Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Libri i ri i doc. Rusana Bejleri “Letërsia shqipe si pasqyrë e shpirtit të popullit”

Në vitin 2009 në tregun e librave në Bullgari doli një titull i jashtëzakonshëm “Letërsia
shqipe si pasqyrë e shpirtit të popullit”. Autori i tij është një prej emrave më të njohur në fushën e studimeve të letërsisë, gjuhës dhe kulturës shqiptare – doc. Rusana Bejleri. Zonja Bejleri ka mbaruar degën e gjuhës shqipe në Universitetin Shtetëror të Shën Peterburgut (Rusi), pastaj ka mbrojtur disertacionin e saj në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Prej disa vjetësh ajo punon si pedagoge e gjuhës dhe letërsisë shqipe në degën e Ballkanistikës pranë Universitetit të Sofjes “Shën Kliment Ohridski”. Me hulumtimet, përkthimet dhe kumtesat e saj, që ishin botuar në libra, studime dhe revista të ndryshme shkencore, doc. Bejleri ka një kontribut të madh në zhvillimin e studimeve albanologjike.

Disa prej këtyre kërkimeve janë ndër temat e librit të saj të ri. Më shumë hollësi për këtë botim të jashtëzakonshëm mësojmë nga vet autorja e tij – doc. Rusana Bejleri.

Na tregoni më shumë për librin tuaj? Sa kohë ju desh për ta shkruar?

Libri që u ofrohet opinionit publik të interesuar në Bullgari në fushën e letërsisë dhe kulturës ballkanike u titullua “Letërsia shqipe si pasqyrë e shpirtit të popullit” dhe doli në pah me angazhimin e shtëpisë botuese “Ballkani” dhe drejtorit të saj shkrimtarit Georgi Grozdev. Në fillim e mendoja si një monografi të tipit gjithëpërfshirës, diçka si histori e letërsisë shqipe në gjuhën bullgare. E ndërrova konceptin, sepse Historia e letërsisë shqipe në anglisht e Robert Elsie-t në botimin e saj të vitit 2006 mund të thuhet se e ka përmbushur shumë mirë këtë detyrë për të huajt. Sigurisht mund të shtohet ose të riformatohet diçka, por një përkthim i librit të tij nga anglishtja do të ishte i pazëvendësueshëm. Kështu vendosa të përqendrohem në tema që më kanë preokupuar si studiuese dhe në ato që i vlerësoj më interesante për lexuesin bullgar. Kapitulli i parë u kushtohet tre fushave problematike të letërsisë shqipe: zanafillës së shkrimit shqip; raportit të letërsisë dhe standardizimit të gjuhës; karakterit heterogjen të letërsisë shqipe. Kapitulli i dytë përfshin disa tema specifike të folklorit: Eposin e Kreshnikëve, Kanunin, gjinitë të odës së burrave. Kapitulli i tretë përbëhet nga 5 portrete letrare: Çajupi, Asdreni, Fishta, Noli dhe Konica dhe kapitulli i fundit shtjellon letërsinë bashkëkohore sipas shtrirjes së saj gjeografike në shtetet e ndryshme me popullatë shqipfolëse. Përzgjedhja e temave është subjektive, por bazohet në njohuritë e gjëra që kam përftuar mbi letërsinë shqipe gjatë 15 viteve që ligjëroj këtë lëndë në universitet. 

Jeni pedagoge e letërsisë shqipe në universitetin e Sofjes. Si lexojnë studentët bullgarë autorët shqiptarë?

Studentët bullgarë kanë mundësi të lexojnë përkthime shumë të mira në gjuhën bullgare të Ismail Kadaresë, Dritëro Agollit, Besnik Mustafajit, Fatos Kongolit, Flutura Açkës. Përkthyesja Marina Marinova ka një jetë të tërë që merret me përkthime letrare në mënyrë profesionale dhe çdo gjë që ka dalë nga dora e saj meriton të studiohet edhe si teori përkthimi. Ka gjashtë vjet që kemi nisur edhe programin e përkthimit studimor. Vjersha, prozë e shkurtër dhe pjesë të prozës së gjatë në kuadrin e detyrave mësimore për përkthim, kur dalin të suksesshme dhe me pak redaktim vendosen në faqen e internetit www.albanian.dir.bg dhe janë të disponueshme për lexim, si edhe për sprova të mëtejshme letrare me qëllim rafinimin e gjuhës së përkthimit, pra krijimin e variante të përkthimit të një autori. Lista e autorëve që gjendet në sajt është e gjatë, mbi 30 emra bashkëkohorë dhe klasikë.

A ka tipare të përbashkëta në zhvillimin e letërsisë bullgare dhe shqiptare? A mund të bëhen paralele midis tyre?

