Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Magjia e poçarisë

Foto: Anna Kapitanova

Poçaria është njëri nga zanatet më të lashta në botë. Enët balte ekzistojnë që prej shekujve të fundit të epokës së gurit. Në Gadishullin Ballkanik këto janë vitet 6000-4000 para Krishtit, koha kur njeriu kalon në forma të qëndrueshme të jetesës. Popujt e lashtë të Ballkanit e kanë njohur mirë teknologjinë e prodhimit të poçeve. Ato kanë shërbyer në ritin e dasmës dhe në atë të varrimit, po ashtu kanë plotësuar nevojat e jetës së përditshme. Trakët që popullonin trojet, ku më vonë u vendosën bullgarët, e kanë zëvendësuar prodhimin me dorë të poçarisë me rrotë poçarie që në shekujt VII-VI para Krishtit. Falë lidhjeve të përforcuara tregtaro-kulturore me Greqinë e Lashtë në poçet trake vërehet ndikimi i mjeshtërve helenikë. Kur sllavët dhe bullgarët e lashtë u vendosën në Ballkan arti i poçarisë i trashëguar nga trakët u pasurua me elemente të reja. Në fund të shekullit të IX-të dhe në fillim të shekullit të X-të u hodh baza e shkollës bullgare në këtë fushë.

© Foto: Anna Kapitanova


Afro dy shekuj pasi shteti bullgar lindi (681) mjeshtërit poçarë në kryeqytetin e lashtë Presllav u dalluan me qeramikën e tyre dekorative. Punimet e tyre tërhiqnin sy me teknikë dhe stil artistik, duke u renditur mes modeleve më të mira të Mesjetës. Shekujt në vijim (XII-XIV) arti i poçarisë në Bullgari u zhvillua në mënyrë akoma më intensive. Gjatë kësaj periudhe poçet ishin të punuara me elemente bimësh të formës gjeometrike, ndërsa dekorimi me figura kafshësh e njeriu hasej më rrallë. Dominonin ngjyrat e gjelbra dhe të verdha, si dhe ato kafe. Gjatë shekujve të parë të sundimit osman (fundi i shekullit të XIV deri 1878), kishte rënie të prodhimit të poçarisë në trojet bullgare.

© Foto: arkiv

Mirëpo, nga shekulli i XVII-të dalëngadalë zanati filloi të ringjallej. Më 1911 u hap edhe shkolla e poçarisë në qytetin e Trojanit, Bullgari Veriore. Sot ky është Gjimnazi Kombëtar i Arteve të Aplikuara “Prof. Venko Kolev”, Drejtori i tij, dr. Ilian Iliev, tregon se si shkolla mbindërton dhe zhvillon traditat bullgare të poçarisë.

“Avantazhi i këtij lloji shkollash është se ne nuk i përgatisim nxënësit që të ndjekin patjetër arsim të lartë – sqaron drejtori Iliev. – Kuptohet se një pjesë e madhe prej tyre regjistrohet në universitetet e arteve ose në shkolla të tjera të larta. Mirëpo, arsimi i mesëm u mundësojnë nxënësve që pasi kanë mbaruar gjimnazin të fillojnë menjëherë punë profesionale. Gjatë studimeve, që janë në vazhdim të pesë viteve, nxënësit tanë fitojnë mjaft njohuri si në teori, ashtu edhe në praktikë për t’u realizuar profesionalisht në fushën e artit. Sidomos nxënësit e poçarisë e kanë këtë mundësi. Edhe në kohë krize ata me sukses prezantojnë produktet e tyre, themelojnë ndërmarrje të vogla dhe emërojnë punëtorë. Për sa u përket nxënësve të dizajnit grafik, ata gjithashtu fitojnë njohuritë e duhura për të filluar menjëherë punë në studiot e dizajnit dhe të grafikës.”

© Foto: BGNES

Trojani është i vetmi vend në Bullgari ku mësohet zanati i poçarisë në nivel arsim të mesëm. Qyteti është i pasur me burime balte të cilat janë të nevojshme për t’u bërë poçet. Ato të fundit punohen me anë të rrotës prej druri me këmbë dhe pastaj piqen në furrë. Poçarët dekorojnë prodhimet në varësi të funksionit dhe formës së tyre. Në Bullgari më e përhapur është poçaria e nevojave të përditshme – pjata, gota, kupa, saksi vazo etj. “Këto enë janë të punuara në mënyrë më të thjeshtë në krahasim, p.sh. me poçarinë e kryeqytetit Presllav – vetëm mbreti dhe fisnikët e kanë përdorur për t’u ngrënë – sqaron dr. Iliev. – Faktikisht zbukurimet jo të ndërlikuara pasqyron imazhin shpirtëror e bullgarëve për zanatin. Masivisht poçet punohen me të ashtuquajturin “zbukurim të formës së pikës” që është i karakteristik për shkollën e Trojanit.”

