Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Qielli nuk përbën kufi

БНР Новини
Foto: BGNES

Përvjetori i 100 i fillimit të ndërtimit të aeroplanëve në Bullgari u bë rast për zhvillimin e “Ditës së Profesioneve Ajrore” në Klubin e Aviacionit me ekspozitën muzeore, i cili ndodhet në Aeroportin e Sofjes (Terminali 1). Profesionet u paraqitën nga Asociacioni i Avio-Kompanive, Aeroporti “Sofja”, Kolegji i Transportit Ajror pranë Institutit të Transportit Ajror, Drejtoria Kryesore “Administrata Ajrore Civile”, disa pilotë të shquar, avio-inxhinierë dhe avio-teknikë, stjuardesa, veteranë. Morën pjesë mbi 150 nxënës dhe disa shkolla të kryeqytetit.

Për disa njerëz qielli përbën një kufi, por për disa të tjerë nuk është kështu. Për pilotin me stazh të gjatë pune Ivan, takimi me qiellin është diçka e zakonshme. Ai na tregoi se profesioni i pilotit nuk është i lehtë dhe frika nga fluturimi gjithmonë është e pranishme në zemrën e njeriut. Shumica e njerëzve mendojnë se për pilotët kjo është rutinë, por në fakt nuk është kështu. Ai e krahasoi fluturimin me rilindjen. Kjo është një pikëpamje e ndryshme. Çdo një herë kur aeroplani fluturon mbi re, ai sheh një dritë të re, një rrugë të re, një botë të re. Sipas fjalëve të tij ky është një profesion frymëzues. Një pjesë e kolegëve të tij, gjithashtu pilotë me përvojë shumëvjeçare, na treguan se pse e kanë zgjedhur pikërisht këtë punë. Përgjigja ishte një – dinamika. Mirëpo, në të njëjtën kohë ka edhe shumë minuse – grafik i parregulluar, më pak kohë për familjen, përgjegjësi për jetën e kaq shumë njerëzve. Në të kaluarën trajnimi paguhej krejtësisht nga shteti, por tani kërkohen mjete të konsiderueshme financiare. Prapëseprapë profesioni është shumë interesant dhe tërheq njerëzit, të cilët e ndiejnë këtë si fat të tyre. Vetë trajnimi vazhdon vite me radhë dhe duhet të kalosh mjaftë orë në simulatorët modernë, para se të realizohet fluturimi i parë i çdo një kandidat-piloti. Ka një rregull të pashkruar: në qoftë se i ati është pilot, biri gjithashtu do të jetë pilot. Në fakt pyetjes “pse e zgjodhët këtë profesion?” të gjithë u argumentuan në këtë mënyrë. Ata nënvizuan gjithashtu se nuk ka dy fluturime të njëjta, çdo një herë duhet të jesh i përgatitur për përjetime të reja dhe çdo një herë mëson diçka të re dhe të dobishme.

СнимкаTerritori i Bullgarisë është i vogël, por si në shumë fusha të tjera, ashtu edhe në aviacion vendi ynë ka kontribuuar shumë. Asen Jordanov (1896 – 1967) është një eksplorues bullgar, inxhinier dhe aviator me famë botërore. Jordanov konsiderohet si themeluesi i avio-inxhinierisë në Bullgari dhe ka një kontribut të konsiderueshëm në zhvillimin e aviacionit amerikan. Si fëmijë ai ka bërë me kënaqësi të madhe balona. Gjatë Luftës Ballkanike Asen Jordanov u nis si vullnetar në front dhe filloi punë si mekanik në repartin e aeroplanëve afër Svilengardit. Ai vazhdoi të punojë mbi ndërtimin e avionit të parë bullgar “Ekspres”, të quajtur më vonë “Jordanov 1” dhe të mbaruar gjatë verës së vitit 1915. Kështu u vu fillimi i ndërtimit të aeroplanëve në Bullgari. Në vitin 1925 u krijua Punishtja Shtetërore e Aeroplanëve në aeroportin Bozhurishte.