Te dy popujt ndajnë të njëjtën hapësirë gjeografike, që është edhe historike. Mund të bëhen paralele në zhvillimin e rrymave letrare: të dyja letërsitë fillojnë periudhën moderne të zhvillimit të tyre nga romantizmi rilindës dhe përjetojnë me pak vonesë tendencat moderniste dhe postmoderniste; mbyten në dogmat e skematizmit socrealist në kohën e regjimeve totalitare. Mund të bëjmë studime komparative tematike ose midis dy autorëve të caktuar, ta zëmë Migjeni dhe Hristo Smirnenski që presin hulumtuesit e tyre. Sa i përket periudhës para Rilindjes, dihet se tradita e shkrimit bullgar pati fat të zhvillohej dhe të afirmohej në rajon dhe ndër popujt sllavë, gjë që i dha shtysë krijimit letrarë dhe trashëgimisë letrare të kohës para pushtimit osman.

Në fillim të shekullit XX qytete si Bukureshti, Aleksandria, Bostoni, Sofja ishin qendrat kulturore të kulturës shqiptare. Cilat janë qendrat kryesore të studimit të letërsisë shqipe sot, a përputhen me gjeografinë bashkëkohore të letërsisë shqipe?

Në fillim të shekullit XX shteti shqiptar akoma nuk ishte themeluar dhe veprimtaria kryesore kulturore ishte zhvendosur jashtë territoreve kompakte shqipfolëse. Me konsolidimin e shtetit u stimuluan edhe qendrat e tij kulturore brenda përbrenda. Në pjesën e parë të shekullit XX ka qenë Shkodra në konkurrencë me Tiranën, pas viteve 60 u afirmua Prishtina, gjithashtu Kozenca dhe Napoli në Itali, ku është diaspora historike arbëreshe. Pak më vonë gjetën veten Tetova dhe Shkupi në Maqedoni, Ulqini në Malin e Zi. Për territoret shqipfolëse mund të thuhet se çdo komunitet kompakt tashmë ka krijuar qendrën e vetë kulturore dhe letrare. Qendra më ë zhvilluar albanologjike joshqiptare është ajo e Shën Peterburgut në Rusi, ku ekziston katedra e gjuhës shqipe, e themeluar nga Agniaja Desnickaja në vitet 50. Ka edhe vatra të tjera, që ngrihen ose zvetënohen periodikisht për shkak se mbahen nga një, dy ose tre veta.

Sipas Robert Elsie-t në çdo shqiptar fle një poet. A është kjo arsyeja e ngadalësimit të kalimit nga poezia në prozë?

Autori i fjalorit të rimave të gjuhës bullgare ka shënuar me humor të lezetshëm në parathënie të veprës së tij se çdo njeri në gjendje emocionale të stuhishme mendon me rima, nganjëherë pa e vënë re. Po ta pranojmë këtë pohim, mund të dalim te konkluzioni se shpirti shqiptar vlon dhe kërkon hapësirë për t’u shfaqur. Këtu kalojmë nga historia dhe sociologjia në letërsi te psikologjia, sepse akti i krijimit është një akt psikologjik i rrëfimit personal. Krijimet spontane joprofesionale shqiptarët i materializojnë në poezi. Mund të them me shumë bindje se një bullgar në të njëjtën situatë, i kapur nga impulsi krijues do të preferonte prozën. Përgjigja pse nuk do të ishte e provuar shkencërisht dhe nuk dua të hyj në hipoteza. Sa për autorët e afirmuar, ata janë pjesë e popullit të vet dhe shfaqin tendencën e përgjithshme. Më duket se shumë prej tyre kohët e fundit ia kanë imponuar vetes kalimin në prozë, sepse i tillë është trendi. Janë bërë shkrimtarë të mirë e të suksesshëm në prozë, por më merr mendja se thellë në vetën e tyre preferojnë poezinë.

Cili është roli i emigrantëve në zhvillimin e letërsisë shqipe. A ekziston për shkrimtarin koncepti “jashtë shtetit” ose mëmëdheu është fleta e bardhë që ka në skrivani?

