Mungesa e punës, konfliktet në familje, ose mashtrimet me pronësinë e patundshme – këto janë shkaqet më të shpeshta, për të cilat disa njerëz në Bullgari mbeten pa shtëpi. Një pjesë jo e vogël prej tyre janë njerëz nga provinca, të cilët kanë ardhur në qytetin e madh me shpresën për një jetë më të mirë. “Për fat të keq gjithnjë e më shumë të rinj mbeten në rrugë” – komenton për Radio Bullgarinë Mina Vlladimirova, drejtoresha e “Veprimtarive Sociale” pranë Bashkisë së Kryeqytetit. Në fakt, çdo një prej nesh mund të gjendet në një situatë të tillë. Disa prej të pastrehuarve janë njerëz me arsim të lartë. I tillë është rasti i një burri 74 vjeç, me të cilin u takuam para pak kohe në rrugë, në një mëngjes të ftohtë dimri, afër Qendrës së Krizës për Vendosje të të Pastrehëve. “Nuk do t’ju them se kush jam unë, sepse jam njeri i njohur. Kam punuar gjatë tërë jetës sime në lëmin e kulturës”, na thotë ai.
Çfarë është fati i këtyre njerëzve gjatë ditëve të ftohta të dimrit?
Aktualisht në territorin e Sofjes funksionojnë dy qendra për vendosje të të pastrehëve. Ato financohen nga buxheti i bashkive, kurse qëllimi është që në mbrëmjet më të ftohta dimërore atje të vendosen kryeqytetasit pa shtëpi. Përveç strehimit, në këto qendra ata marrin ushqim të ngrohtë, rroba dhe po të ketë nevojë konsultime me punonjës socialë, ose me psikologë. Spitalet bashkiake gjithashtu kujdesen për të pastrehuarit, të cilët kanë probleme shëndetësore. “U hapën qendra të tilla, sepse vendosja atje është shumë e shpejtë dhe pa procedura të gjata. Mjafton që personi i pastrehuar të paraqesë një dokument identifikimi” –shpjegon zonja Vlladimirova. Në këto qendra njerëzit mund të mbeten nga ora 18 e mbrëmjes deri në orën 10 të mëngjesit të së nesërmes dhe pastaj përsëri dalin në rrugë.
“Jam në rrugë, kur temperatura është minus 20 gradë Celisus. Jam i shëndetshëm dhe acari nuk më tremb” – na thotë njeriu i moshuar. Ai na tregoi gjithashtu se fisi i tij është nga Sofja dhe është pensionist. Mirëpo, pensioni është i vogël dhe mbijetesa është e vështirë. Pyetjes a mund të shpresojë tek ndihma e të afërmve, ai na u përgjigj kështu: “Çdonjëri i ka problemet e veta. Jeta është e ashpër.” Tashmë disa muaj ky njeri është i pastrehë dhe gjatë ditëve të ftohta dimërore kërkon ndihmë në qendrën e krizës. Sa për shkaqet, të cilat e kanë katandisur në këtë gjendje të rëndë, ai është lakonik: “Faji është i vetë njeriut. Nuk janë fajtorë të tjerët. Këtu më ndihmojnë. Më japin ushqim të ngrohtë, byrek të shijshëm, çaj dhe mund të kaloj këtu natën. Kjo është një qendër humane. Punonjësit këtu na ndihmojnë, sipas mundësive të tyre, sepse resursi është i kufizuar.”
Përveç se njerëzit vijnë këtu, që të kërkojnë ndihmë, ka edhe ekipe mobile, të cilat në ditët më të ftohta lëvizin në rrugët e kryeqytetit. “Një pjesë jo e vogël e të pastrehëve e konsiderojnë rrugën si shtëpi të tyre dhe nganjëherë nuk duan të vendosen në qendër” – shpjegon zonja Vlladimirova. Në raste të tilla ekipi u jep atyre çaj dhe ushqim të ngrohtë, i konsulton, duke u sqaruar se çfarë janë mundësitë e tyre për të marrë përkrahje. Dimrin e kaluar kanë kërkuar ndihmë 500 njerëz të pastrehë.
“Një pjesë prej tyre janë vendosur në qendra të tjera sociale – në azile, ose në institucione për njerëz me çrregullime – thotë Mina Vlladimirova. – Këtë dimër kemi regjistruar rreth 350 të pastrehë. Shpresojmë se me ndihmën tonë ata do të marrin përkrahjen e përshtatshme, do të mund të gjejnë punë dhe do të arrijnë të kthehen te mënyra normale e jetesës. Hapëm dhe një kuzhinë për të varfrit. Me ndihmën e disa bamirësve 1350 veta, përfshi këtu dhe të pastrehuarit, marrin çdo ditë pune drekë të ngrohtë. Përveç kësaj me përkrahjen e fondacionit “Misioni pa Kufij” çdo ditë në drekë jepen falas rreth 200 porcione për të pastrehët në territorin e Sofjes. Kryeqyteti i Bashkisë shfrytëzon mundësi të ndryshme në përkrahje të njerëzve nevojtarë.”
Burri 74 vjeç gjithashtu ka përfituar nga mundësia për t’u vendosur në një azil dhe ka parashtruar dokumentet përkatëse. Megjithatë nuk është optimist: “Është një procedurë shumë e rëndë. Derisa të vendoseni atje, do të vdisni”.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Qyteti bregdetar Çernomorec shënon festën e tij në Ditën e Shën Nikollës Çudibërësit. Shën Nikolla nderohet si shenjtor mbrojtës i peshkatarëve dhe marinarëve. Çdo vit në këtë datë organizohet një procesion litik me ikonën mrekullibërëse të Shën..
Sheshi i akullit më i madh në Gadishullin Ballkanik “Ice Park” ndodhet në Sofje. Parku i akullit i sapohapur zë një sipërfaqe totale prej 11,000 metrash katrorë, me një fushë akulli prej 4,000 metrash katrorë. Tre sheshe patinazhi të mëdha janë të lidhura..
Lidhur me miratimin të mërkurën e kaluar të përbërjes së re të Komisionit Evropian, i cili zyrtarisht mori detyrën para disa ditësh, iu kushtua më pak vëmendje një ngjarjeje tjetër të rëndësishme të së njëjtës ditë - miratimit të buxhetit të Bashkimit..
Jeta e miliona njerëzve anembanë botës, që jetojnë në kushte lufte, urie, sëmundjesh dhe dëshpërimi të pamasë, është në rrezik çdo ditë. Emigrantëve nga..
Më shumë se 1000 njerëz janë përfshirë në fazën pilot të projektit “Gjenomi i Bullgarisë”, i cili synon të mbledhë dhe analizojë një mostër përfaqësuese të..
Me afrimin e dimrit, shumë njerëz në Evropë po pyesin se si do të ndikojë sezoni në portofolin e tyre dhe nëse do të detyrohen të zgjedhin, për shembull,..