Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Çlirimi i dha Bullgarisë mundësi për t’u nisur në rrugën evropiane të zhvillimit

БНР Новини
“Beteja për majën Shipka”, piktor Dimitër Gjuxhenov
Foto: arkiv

Për ne, bullgarët, festa kombëtare 3 marsi, është Dita e Çlirimit. Kjo ditë vjen pas pesë shekujsh të zgjedhës pesëshekullore turke, pas një ringjalljeje të gjatë shpirtërore dhe luftërave të rënda nacionalçlirimtare. Maja e këtyre luftërave është Kryengritja e Prillit që nga viti 1876. Kryengritja nuk është një akt i izoluar, ajo është pjesë e krizës së radhës në Evropën Juglindore, e cila shpërtheu gjatë vitit 1875 me kryengritjen në Bosnjë e Hercegovinë. Pse revolucionarët tanë kanë vendosur se pikërisht atëherë ka ardhur koha e kryengritjes edhe në trojet bullgare? Ju ofrojmë intervistën me doktor Dimitër Hristov nga Instituti për Studimet Historike pranë Akademisë Bullgare të Shkencave:

“Para se gjithash revolucionarët tanë ishin të qartë se për një kryengritje më të suksesshme forcat bullgare nuk do të ishin të mjaftueshme. Dhe për këtë shkak ata shpresonin te një moment i përshtatshëm. Ky moment duhej të kishte lidhje me veprimet jashtë, të cilat, siç ishte në rastin lidhur me kryengritjen në Bosnjë e Hercegovinë, do të mund t’i angazhonin pjesërisht forcat turke atje dhe ta lehtësonin lëvizjen çlirimtare në trojet tona.”

Si ndikoi Kryengritja e Prillit në shtypin evropian, cilat ngjarje çuan në përkrahjen e madhe të kauzës bullgare?

“Momenti më i fuqishëm, i cili e tronditi komunitetin ndërkombëtar, është dhuna e madhe gjatë shuarjes së kryengritjes në Batak dhe Perushtica. Por shumica e publikimeve në këtë moment i ishin kushtuar veprës së Hristo Botevit – poetit dhe revolucionarit, i cili bashkë me çetën e tij arriti ta pushtojë anijen austro-hungareze “Radecki”, që të përfshihet në kryengritje. Ka dhe një ngjarje tjetër, që nuk është shumë e njohur, por gjithashtu e tronditi Evropën Perëndimore – kjo është vrasja e dy diplomatëve në Selanik. Konsulli i Gjermanisë dhe Konsulli i Francës përpiqeshin t’i mbronin të krishterët në një moment, kur një turmë e ekzaltuar myslimanësh në qytetin bregdetar i sulmoi dhe ata u bënë viktimë e kësaj turme të ekzaltuar. Fuqitë evropiane nga ana e vet nuk mund të mbeteshin indiferentë ndaj këtij akti të tmerrshëm.”

Çfarë ishte qëndrimi i Fuqive të Mëdha ndaj fillimit të luftës për Çlirimin e Bullgarisë?

“Epoka ishte e tillë se politika ndërkombëtare zhvillohej në një sistem të marrëdhënieve të vështira midis disa Fuqive të Mëdha, çdo një prej të cilave i kishte interesat e veta. Dhe situata të tilla, si për shembull çështja lidhur me Çlirimin e Bullgarisë, ishin lidhur jo vetëm me dëshirën tonë si bullgarë, por edhe me marrëdhëniet e ndërlikuara midis Fuqive të Mëdha. Në vend të parë kishte prova për t’u zgjidhur disa çështje në mënyrë diplomatike. Prandaj u thirr Konferenca e Ambasadorëve në Stamboll në fund të vitit 1876. Por si rezultat i veprimeve të Perandorisë Osmane, të cilën deri diku e përkrahte diplomacia britanike, kjo provë nuk u realizua. Kështu tashmë u bë e qartë se i vetmi vendim do të ishte lufta çlirimtare, luftë kjo që mund ta fillonte Rusia. Kjo luftë do të ishte në mbrojtje të vëllezërve të robëruar sllavë dhe të të krishterëve ortodoksë, kurse për Rusinë kjo luftë do të ishte dhe njëfarë revanshi për Luftën e humbur të Krimeas.”

Cilat janë kombësitë që morën pjesë në ushtrinë ruse në Luftën Çlirimtare?

