Sot Bullgaria shënon festën e saj kombëtare. Më 3 mars para 136 vitesh në qytetin Shën Stefani afër Stambollit u nënshkrua Traktati i Paqes i San Stefanos, me të cilën iu dha fund Luftës Çlirimtare Ruso-Turke nga vitet 1877-1878. Pas afro pesë shekujsh robërie nga pushtuesit turq para stërgjyshërve tanë u hapën horizonte të reja: për rimëkëmbjen e shtetit bullgar dhe për zhvillimin evropian të vendit. Para çlirimit të popullit tonë, në Perandorinë Osmane shpërthyen disa kryengritje të mëdha. Në vitin 1875 shpërtheu kryengritja në Bosnjë e Hercegovinë, kurse një vit më vonë – e ashtuquajtura “Kryengritje e Prillit” në Bullgari. Disa prej liderëve të saj shpresonin se ajo do të përfundonte me sukses, disa të tjerë synonin tërheqjen e vëmendjes së Fuqive të Mëdha, të cilat të kontribuojnë për zgjidhjen e Çështjes Bullgare. Kryengritja u shua me shumë gjak, kurse jehona e shuarjes së saj tronditi tërë Evropën.
“Kryengritja e Prillit është kulmi i Lëvizjes Çlirimtare Bullgare. Ajo luajti një rol shumë të rëndësishëm për thellimin e së ashtuquajturës “Krizë Lindore” – tha në intervistën për Radio Bullgarinë prof. D-r Pllamen Mitev, dekani i Fakultetit Historik pranë Universitetit të Sofjes “Shën Klementi i Ohrit”. – Pikërisht në kontekstin e kësaj krize ajo çoi në ndryshimin koherent të politikës së zhvilluar nga Fuqitë e Mëdha sa i përket Perandorisë Osmane. Së pari u thirr një konferencë diplomatike në Stamboll për zgjidhjen paqësore të konflikteve në Ballkan. Mirëpo pas dështimit të saj u arrit në zgjidhjen ushtarake të Krizës Lindore. Shumë e rëndësishme në këtë drejtim ishte dhe jehona ndërkombëtare e ngjarjeve në trojet bullgare nga viti 1876, e cila kontribuoi për ndryshimin e qëndrimit të opinionit publik në Evropë. Si rezultat i kryengritjes shoqëria evropiane ushtroi një presion të madh mbi qeveritë e Fuqive të Mëdha dhe ato u detyruan të korrigjojnë sjelljen e vet sa u përket ngjarjeve lidhur me Krizën Lindore.”
Sa për këtë krizë, ajo nuk duhet të trajtohet vetëm në sfondin e problemeve në Ballkan, shënon prof. Mitev. Ajo u përket më shumë aspekteve të lidhura me fatin e Perandorisë Osmane, e cila dispononte territore të rëndësishme strategjike për Fuqitë e Mëdha në Lindjen e Afërt dhe të Mesme. Britania e Madhe ngulte këmbë për ruajtjen e statukuos, pavarësisht nga kryengritjet në Bosnjë e Hercegovinë dhe në trojet bullgare. Pozitat e Francës dhe të Italisë ishin më të matura, megjithëse fjalimet e Viktor Jugosë në Parlament dhe publikimet në shtypin francez shkaktuan përkrahjen kategorike ndaj popullsisë së vuajtur të krishterë. Kancelari gjerman Bismark, një diplomat i shkathët, i la të tjerët të heqin patatet e nxehta nga zjarri. Nga ana tjetër Austro-Hungaria fliste për ruajtjen e statukuos, por vepronte në mënyrë të fshehtë për prishjen e saj, meqenëse interesat e saj ishin drejtuar ndaj Bosnjës e Hercegovinës. Diplomacia e Vjenës luajti një rol shumë të rëndësishëm në ndihmë të veprimeve të kryengritësve në këto dy provinca rebele. Ajo përkrahte edhe përgatitjen e Malit të Zi dhe të Serbisë për luftën e ardhshme me Turqinë. Ky dirigjim i fshehtë nga ana e Austro-Hungarisë luajti një rol shumë të madh për sjelljen e Rusisë. Ajo kishte humbur Luftën e Krimeas (1853-1856) dhe duhej të respektonte klauzolat e Traktatit të Paqes të Parisit nga viti 1856. Ja përse diplomacia ruse përpiqte me kujdes të madh për t’i mbrojtur interesat e veta në Ballkan, pa shkaktuar një reaksion mbarevropian.
“Princi Gorçakov, duke qenë udhëheqës i qeverisë së atëhershme ruse, duhej të demonstronte nga njëra anë distancë ndaj veprimeve ushtarake në Ballkan – vë në dukje Pllamen Mitev. – Mirëpo, nga ana tjetër edhe ushtarakët, edhe vetë perandori ishin duke kërkuar mënyra për revansh për katastrofën e përjetuar gjatë Luftës së Krimeas. Në këtë kuptim politika ruse ndaj bullgarëve dhe Krizës Lindore duket kontradiktore. Mirëpo po të hedhim një shikim prapa kësaj kundërshtie do të kuptojmë se ka njëfarë koherence – një kërkim të pandërprerë të mundësive të ndryshme për goditje kundër diktatit të Traktatit të Paqes të Parisit nga njëra anë, kurse nga ana tjetër – një synim koherent për ndihmë ndaj luftërave çlirimtare të popujve ballkanikë.”
