfërisë, përjashtimit social dhe sjelljes devijante. Deri më tani, projekti po zbatohet në Sofje, Pernik, Veliko Tarnovo, Gabrovo dhe Trjavna.
“Deri tani arritëm të përkrahim mbi 20 të rinj”, tha para BNR-së Denica Avramova, koordinatore e projektit, e cila merr pjesë në degën “Zhvillimi i programeve” në shoqatë.
Të rinjtë mund të konsultohen me një psikolog dhe avokat, të marrin ndihmë në përfundimin e arsimit të mesëm ose për marrjen e aftësive profesionale, mund t’u sigurohet mbështetje për pagimin e qirasë dhe një shoqërues për vizitat në institucionet shtetërore. Një detal i rëndësishëm është se ata vetë marrin pjesë në përpunimin e planit për arritjen e pavarësisë së tyre dhe vetë i motivojnë dëshirat dhe qëllimet e tyre.
Më shumë se gjysma e kërkesave që morëm ishin për mbështetje në gjetjen e akomodimit dhe për pagimin e qirave fillestare - thotë Denica Avramova. – Në vend të dytë të rinjtë kanë nevojë për ndihmë në arsim. Disa të rinj tashmë kanë aplikuar për kurse profesionale për marrjen e një certifikate të kualifikimit profesional - kurse gatimi, kurse për ëmbëltorë, për mësimin e gjuhëve të huaja, për marrjen e njohurive kompjuterike, gjë që është veçanërisht e kërkuar në situatën aktuale ".
E rëndësishme është edhe mbështetja shëndetësore e siguruar për të rinjtë - mjekim dentar dhe mjekim tjetër, i cili nuk paguhet nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ndihma për të rinjtë me aftësi të kufizuara që kanë nevojë për një shoqërues për të marrë dokumente të ndryshme në lidhje me shëndetin e tyre.
"Një aktivitet tjetër i madh në këtë projekt është fushata jonë e avokimit para institucioneve shtetërore përgjegjëse për kujdesin dhe mbrojtjen e fëmijëve - shton Denica Avramova. - Ne insistojmë që ata ta njohin atë dhe ta shndërrojnë atë në një shërbim shoqëror zyrtar që do t'i ofrohet çdo të riu që është gati të largohet.”
Projekti “Shtigjet drejt Lirisë”, me vlerë afro 200 000 euro, do të zgjasë për tre vjet. Financimi është nga Fondi “Qytetarët Aktivë” në kuadrin e mekanizmit financiar të Zonës Ekonomike Evropiane.
Autor: Diana Cankova (sipas një interviste të BNR-së – “Horizont”)
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Vërehet një tendencë e qëndrueshme për kthimin e bullgarëve nga jashtë, u bë e ditur gjatë forumit “Evropa është me mua”, organizuar nga Autoriteti Menaxhues i Programit “Zhvillimi i burimeve njerëzore” pranë Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale,..
Në Patagoninë argjentinase, në fundin e botës, qyteti Komodoro Rivadavia ruan historinë e kolonistëve bullgarë, pasardhësit e të cilëve edhe sot e kësaj dite e mbajnë Bullgarinë në zemrat e tyre. Ndër ta është Cenka Genova, me origjinë nga Trojani, e cila..
17 tetori 2025 do të hyjë në histori si data në të cilën Ministri i Kulturës i Hungarisë paraqiti dokumentin që regjistron zyrtarisht Traditën e Kopshtarisë Bullgare në Hungari në Regjistrin e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s. Ky..
Sofja ka fituar një parajsë të re kulturore. Phenomena është muzeu i parë në Bullgari i dedikuar lidhjes midis shkencës dhe artit. Hapësira paraqet zbulime..