Rruga drejt fshatit Emona në bregdetin e Detit të Zi është e dëmtuar. Disa nga vendasit me qëllim nuk e duan riparimin e rrugës që të mbeten larg kotësisë së panevojshme. Ky është vendi ku vargmali më i gjatë i Ballkanit puthet me bregdetin, dhe njëkohësisht vendi ku feneri i bukur i kepit Emine, i ngritur më 1880, vite të tëra u ka dhënë dritë marinarëve. Shumë shkrimtarë dhe piktorë e zgjedhin fshatin Emona për të bërë pushime verore, duke u frymëzuar nga natyra e egër dhe gjurmët e së kaluarës. Ashtu ndodhi dhe me Anelia Tonçevën. Ajo është piktore dhe shkrimtare në punë vullnetare. Prej 15 vjetësh jeton në SHBA, por për asnjë çast nuk e ka prishur lidhjen me vendlindjen. Fillimisht Anelia Tonçeva ka dhënë mësime në një shkollë bullgare në Boston, duke u treguar fëmijëve mjeshtërinë e veroreve dhe vezëve të lyera. Me kalimin e kohës interesi i saj për traditat dhe folklorin bullgar është forcuar dhe ja nga erdhi romani “Emona mistike”.
“Ideja për librin lindi para 4-5 vjetësh – thotë Anelia Tonçeva. – Që në moshën e fëmijërisë familja ime vazhdimisht me tregonte traditat bullgare dhe po ashtu unë bëja shumë udhëtime nëpër vendet e ndryshme të Bullgarisë. Para se të vija në Boston më 1998, kisha vizituar fshatin Emona ku është plot histori. Aty gjendet një kishë gjysmë e prishur. Emri i saj është “Shën Nikolla”. Ky i fundit supozohet të jetë mbrojtësi i marinarëve. Ky vend mbeti për gjithmonë në zemrën time.”
Ashtu filloi historia – me kujtimin për Emonën e egër, ku sot popullsia numëron rreth 30 veta, aty ku ende rrëfehet për zanat, ato krijesa të bukura mitologjike të cilat vendasit ende i nderojnë.
“Libri është fantazi, histori romantike midis një zane dhe një burri, artist i cili nga Amerika është vendosur në Emona për ta mjekuar veten e tij dhe për t’u përkushtuar në art. Në këtë histori dashurie ka të ndërlidhura shumë fakte historike, tradita e zakone bullgare, të cilat edhe sot e kësaj dite praktikohen në disa rajone të vendit. Shumë nga traditat e kanë zanafillën te trakët e lashtë, të cilët kanë qenë zotë të trojeve bullgare. Pra, trakët si popull ndoshta është harruar, por traditat e tij ende respektohen në disa vendbanime të Bullgarisë.”
Emri i fshatit Emona lidhet me emrin “Aemon”, që në gjuhën e vjetër greke do të thotë Mali Ballkan. Ky ka qenë vendlindja e mbretit legjendar të trakëve Rizos për të cilin bëhet fjalë në “Iliadën” e Homerit. Ky është vetëm një nga shumë faktet lidhur me historinë dhe folklorin bullgar të cilat lexohen në romanin “Emona mistike”.
“Projekti vazhdoi pesë vite, sepse informacionet në çdo një fjali janë studiuar në detaje. Kemi përdorur shumë nga informacionet e Radio Bullgarisë, të hedhura në faqen e Internetit. Po ashtu dhe letërsi të specializuar, si libri “Trakia dhe trakët” (1971) të Aleksandër Folit dhe Ivan Marozovit. Në roman është përshkruar perëndesha trake Bendida. Më erdhi mirë kur vizitova Muzeun e Arteve Figurative në Boston dhe në koleksionin e artefakteve greke e trake gjeta një vaze me pamjen e Bendidës. Siç dihet trakët kanë qenë analfabetë, por nëpërmjet artefakteve mund të mësojmë për zakonet dhe ritet e tyre.”
Një histori dashurie e trakëve të lashtë, folklor bullgar, bile kuzhinë bullgare. Dhe akoma: libri përmban shumë fjalë bullgare dhe trake të cilat qëllimisht nuk janë përkthyer anglisht. Tashmë “Emona mistike” mund të gjendet në tregun e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe. Gjatë muajit tetor romani u prezantua në Universitetin e Bostonit nën moton: “Zërat bullgarë – dashuri, dritë dhe rite”. Aktiviteti u organizua me bashkëpunimin e Qendrës Kulturore “Madara” dhe me pjesëmarrjen e grupit bullgar të folklorit “Ludo mlado” (shq. Të rinjtë kokëkrisur).
Në kopertinën e librit emri i autores është shënuar Ronesa Aveela. Kjo është nofka e përbashkët artistike e dy personave – Anelia Tonçeva dhe Rebeka Karter, shkrimtare dhe redaktore në shtetin amerikan New Hampshire dhe e cila ende nuk e ka vizituar fshatin bullgar Emona. Znj. Karter planifikon të vijë në Bullgari kur të botohet libri bullgarisht. “Emona mistike” është libri i parë i trilogjisë. Libri i dytë pritet të dalë më 2015. Ndërkohë Anelia dhe Rebeka janë duke punuar mbi një libër tjetër kushtuar zakoneve të lashta të trakëve. Libri quhet “Dashuria, drita dhe ritet” dhe në të janë përshkruar detajisht 12 rite të ndryshme. Deri në fund të këtij viti libri pritet të dalë në treg. Imazhi i traditave dhe besimeve të ndryshme bullgare – verore, kërcim mbi zjarr, zana të mira, është tema kryesore në vizatimet e Anelia Tonçevës, e cila ka sjellë një cikël veprash me titullin “Emona mistike”. Cikli shoqëruar nga një ekspozitë pritet të prezantohet në Ambasadën Bullgare në Nju-Jork gjatë muajit dhjetor si dhe në Institutin e Kulturës Bullgare në Londër në mes të vitit të ardhshëm. Në Internet mund të shihni paraqitjen e shkurtër video të librit. Muzika është e bullgarit Aleks Stojanov, i cili jeton në Boston.
Përgatiti në shqip: Anna Kapitanova
Fotografitë janë të ofruara nga Anelia Tonçeva
Modë që nuk vishet, por të frymëzon. Fustane të bukura, por jo prej dantelle apo mëndafshi, por prej metali. Skulpturat e krijuesit Zivko Sedlarski janë në pronësi të muzeve, galerive dhe koleksioneve private në 3 kontinente, duke i dhënë atij..
Në Varna hapet Festivali i 42-të i Filmit Artistik Bullgar "Trëndafili i Artë". Në programin konkurrues do të konkurrojnë 15 filma artistikë, 20 filma të shkurtër dhe 5 filma me seri. Hapja është mbrëmjen e 19 shtatorit në Qendrën e Festivalit dhe..
Kultura bullgare dhe traditat vendase, të cilat deri vonë dukeshin ekzotike për pjesën tjetër të botës, gradualisht po bëhen pjesë e kulturës botërore të shekullit të 21-të. Pasi ljutenica jonë dhe byreku ynë tradicional u përkufizuan si një..