Piloti i parë i diplomuar bullgar është Simeon Petrov. Ai është i pari, i cili fluturoi mbi Bullgari. Simeon Petrov vuri fillimin e fluturimit të natës në Francë dhe u bë aviatori i parë në historinë botërore, i cili u ul me një aeroplan me motor të dëmtuar. Prova e tij dhe rekordet e tij në lëmin e aviacionit përdoren në përpunimin e avio-programeve të shkollave kryesore botërore të aviacionit. Atij i është kushtuar libri biografik “Simeon Petrov – i pari ndër shqiponjat”.

Në vitin 1892 në Panairin Ndërkombëtar në Plovdiv dy togerë të Ushtrisë Bullgare fluturuan me aerostatin e drejtuar të Francës “La France”. Të frymëzuar nga fluturimi, ata e bindën komandën se Bullgaria ka nevojë për një hallkë ajrore dhe kjo vuri fillimin e forcave ushtarako-ajrore bullgare. Më 20 prill 1906 u krijua “Reparti Ajror”. Brezi i parë i pilotëve bullgarë trajnonte në një aerostat të drejtuar, të quajtur “Sofja – 1”.

Avioni i parë bullgar “Jordanov 1”Forcat ushtarako-ajrore të Bullgarisë, që morën pjesë në Luftën Ballkanike, në Luftën e Parë dhe në Luftën e Dytë Botërore, edhe sot e kësaj dite e mirëmbajnë shpirtin dhe traditat e aviacionit bullgar. Dimitër Spisarevski mbeti për gjithmonë në histori me veprën e tij trimëruese, për të cilën mori nofkën “torpila e gjallë”. Më 20 dhjetor 1943 në kulmin e Luftës së dytë Botërore Sofja u sulmua nga ajri. Mbi kryeqytet u lëshuan 270 bomba. Në betejën e rëndë, duke qenë pa municione, Sipsarevski e drejtoi gjuajtësin e tij, duke goditur aeroplanin e bombardimit të rivalit, i cili u nda në dy pjesë dhe u zbërthye në ajër.

Në periudhën 6 prill 1941 – 1 shtator 1944 Sofja dhe qytetet më të mëdha të Bullgarisë ishin sulmuar nga ajri shumë herë me gjithsej rreth 2.500 gjuajtës dhe aeroplanë bombardimi. Kundër tyre kishte vetëm  80 aeroplanë bullgarë dhe 30 aeroplanë gjuajtës gjermanë, u bombarduan 168 vendbanime me mbi 45 268 bomba. Vetëm në Sofje u asgjësuan 12 657 godina, kurse shumë të tjera u dëmtuan. U vranë, u zhdukën dhe vdiqën si rrjedhim i bombardimeve 4208 veta dhe u plagosën rëndë 4744 veta të tjera. Pilotët e vrarë janë gjithsej 22, kurse ata gjermanë – të paktën një.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Çfarë parashikon buxheti i BE-së për vitin 2025

Lidhur me miratimin të mërkurën e kaluar të përbërjes së re të Komisionit Evropian, i cili zyrtarisht mori detyrën para disa ditësh, iu kushtua më pak vëmendje një ngjarjeje tjetër të rëndësishme të së njëjtës ditë - miratimit të buxhetit të Bashkimit..

botuar më 24-12-04 2.50.MD

Nxënës bullgarë janë të parët në një konkurs evropian të së drejtës ndërkombëtare

Ekipi i shkollës së mesme të dytë angleze në Sofje “Thomas Xhefersën” fitoi Konkursin e Gjashtë Evropian të Drejtësisë për nxënës, i cili u mbajt në Rumani, njoftoi Ministria e Arsimit. Në konkurs, nxënësit bëjnë një simulim të procesit gjyqësor mbi..

botuar më 24-12-03 12.41.MD

Dita e Antarktidës shënohet në Universitetin e Sofjes “Shën Kliment Ohridski”

Qendra Kombëtare për Kërkime Polare dhe Instituti Bullgar i Antarktidës organizojnë një takim ndërkombëtar me rastin e Ditës së Antarktidës. Më 3 dhjetor shënohen 65 vjet nga nënshkrimi i Traktatit të Antarktidës. Veprimtaria, që do të mbahet në..

botuar më 24-12-03 6.30.PD