Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2026 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Frederik Galtie: Edicioni i Concours Mondial de Bruxelles në Plovdiv ishte një prej më të fuqishmeve në historinë tonë

Nga 29 prilli deri më 1 maj në Plovdiv u zhvillua edicioni i 23 i Concours Mondial de Bruxelles, ku verërat bullgare nga gjithsej 70 kantina fituan 109 medalje. 47 prej tyre janë të arta, kurse 58 janë të argjendta. Ky është një triumf i vërtetë për Bullgarinë, e cila konkurronte me 51 shtete dhe u radhit në vendin e gjashtë pas Portugalisë, Francës, Spanjës, Italisë dhe Kilit. Degustuesit më të njohur dhe gazetarë nga mbarë bota krahasonin 257 verëra bullgare me afro 9000 verëra nga kantinat më të njohura në botë. Për paraqitjen e verërave bullgare dhe të cilësive të tyre biseduam me Frederik Galtie, PR (shef) i Concours Mondial de Bruxelles, gazetar me përvojë të pasur në sektor dhe njohës i mirë i verërave.

“Desha të them sinqerisht dhe pa tepruar se edicioni i sivjetshëm i Concours Mondial de Bruxelles në Plovdiv ishte një prej më të fuqishmeve në historinë e konkurseve. Ky konkurs është specifik për faktin se udhëton në regjione të ndryshme – prodhuese të verës. Në Evropën Lindore kemi qenë vetëm në Slloveni, jemi në Bullgari për herë të parë. Të gjithë ishim shumë të frymëzuar nga mikpritja dhe organizimi i mrekullueshëm. Zbuluam një vend shumë të rëndësishëm – prodhues të verës, i cili aktualisht është duke përjetuar një revolucion të vërtetë në sektor.”

Cilat varietete bullgare ju bënë përshtypje më të madhe dhe si e shihni të ardhmen e tyre në tregun botëror?

“Çdo varietet e ka specifikën e vet dhe përkatësisht mund ta gjejë vendin e vet. Në këtë kuptim nuk duhet të përpiqemi t’i përgjigjemi gjithmonë logjikës së tregut global. Është me rëndësi që varieteti të jetë autentik. Mua për shembull më pëlqyen varietetet e verërave të kuqe bullgare dhe sidomos Pamidi si Rose. Posaçërisht për verërat bullgare krijuam një “master klasë” të veçantë në konkurs. Pamidi si Rose ngjan shumë me disa varietete nga Provence, si Cinsault, të cilat janë shumë të dobishme për Rose-në. Nga verërat e kuqe, përveç Mavrudit dhe Gamzës, të cilat janë më të njohura, mua më pëlqejnë më shumë varietetet Melnik dhe Rubin. Mirëpo, kuptohet këtej e tutje duhet të zhvillohet komunikimi në tërë vargun, i cili arrin te kategoritë e ndryshme të konsumatorëve.”

Për prodhuesit bullgarë tema lidhur me përhapjen në tregun ndërkombëtar është me rëndësi të madhe. Kurse ky treg ka dy fytyra - të adhuruesve të zakonshëm dhe të njohësve më kritikë, të cilët janë duke kërkuar varietete vendase dhe origjinale. Sipas Frederik Galtie Bullgaria paraqitet shkëlqyeshëm edhe në dy drejtimet:

“Që te kthehem tek tema e tregut, nuk duhet harruar se verërat specifike dhe origjinale kërkohen shumë në treg. Nga njëra anë kemi konsumim në masë të disa varieteteve si Chardonnay dhe Merlot, ku konkurrenca është e madhe në mbarë planetin. Zakonisht konsumatorët bëhen adhurues të verës, duke preferuar së pari verërat më të njohura, por pas kësaj fillojnë të kërkojnë varietete më origjinale. Nga ana tjetër mendoj se vetëm me varietetet autentike vendase mund ta tërheqim konsumatorin ndaj ndonjë vere të veçantë dhe në këtë drejtim Bullgaria ka një potencial të madh.”

Frederik Galtie, i cili ka ardhur në Bullgari në fund të viteve 90, është shumë i mahnitur nga zhvillimi i vendit tonë gjatë viteve të fundit. Ai mendon se vera bullgare po vendoset edhe në sektorin e varieteteve më të konsumuara.”

Parimisht kudo në tregun botëror ka interes të forcuar ndaj varieteteve autentike. Sipas ekspertit Bullgaria tashmë është një hap përpara si sa i përket cilësisë, ashtu dhe sa i përket shumëllojshmërisë së varieteteve vendase. Filozofia e Concours Mondial de Bruxelles është që ai të jetë ndër konkurset e para – zbuluese të verës autentike dhe origjinale. “Verërat bullgare u paraqitën shkëlqyeshëm. Këtej e tutje gjithçka është çështje kohe dhe pune të pandërprerë. Duhet të keni sedër!” – tha në përfundim Frederik Galtie.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

Fotografitë janë nga arkivi i konkursit

Më shumë nga rubrika

Magdalena Stojanova

Vizatimi i një vajze bullgare u vlerësua në një konkurs botëror për shëndet dhe art

Shtatëvjeçarja Magdalena Stojanova nga Shkolla e Artit “Kolorit” në Pleven fitoi medaljen e artë dhe çmimin e Konkursit Ndërkombëtar për vizatim fëmijësh “Shëndeti 2025”. Ceremonia e ndarjes së çmimeve u zhvillua në Sao Paulo, Brazil, në kuadër të..

botuar më 25-11-10 11.21.PD
Brijë e bardhë

Dy pemë shekullore, 200-vjeçare, u shpallën të mbrojtura

Ministri i Mjedisit dhe Ujërave, Manoll Genov, shpalli të mbrojtura dy pemë shekullore, secila me moshë rreth 200 vjet, njoftuan nga institucioni. Njëra është e llojit brijë e bardhë (Ulmus laevis) me perimetër trungu 4,00 m dhe lartësi rreth 24..

botuar më 25-11-09 7.00.PD

Kontrolle falas në fushën e mjekësisë riprodhuese në Korçë

Shqipëria dhe Bullgaria i kanë zgjatur dorën njëra-tjetrës në emër të lindjes së një jete të re. Në mbrëmjen e 7 nëntorit nisën për herë të parë kontrollet falas parandaluese në fushën e mjekësisë riprodhuese, të kryera nga specialistë bullgarë në qytetin..

botuar më 25-11-08 5.05.MD