Sofja – e lashtë dhe moderne, e renditur dhe kaotike, e përhershme dhe e ripërtëritshme... Të ndryshme janë fytyrat e kryeqytetit tonë, të cilat çdo ditë zbulohen nga mysafirët e huaj. Kurse ata më shpesh interesohen kur dhe si është themeluar qyteti, si është ndryshuar imazhi i tij gjatë epokave të ndryshme. Përgjigjet e këtyre pyetjeve mund të gjenden prapa mureve të një kishe emblematike për Sofjen – “Shën Sofia”. Momentet e zhvillimit të saj historik, si copat e një mozaiku, e renditin vargun e ndërlikuar të ngjarjeve, të cilat lënë gjurmët e tyre në të kaluarën e Sofjes.
© Foto: Maria Peeva
© Foto: Maria Peeva
Prapa mureve të tempullit ruhet trashëgimia e qytetit antik Serdika. Bazilika e sotme u ndërtua në fund të shekullit V dhe në fillim të shekullit VI mbi rrënojat e dy kishave më të hershme të varrimit. Ajo u bë mbrojtësja e nekropolit lindor të Serdikës. Gjatë gërmimeve të ndryshme arkeologjike u zbuluan varreza, piktura në mur, mozaikë të lëmuar dyshemeje, të cilët tani restaurohen dhe konservohen, që të mund t’i vizitojnë turistët në një muze nëntokësor unik.
Gjatë Mesjetës, në fillim të shekullit IX, tempulli vazhdoi të luante një rol të rëndësishëm për jetën e popullsisë vendëse. Për rëndësinë t tij flet dhe fakti se në mes të shekullit XIV qyteti u riemërua Sofja. Pas invadimit osman kisha u bë xhami. Por dy tërmete të mëdha shkatërruan minaren dhe absidën e oltarit. Pas Çlirimit të Bullgarisë nga zgjedha osmane gjatë vitit 1878, ndërtesa shërbente për depo të gazit për ndriçimin e rrugëve. Më vonë në çatinë e saj u montua një kullë vëzhgimi nga zjarrfikësit e kryeqytetit. Por studimet arkeologjike zbuluan vlerën e saj të madhe historike dhe kulturore. Tempulli i riparua, kurse gjatë vitit 1930 u bekua dhe rifilloi jetën e tij shpirtërore. Gjatë viteve 50 të shekullit XX u shpall monument i kulturës.
Megjithëse kisha i është kushtuar Urtësisë së Zotit, me emrin e saj lidhen legjenda interesante, të cilat shpesh herë nuk u përgjigjen të dhënave historike. Për shembull udhëtari italian Giovanni Benaglia, i cili e vizitoi qytetin gjatë vitit 1682, tregon se kisha është ndërtuar nga bija e Konstantinit të Madh – Sofia, dhe mban emrin e saj. Arkeologu nga Austro-Hungaria Felix Kanitz në shënimet e tij gjithashtu përshkruan një legjendë, sipas së cilës kisha i është kushtuar në princeshe bizantine me emrin Sofia.
© Foto: Maria Peeva
E mbuluar me shumë legjenda, “Shën Sofia” është jo vetëm një nga bazilikat më të rëndësishme të kohës së krishterimit të hershëm në Evropën Juglindore, por edhe një pjesë e pandarë e jetës së kryeqytetasve. Jo rastësisht ajo është një vend i preferuar për pagëzimin e fëmijëve dhe për dasmat më të bukura. Edhe sot dyert e saj janë të hapura për shumë besimtarë që vijnë të dielën për liturgjinë. Këtu gjejmë dhe Adelina Simeonovën, 27-vjeçare, një nga shumë të krishterët e rinj të ardhur për t’u kunguar. Për të kisha është diçka më shumë se një vend për rite fetare.
“Shkaku që të vij në këtë kishë është se pikërisht këtu, në këtë vend, besimi im në Zot më ndryshoi, sikur fillova një jetë të re – rrëfen Adelina. – Kjo më dha një gëzim që nuk kisha ndier më pas, më dha një kuptim të ri të jetës. Liturgjitë dhe kungimi u bënë një pjesë e pandarë e jetës sime. Këtu ndiej shpirtin e kohës, kurse komunikimi me të krishterët më ndihmon shumë, sepse ata u bënë një pjesë e familjes sime. Ky tempull është si një shtëpi për mua. Ky është vendi, ku takohem me Zotin. Në kishën “Shën Sofia” gjeta kuptim dhe gjithmonë ndihem mirë, kur vij.”
Mbrojtëse e historisë së qytetit, një tempull ortodoks me vlerë të madhe fetare dhe kulturore, kisha “Shën Sofia” është si një zemër e gjallë që rreh në ritmin e kryeqytetit tonë të bukur dhe të lashtë.
Përgatiti në shqip: Ekaterina Tarpomanova
Më 10 nëntor 1989, në një mbledhje të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Bullgare (BKP), Todor Zhivkov u lirua nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm - posti më i lartë në parti dhe në shtet. Ajo që ndodhi në takim më vonë do të përkufizohej si një..
Arkeologët zbuluan një shishe qelqi shumë të rrallë dhe të vlefshme në një varr të shekullit të II-të në nekropolin jugor të kolonisë romake Deultum pranë fshatit Debellt /Bullgaria Juglindore/. Gjëja unike është se ajo përshkruan mitin e përbindëshit..
Kisha jonë Ortodokse kremton sot Mbledhjen e Shën. Kryeengjëllit Mihail, udhëheqës i ushtrisë qiellore dhe hierarkive engjëllore të patrup, që mundi forcat e errësirës. Është një nga festat më të rëndësishme të krishtera fikse të vjeshtës, e quajtur edhe..