Hyrja e Hyjlindëses Mari në Tempull është një nga dymbëdhjetë festat kryesore të krishtera që kremtohet nga Kisha Ortodokse dhe Katolike më 21 Nëntor. Kisha Ortodokse Bullgare e feston veçanërisht solemne si Ditën e Familjes dhe Rinisë së Krishterë, prandaj është edhe ndër festat familjare dimërore më të nderuara në vendin tonë, kur anëtarët e familjes frekuentojnë së bashku liturgjinë.
Frekuentimi i kishës nga e gjithë familja simbolizon hyrjen në tempull të Marisë trevjeçare, nënës së ardhshme të Zotit dhe u kujton prindërve detyrimet e tyre shpirtërore ndaj fëmijëve.
Sipas Mësimit të Krishtit, familja krahasohet me Kishën, si shkallë e saj e reduktuar, vëren At Bozhidar Marinov nga kisha e kryeqytetit "Lartësimi i Kryqit të Shenjtë të Zotit" në një intervistë për Radio Bullgarinë.
Cilat janë sfidat me të cilat përballet familja e krishterë sot, kur shpresa për një botë më të mirë shpesh ia lë vendin pasigurisë?
“Për jetën familjare ka shumë pikëpamje, por familja e krishterë ka si model planin e Zotit për njeriun – thotë At Bozhidar. - Një familje është e krishterë për aq sa i afrohet ose përshtatet me këtë plan të Zotit, që do të thotë se dy bashkëshortët do të jenë një mish i vetëm. Ideja e krishterë e martesës bazohet në kuptimin që burri dhe gruaja duhet të shihen si një organizëm i vetëm, si një bashkim i vetëm në të gjitha nivelet, gjë që i bën ata të ndihen të kompletuar me njëri-tjetrin. Prandaj, kur kryejmë Sakramentin e Martesës, themi në fund se, në fakt, tani e tutje, porsamartuarit janë tashmë një person, një mish. Është e rëndësishme të mbajmë mend dhe të dimë se ajo që mbillet tani do të korret në vitet në vijim.”
Në traditën ortodokse, prindërit kanë detyrën e vështirë në familje të edukojnë fëmijët e tyre, t'i mësojnë të dallojnë të mirën nga e keqja, por edhe t'i njohin me vlerat e krishtera:
"Si bij të Adamit dhe Evës, ne të gjithë jemi të mbrujtur në gjakun tonë me pasion mëkatar, por gjaku ynë është i mbrujtur me Gjakun e Krishtit në Kungimin e Shenjtë – thekson At Bozhidar. - Kjo ndodh kur prindërit dhe fëmijët marrin kungim së bashku. Kështu mësojnë fëmijët dhe për këtë ne e quajmë këtë festë Dita e Familjes dhe Rinisë së Krishterë, sepse te shenjtorët Joakim dhe Ana dhe vajza e tyre Virgjëresha Mari, ne shohim idealin e një familjeje që zotëron të gjitha vlerat morale, përkushtim total ndaj vullnetit të Zotit. Lutja, përulësia, bindja - kjo është familja e krishterë - një bashkësi e dy bashkëshortëve që janë një, së bashku me fëmijët dhe të gjithë janë një me Krishtin."
Në famullinë e tempullit “Lartësimi i Kryqit të Shenjtë të Zotit”, priftërinjtë i kushtojnë vëmendje të veçantë të rinjve dhe familjeve të reja. Sipas At Bozhidar, kur një familje është e edukuar në frymën e Kishës Ortodokse, ajo jeton një jetë më të qetë, më ritmike dhe të rregullt.
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: vazdvijenie.bg, Darina Grigorova, BTA
Më 22 shtator 1908 u shpall Pavarësia e Bullgarisë. Pas aktit më të guximshëm të pavarur në historinë bullgare - Bashkimit të Rumelisë Lindore dhe Principatës së Bullgarisë, bullgarët demonstruan edhe një herë fuqinë e unitetit dhe besimin në forcat e..
Arkeologët bullgarë zbuluan një statujë të dytë në kanalin e madh të ujërave të zeza të qytetit antik Heraklea Sintika. Arkeologët nga ekipi i Prof. Dr. Ljudmill Vagalinski hasën në një tjetër skulpturë mermeri pranë vendit në kanal ku në..
Shenjtërorja trake e Begliktashit ndodhet 5 km nga qyteti i Primorsko dhe është vetëm një nga kuriozitetet interesante në rajon. Në zonën përreth shihen edhe dolmenë të shumtë të ruajtur mirë që lidhen me ritualet e varrimit të fiseve trake. Në fakt,..