Pas një përgatitjeje katërvjeçare, këtë pranverë në muzeun “Luvri” në Paris do të paraqiten artefakte nga qytetërimi i lashtë i trakëve, të gjetura në trojet bullgare. Në thelbin e ekspozitës “Epopeja e Mbretërve Trakë”, e cila do të mund të shihet nga data 14 prill deri më 20 korrik 2015, janë zbulimet e fundit arkeologjike në varrezën e mbretit trak “Sevt III”. Ky ndoshta është aktiviteti me rëndësi më të madhe i Bullgarisë në Francë pas Ekspozitës Universale në Paris në vitin 1900”, deklaroi para gazetarëve ambasadori francez në Sofje Ksavie djo Kaban.
Për muzeun më të madh në botë “Luvri”, është një krenari e madhe të paraqesë para botës qytetërimin trak, shton ai. Rëndësia e ekspozitës ripohohet nga fakti se nga të gjitha ekspozitat e përgatitura nga drejtori i mëparshëm i muzeut, trashëgimtari i tij Zhan Ljuk Martinez do të realizojë vetëm dy dhe njëra prej tyre është pikërisht ajo me thesaret trake, vë në dukje ambasadori francez te ne.
Sipas atasheut të kulturës të ambasadës David Vejsman, shkencëtarët tani për tani kanë zbuluar vetëm 10 për qind prej sekreteve të trakëve të lashtë në trojet tona.
“Tashmë disa vjet po zhvillohen studime për lidhjet e trakëve me Egjiptin e lashtë për shembull, sepse lidhje të tilla eksitojnë, vë në dukje zoti Vejsman. Sot tashmë përdoret teknikë satelitore për studimin e kodrave trake dhe ne e dimë se afro 90 për qind e objekteve ende nuk janë gërmuar. Një prej vendeve interesante, të cilat do të gërmohet, vazhdon të jetë Apolonia e lashtë afër qytetit Sozopoll”, është i mendimit zoti Vejsman.
Nga ana e vet “Luvri” gjithashtu do të paraqitet në Bullgari me dy ekspozita.
“Në Sofje do të paraqitet thesari i lashtë romak i Boskoreales, bëri të ditur ambasadori francez, kurse në Plovdiv do të dërgohen eksponate nga arti i Egjiptit të lashtë. Por kulmi do të jetë ekspozita “Satirikon” me gravura të Andre Derenit. Ato do të ekspozohen në muzetë në Kazanllëk, Vraca, Burgas, Varna, të cilat paraqitin vepra të tyre në ekspozitën kushtuar trakëve në muzeun “Luvri”.
Paraqitja e thesareve trake në Paris do të shoqërohet me organizimin e një stine kulturore të Bullgarisë me ekspozita, koncerte, një festival kinematografik. Parashikohet që gjatë muajit mars të zhvillohet një seminar me ekspertë nga Livri për të rejat e fundit në fushën e restaurimit, kurse gjatë qershorit do të mbahet një kolokium ndërkombëtar i trakologjisë, kushtuar zbulimeve arkeologjike në Bullgari. Do ta përdorim këtë shkas për të organizuar në Paris dhe një takim biznesi midis ndërmarrjeve franceze dhe atyre bullgare, shtoi ambasadori Djo Kaban.
Mirëpo, për të gjitha këto aktivitete ka nevojë për rreth 900 mijë euro. Tani për tani pala franceze ka siguruar rreth 2/3 prej tyre. Pritet që 300 mijë eurot e tjera, të cilat janë destinuar për restaurimin e eksponateve arkeologjike, të sigurohen nga firma sponsore dhe nga bamirës individualë. Për këtë qëllim u krijua një sajt www.restavriramezaedno.bg. Në afishen e fushatës bamirëse është paraqitur një gjunjëse e bukur e argjendtë e praruar nga Muzeu i Vracës, një prej 1628 antikeve të jashtëzakonshme, të cilat do të paraqiten në muzeun “Luvri”. 220 pllakate të mëdha do të reklamojnë ekspozitën në Metronë e Parisit. Sipas ambasadorit francez ky aktivitet mund të shfrytëzohet nga autoritetet bullgare për organizimin e një fushate, e cila ta reklamojë vendin tonë, sepse “për Bullgarinë nuk dihet shumë në Francë, kurse në të njëjtën kohë ka se çfarë të tregoni” – është i mendimit zoti Djo Kaban.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Fotografi: arkiv
Për herë të 32-të, Festivali i Fëmijëve për Pashkë do të bashkojë fëmijë bullgarë nga vende të ndryshme në qytetin serb të Bosilegradit, në mënyrë që ata jo vetëm të tregojnë mjeshtërinë e tyre në përgatitjen e vezëve më të bukura dhe origjinale të..
Përdorimi i formave të respektit që tregojnë fillimin, zhvillimin dhe përfundimin e komunikimit tek bullgarët e Shqipërisë janë objekt analize në punën e Dr. Miranda Bello, lektore e gjuhës bullgare në Universitetin e Tiranës. Ajo e mblodhi..
Vitet e fundit është forcuar bashkëpunimi mes kinemasë bullgare dhe asaj shqiptare. Prodhimet shqiptare gjithnjë e më shumë po gjejnë vend në festivalet bullgare dhe anasjelltas. Kjo tregon ndërveprimin artistik në rritje mes dy vendeve tona, i cili..