Firma e përbashkët Oberthur Fiduciaire SHA e Bankës Popullore Bullgare dhe kompanisë franceze Oberthur Fiduciaire SAS mori nga Banka Qendrore Evropiane leje për emetimin e kartëmonedhave euro. Mirëpo kjo nuk do të thotë se që nga nesër makinat e shtypshkronjës moderne të bankës sonë do të fillojnë të emetojnë euro. Kjo do të thotë se shtypshkronja në fjalë do të mund të konkurrohet për prokurimet publike të Bankës Qendrore Evropiane.
Ky lajm ka aspekte të ndryshme. Nga pikëpamja e teknologjive, kjo është një njohje për këtë se në Bullgari ka një shtypshkronjë, e cila u përgjigjet kërkesave më të larta të Bankës Qendrore Evropiane për cilësinë e kartëmonedhave. Kjo është prestigjioze dhe Banka Popullore Bullgare e ka të drejtën të lëvdohet. Nga pikëpamja e sigurisë, lajmi gjithashtu është i mirë. Certifikata tregon se Bullgaria mund t’i respektojë kërkesat më të ashpra për siguri në emetimin e parave. Dhe gjërat pozitive janë kaq. Këtu vjen pyetja: Në se mund të emetojmë euro, a mund ta pranojmë atë si valutë kombëtare dhe a mund rrogat tona të bëhen evropiane?
Përgjigja nuk është e lehtë dhe e thjeshtë. Sepse pavarësisht se kartëmonedhat evropiane do të mund të prodhohen në Bullgari, valuta e përbashkët mbetet një perspektivë e largët dhe e paqartë. Edhe Bullgaria edhe Eurozona nuk bëjnë hapa konkretë për pranimin e valutës evropiane në shtet. Në fakt Bullgaria tashmë ka bërë shumë në këtë drejtim – gjëja e parë dhe më e rëndësishme është vendosja e një raporti të këmbimit të fiksuar, më parë ndaj markës gjermane e pastaj ndaj euros. Në fakt kjo do të thotë se çdo ditë një euro këmbehet për dy leva. Për pagimet që kryhen në shtet euroja pranohet kudo – për shitblerje më të mëdha mes firmave, për kontrata të lidhura me prona të ndryshme – të tundshme dhe të patundshme. Mirëpo në dyqan euroja nuk mund të përdoret.
Nga pikëpamja formale implementimi i euros në Bullgari nuk duhet të jetë problematik. Bullgaria u përgjigjet pothuaj të gjitha kritereve të Maastricht-it për aderim në Eurozonë. Mbeten akoma ca detaje bankare, të cilat mund të sqarohen në ERM2 – kjo është ashtuquajtura dhomë pritjeje për aderim në Eurozonë. Praktika e deritanishme tregon se atje shtetet kandidate qëndrojnë rreth dy vjetësh. Dhe kjo periudhë kohore është e mjaftueshme për sinkronizim të plotë të sistemit bankar dhe financiar bullgar me atë të Eurozonës.
Mirëpo faktet janë pak të ndryshme. Në vend të parë duhet thënë se Eurozona bëhet gjithnjë e më e mbyllur dhe jomikpritëse. Po flitet bile për institucionalizimin e saj në një bërthamë, apo në një Bashkim të vogël Evropian me rregulla dhe të drejta të veta. Bile në se nuk formohet ky Bashkim Evropian 2, është e dukshme se në të ardhmen e afërt nuk do të lejohet aderimi i anëtarëve të rinj, të mos flasim për mundësinë që kjo anëtare e re të jetë pikërisht Bullgaria, e cila akuzohet vazhdimisht për mungesën e drejtësisë, për situatën e rëndë të korrupsionit dhe pozitat e forta të kriminalitetit të organizuar. Një provë për qëndrimin e përmbajtur të BE-së ndaj Bullgarisë (po të përdorim gjuhën diplomatike) është mospranimi ynë në Zonën Shengen, pavarësisht se kemi plotësuar të gjitha kriteret e shkruara për anëtarësi në zonën për lëvizje të lirë të njerëzve.
E gjithë kjo tregon se nga pikëpamja gjeografike, politike dhe ekonomike Bullgaria mbetet periferike për Bashkimin Evropian dhe askush nuk interesohet për problemet tona të brendshme. Prandaj me siguri nuk mund të mendojmë se pasi fillon të emetojë kartëmonedha euro, Banka Popullore Bullgare do të afrohet pranë klubeve të mbyllura “Shengen” dhe “Eurozonë”.
Përgatiti në shqip: Jordanka Ivanova
Në 15 vjet - nga 2005 deri në 2020, 75% e ekonomive bujqësore në vend janë zhdukur . Zvogëlimi është nga 500 000 në vitin 2005 në 132 000 deri në vitin 2020, njoftoi Prof. Dr. Bozhidar Ivanov - drejtor i Institutit të Ekonomisë Agrare, në kuadër..
Vetëm për 9 muajt e parë të vitit 2024, Banka Kombëtare Bullgare nxori në qarkullim në vend rreth 11 milionë kartëmonedha të reja nga 100 leva. Nëse në fillim të vitit kishte më shumë se 131 milionë monedha në qarkullim, në fund të shtatorit ato ishin..
Tregu i pasurive të paluajtshme në Bullgari “ngriu” në nivelet e vitit të kaluar. Sipas të dhënave të Shoqatës Kombëtare të Pasurive të Paluajtshme, të cituara nga BTA, përjashtim bëjnë qytetet e mëdha, ku ka një rritje të numrit të transaksioneve...