Historia e letërsisë shqipe para Rilindjes përfshin apriori intelektualë dhe krijues me origjinë shqiptare në Evropë dhe në Perandorinë Osmane, pavarësisht nga gjuha në të cilën kanë shkruar dhe nga niveli i lidhjeve etnike që kanë shfaqur në trashëgiminë e tyre kulturore. Njëkohësisht biografia e një pjesë të konsiderueshme autorësh klasikë dhe bashkëkohorë shqiptarë përfshin periudha të gjata qëndrimi jashtë shtetit, shpesh disa herë më të mëdha sesa p.sh. periudha e arsimimit. Kjo jep baza për përgjithësimin se shkrimtari në mërgim ka qenë dhe është kategori konstituente e letërsisë shqipe. Gjatë mijëvjeçarit të ri kur komunikimi mes hapësirës bëhet në çast dhe kur botimet brenda territoreve shqipfolëse kanë marrë hov, tipi i mbështetjes nga jashtë është modifikuar në krahasim me periudhat e mëparshme, por nuk ka humbur aspak rëndësinë e tij. Problemet specifike albanologjike të bashkësive kombëtare në diasporë janë ndërthurur organikisht në trupin dhe imazhin e letërsisë shqipe. Nëse duhet të bëjmë një përgjithësim të problemit të adaptimit, mund të konstatohet se për krijuesit shqiptar gjendja “jashtë atdheut” nuk gjeneron tensionin tipik për identitetin dhe kjo dëshmohet si nuancë psikologjik më mirë në veprat e tyre letrare. Sistemimi në nivel material ka të bëjë me mbijetimin fizik dhe varjon në mënyrë individuale. Ana shpirtërore ndërkaq mbetet një botë e pavarur paralele, në të cilën krijuese praktikisht mbetet i palarguar nga specifika kulturore e komunitetit të vetë, që ka mbetur “në vend”.

Cilat janë tendencat aktuale që gjejnë gjithnjë e më shumë vend në veprat e shkrimtarëve shqiptarë?

Një tendencë e re lidhet me pyetjen e mëparshme: shkrimtarët e brezit më të ri që dalin jashtë shtetit dhe shkruajnë në gjuhë të huaja shfaqin prirje kozmopolitë: Besa Myftiu që ishte në Sofje, Ornela Vorpsi etj. Diçka shumë konkrete të vitit të fundit janë romanet e autorëve të njohur si Ismail Kadare, Agron Tufa, Flutura Açka, që trajtojnë temën e diktaturës me mjete artistike moderne. Fjala është jo për një përshkrim direkt të vuajtjes, por të prezantimit artistik të detajeve fine, siç shprehet Kadareja, që ta bëjnë ta marrësh atë me mend.

Në librin tuaj i kushtoni një vëmendje të posaçme jetës dhe krijimtarisë të shkrimtarit të njohur shqiptar me banim në Sofje Thoma Kacorri. Pse e keni quajtur “rilindësin e fundit shqiptar”?

Më 13 dhjetor u mbush një vit nga dita kur Thoma Kacorri u nda nga jeta. Bashkëshortja e tij Violeta Kacorri, fëmijët dhe nipërit ftuan në shtëpi një rreth të ngushtë ithtarësh të tij. Përgjigja e kësaj pyetje është akoma në shtëpinë e tij në lagjen e banorëve denbabaden të kryeqytetit, te sheshi i monumentit rus. Studioja e tij është e paprekur, me libra deri në tavan dhe simbole kombëtare. Thoma Kacorri ishte njëkohësisht shkrimtar dhe pedagog, ai jepte shpirtin e tij në mësime, mbillte dashurinë ndaj gjuhës dhe popullit që përfaqësonte. Profesor Petja Asenova ka thënë shpesh se të gjithë shqiptarët dikur i kishte përfytyruar si ai. Talenti dhe fisnikëria e tij shquheshin në një mënyrë shumë karakteristike për intelektualët e lartë të periudhës së fundit të Rilindjes shqiptare, që në Sofje zgjati si atmosferë frymëzuese deri para një viti.
По публикацията работи: Maria Peeva


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Foto: Ambasada e Republikës së Bulgarisë në Shqipëri

Ditët e Kulturës Bullgare u zhvilluan në Tiranë

Në kryeqytetin shqiptar të Tiranës u zhvilluan Ditët e Kulturës Bullgare, njoftoi Ambasada e Republikës së Bullgarisë në Shqipëri. “Të inkurajuar nga Dita e Iluministëve të Popullit që e festuam së fundmi, ne bëmë çmos për t'i njohur miqtë tanë..

botuar më 24-11-06 8.25.PD

“Abetarja e Peshkut” 200-vjeçare kujton për veten me një botim të ri

Në vitin 2024 mbushen 200 vjet nga shfaqja e së ashtuquajturës "Abetare me mësime të ndryshme" . Ky është titulli origjinal i librit i njohur më mirë si “Abetarja e Peshkut”, autor i së cilës është rilindësi i shquar Dr. Petër Beron. Bëhet..

botuar më 24-11-03 7.35.PD
Milena Selimi dhe Georgi Gospodinov

Milena Selimi përkthen romanin ”Kohëstrehim” të autorit bullgar Georgi Gospodinov

Shkrimtare, përkthyese, gazetare, përfaqësuese e bullgarëve në Komitetin për Pakicat Kombëtare në Shqipëri, Milena Selimi nuk rresht së promovuari kulturën, letërsinë, vlerat dhe traditat bullgare. Një nga arritjet e saj profesionale më të fundit është..

botuar më 24-10-28 2.10.MD