Më 12 prill (24 prill, sipas stilit të ri) 1877 në qytetin Kishinau perandori rus Aleksandër II me anë të një manifesti i shpalli luftë Perandorisë Osmane. Armiku ishte më i fuqishëm, i armatosur më mirë dhe i përgatitur më mirë për luftën. Gjatë luftës kishte shumë momente kritike, si për shembull betejat pranë Stara Zagorës, pranë qafës malore Shipka, gjatë rrethimit të Plevenit, gjatë kalimit të rëndë dimëror përmes malit Stara Pllanina. Në këto momente ushtria ruse tregoi një heroizëm të madh. Në të vërtetë në këtë luftë faktori vendimtar ishte kauza e drejtë. Rusët dhe pjesëmarrësit me kombësi të tjera në ushtritë çlirimtare bënë çmos. Shumë e rëndësishme është edhe ndihma e bullgarëve.
“Duke folur për rolin e popullsisë bullgare në luftë, zakonisht e përqendrojmë vëmendjen tonë te roli i forcave vullnetare. Me të vërtetë, ndihma e tyre është e padyshimtë. Mjafton për të përmendur betejat te Shipka – vë në dukje prof. Mitev. – Por përveç forcave vullnetare, pjesëmarrja e bullgarëve në luftë është edhe në fusha të tjera. Shumë i rëndësishëm ishte roli i bullgarëve, që kryenin detyra hetuese. Bëhet fjalë për një rrjet të gjerë, i cili mirëmbahej në prapavijën e ushtrisë turke. Mjafton për të rikujtuar se si komanda osmane ishte gënjyer nga bullgarët se goditja ruse do të jetë përmes Bullgarisë Lindore. Për këtë arsye ata bënë shumë përpjekje në përgatitjen e katër kështjellave të mëdha – Ruse, Silistra, Shumen dhe Varna. Në vigjilje të Luftës Çlirimtare atje ishin përqendruar rreth 52 për qind e forcave ushtarake turke të Ballkanit. Bullgarët arritën ta mashtrojnë komandën turke se goditja do të jetë pikërisht atje, por faktikisht më 15 qershor 1877 forcat kryesore ruse kaluan lumin e Danubit te qyteti i Svishtovit.”
Do të shtojmë se në prapavijën e ushtrisë turke vepronin çeta bullgare. Bullgarët i ndihmonin rusët gjatë kalimit përmes Ballkanit në kushtet e rënda dimërore. Popullsia bullgare ndihmonte shumë edhe duke siguruar produkte ushqimore. “Ka dhe diçka, për të cilën nuk flitet shumë. Bëhet fjalë për fatin e bullgarëve në prapavijën e ushtrisë turke, për çmimin, që pagoi popullsia civile për këtë luftë dhe për çlirimin e vet. Kam parasysh mijëra viktimat bullgare, rezultat i hakmarrjes turke dhe të bashibozukut në Bullgarinë Jugore para sulmit rus, ose në vendbanimet që ishin gjendur në duart ruse dha pastaj u pushtuan përsëri nga turqit. Bëhet fjalë për një çmim shumë të madh, që pagoi populli bullgar. Këto janë faqe, të pashkruara edhe sot e kësaj dite, gjë që do të thotë se nuk e kemi marrë falas lirinë tonë.”
Dita e Çlirimit është një ditë nderi ndaj ushtarëve të vdekur të ushtrisë ruse – si ndaj rusëve, ashtu dhe ndaj popujve të tjerë, përfshi këtu dhe bullgarët, të cilët dhanë jetën e tyre për pavarësinë e atdheut. Bullgaria është plot shumë monumente të të vdekurve në luftë. Por tre marsi është dhe ditë e optimizmit, sepse atëherë Bullgaria u ringjall për një jetë të re dhe në kuadrin e disa dekadave u shndërrua në një shtet të qytetëruar, me një ekonomi të zhvilluar dhe kulturë të pasur.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Në vitin 1847, në familjen e Hristo Ivanov Bankovit - një njeri i urtë nga një familje e vjetër dhe mjeshtër i të ashtuquajturave “eminii” (pantofla), në një nga mëhallët e qytetit të Gabrovos (Bullgaria Qendore) lindi djali i dytë i Hristos...
Muzeu Historik Rajonal në Razgrad më 30 tetor në lidhje me mbylljen e sezonit turistik organizon një xhiro falas në Rezervatin Arkeologjik "Abritus". Gjatë gjithë ditës, ata që dëshirojnë të eksplorojnë Abritusin e lashtë do të shoqërohen dhe do të..
Më 26 tetor, Kisha jonë nderon kujtimin e Shën Dëshmorit të Madh Dhimitri të Selanikut, i konsideruar si një nga shenjtorët më të mëdhenj të Ortodoksisë. Në vendin tonë emri i tij lidhet edhe me rivendosjen e Mbretërisë së Dytë Bullgare në shekullin..
Statuja e parë prej mermeri e zbuluar më 3 korrik në qytetin antik Heraklea Sinthika është ndoshta e nipit të perandorit romak Oktavian Avgust - Lucij,..