“Praktikisht numri i kombësive ishte shumë i madh. Në kuadrin e Perandorisë Ruse kishte dy mbretëri të veçanta – Mbretërinë e Finlandës dhe Mbretërinë e Polonisë. Ushtritë polake nuk merrnin pjesë, por kishte oficerë polakë në përbërjen e Shtabit të përgjithshëm rus, të cilat gjithashtu kontribuuan për Çlirimin tonë. Shumë e madhe ishte përqindja e trupave finlandeze në veprimet çlirimtare, sidomos te Pleveni. Kishte gjithashtu shumë pjesëmarrës nga popujt baltikë. Në Shtabin Rus kishte shumë oficerë dhe gjeneralë me emra gjermanë. Por në përgjithësi, kuptohet, shumica e luftëtarëve, sidomos sa u përket ushtarëve, ishin rusë. Në luftë morën pjesë edhe forca të armatosura rumune, serbe dhe malazeze.”

Si u paraqitën bullgarët gjatë Luftës Çlirimtare?

“Në një mënyrë shumë të denjë. Patriotët bullgarë në këtë moment ishin të qartë se ky ishte shansi i tyre i vetëm për çlirimin e popullit. Aktualisht ne nuk disponojmë mjaftë informacion për numrin e vullnetarëve, sepse në fakt numri i të regjistruarve nuk është real, në fakt ka pasur më shumë vullnetarë. Të paharrueshme janë veprimet e vullnetarëve bullgarë nën majën Shipka gjatë betejave verën. Bullgarët kanë ndihmuar shumë edhe në veprimtarinë hetimore. Jashtëzakonisht i rëndësishëm është roli i tyre dhe gjatë sulmit dimëror te mali Stara Pllanina.”

Më 3 mars të vitit 1878 në San Stefano afër Stambollit u nënshkrua një traktat paqeje, që parashikonte që në kufijtë e shtetit bullgar të përfshiheshin troje të populluara kryesisht me bullgarë. Mirëpo, disa muaj më vonë Kongresi i Berlinit i Fuqive të Mëdha i shkëputi trojet bullgare. Bullgaria Veriore dhe Qarku i Sofjes u përfshinë në Principatën Bullgare. Trojet në jug të malit Stara Pllanina u bënë provincë autonome në kuadrin e Perandorisë Osmane me emrin Rumelia Lindore. Trojet në Maqedoni dhe në Trakinë e Edrenesë u kthyen nën pushtetin e drejtpërdrejtë të sulltanit. Kështu bashkimi kombëtar u bë një kauzë e shoqërisë bullgare. Hapi i parë në këtë drejtim ishte Bashkimi i Principatës Bullgare dhe i Rumelisë Lindore në vitin 1885. Gjatë shekullit në vazhdim vendi ynë u përfshi në disa luftëra në emër të kësaj kauze. Ajo kishte suksese, përjetoi dhe katastrofa. Mirëpo, Çlirimi i dha mundësi Bullgarisë për t’u nisur në rrugën e saj evropiane të zhvillimit.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

"Bota e Trakëve" është një park për adhuruesit e trashëgimisë antike

Në Luginën e Mbretërve të Trakisë, nën fshatin Shipka, ku ndodhen varret më të rëndësishme të sundimtarëve të shtetit të odriseve , Bashkia Kazanllëk hapi parkun tematik "Bota e Trakëve". Qendra turistike u ofron adhuruesve të historisë dhe..

botuar më 24-07-07 10.30.PD

Heraklea Sintika shpërbleu arkeologët me një zbulim të ri të rëndësishëm

Në qytetin antik të Heraklea Sintika, u zbulua një statujë dy metra shumë e ruajtur me kokë. Është bërë nga një mjeshtër që përdori një bllok të tërë mermeri në shekullin II pas Krishtit, kur kjo praktikë ishte tashmë arkaike. Tipi ikonografik është i..

botuar më 24-07-05 10.46.PD
Patriku Daniill

Bullgaria iu lut Zotit për patrikun e saj

Në Ditën e të Gjithë Shenjtorëve, kur Kisha jonë Ortodokse përkujton Koncilin e 12 Apostujve dhe kujtimin e të gjithë martirëve dhe rrëfimtarëve të njohur dhe të panjohur të Krishtit, besimtarët në Bullgari u shpërblyen për besimin e tyre. Mezi ka më..

botuar më 24-07-02 2.42.MD