© Foto: BGNES

Eksponate në Muzeun e Zanateve Popullore dhe të Arteve të Aplikuara në Trojan

Pothuajse në çdo shtëpi bullgare mund të gjenden poçe për të ngrënë gjellë dhe të cilat zbukurojnë pamjen e brendshme. Në Sofje tezga ku shiten poçe të llojeve të ndryshme mund të shihen në “Pazarin e Gruas”. Lokalet që synojnë të krijojnë ambiente tradicionale zakonisht shërbejnë në poçet e punuara sipas shkollës së Trojanit. Në shkallë të gjerë mendohet se objektet prej balte qarkullojnë nga punishtet e poçarisë deri në pazare dhe tryeza. Kjo nuk është ashtu. Poçaria është art siç janë skulptura dhe piktura dhe mjeshtrit sjellin realizime të vërteta artistike.

© Foto: Maria Peeva

Ekspozitë me rastin e 100-vjetorit të themelimit të Gjimnazit në Trojan

“Nxënësit marrin pjesë në simpoziume dhe ekspozita kombëtare dhe ndërkombëtare – thotë drejtori Iliev. – Gëzojmë marrëdhënie të mira me Francën. Sivjet presim disa kolegë nga Greqia, të cilët u interesuan pasi vizituan ekspozitën tonë në qytetin e Patras. Mbase vitin tjetër edhe ne do t’i vizitojmë. Arti e ka avantazhin të jetë universal, të kalojë mbi kufijtë kombëtarë dhe gjejë një formë komunikimi pa fjalë. I rëndësishëm është mesazhi i krijuesve, të jetë ai mjaft i fortë për të prekur zemrat e njerëzve ndaj të cilëve është drejtuar.”

© Foto: BGNES

Në Gjimnazin Kombëtar të Arteve të Aplikuara “Prof. Venko Kolev” në Trojan regjistrohen fëmijë nga mbarë vendi. Sipas fjalëve të drejtorit interesi për poçarinë kurrë nuk është shuar. “Këtu vijnë vajza dhe djem 14-vjeçarë, të cilët e kanë të vështirë të përshtaten me vizionin e zakonshëm të shkollave të tjera – sqaron z. Iliev. – Në gjimnaz ata gjejnë ambientin e përshtatshëm për të zhvilluar individualitetin e vet.”

© Foto: wikipedia.org

Rindërtimi i punishtes së poçarisë në Muzeun e Trojanit

Përveç në punishtet e shumta të poçarisë të cilat janë të shtrira në vende të ndryshme të Bullgarisë (Trojan, Gabrovo, Ajtos, Varna, Businci etj), mjeshtërit tregojnë talentin e tyre edhe në aktivitete kulturore. Çdo vit në Kompleksin Arkeologjik dhe Etnografik “Etër” në qytetin e Gabrovos, Bullgari Qendrore, organizohet Panairi Ndërkombëtar i Zanateve Popullore, ku poçarët dhe mjeshtrit e tjerë jo vetëm prezantojnë punë dore, por bëjnë demonstrime të teknikës së dikurshme të prodhimit.
По публикацията работи: Anna Kapitanova


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Foto: Ambasada e Republikës së Bulgarisë në Shqipëri

Ditët e Kulturës Bullgare u zhvilluan në Tiranë

Në kryeqytetin shqiptar të Tiranës u zhvilluan Ditët e Kulturës Bullgare, njoftoi Ambasada e Republikës së Bullgarisë në Shqipëri. “Të inkurajuar nga Dita e Iluministëve të Popullit që e festuam së fundmi, ne bëmë çmos për t'i njohur miqtë tanë..

botuar më 24-11-06 8.25.PD

“Abetarja e Peshkut” 200-vjeçare kujton për veten me një botim të ri

Në vitin 2024 mbushen 200 vjet nga shfaqja e së ashtuquajturës "Abetare me mësime të ndryshme" . Ky është titulli origjinal i librit i njohur më mirë si “Abetarja e Peshkut”, autor i së cilës është rilindësi i shquar Dr. Petër Beron. Bëhet..

botuar më 24-11-03 7.35.PD
Milena Selimi dhe Georgi Gospodinov

Milena Selimi përkthen romanin ”Kohëstrehim” të autorit bullgar Georgi Gospodinov

Shkrimtare, përkthyese, gazetare, përfaqësuese e bullgarëve në Komitetin për Pakicat Kombëtare në Shqipëri, Milena Selimi nuk rresht së promovuari kulturën, letërsinë, vlerat dhe traditat bullgare. Një nga arritjet e saj profesionale më të fundit është..

botuar më 24-10-28 2.10.MD