Në raportin për Ballkanin Perëndimor Komisioni Evropian bëri rekomandime për fillimin e bisedimeve me Maqedoninë dhe Shqipërinë për aderimin e tyre. Vendimi përfundimtar sa i përket kësaj çështjeje pritet më vonë këtë vit, por vetë rekomandimi është një hap i rëndësishëm drejt realizimit të ambicies për aderimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Bashkimi tashmë po zhvillon bisedime për anëtarësim me Serbinë dhe Malin e Zi, por pasi i fillon këto bisedime me Maqedoninë dhe Shqipërinë, në regjion do të mbeten vetëm dy nga gjithsej gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, të cilat nuk do të jenë në proces aderimi – Kosova dhe Bosnja e Hercegovina.
KE-ja shpalli rekomandimin e vet mu një muaj para datës 17 maj, kur në Sofje do të zhvillohet takimi i nivelit të lartë BE-Ballkani Perëndimor. Përfaqësuesja e tanishme e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë Federica Mogherini nguli këmbë se është me rëndësi që në këtë takim të marrin pjesë të gjitha 28 shtetet anëtare të BE-së, si dhe të gjitha 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor. Kështu ajo la të kuptohet se deri në zhvillimin e tij duhet të përballohen sfidat edhe nga të dyja anët në dialogun e nivelit më të lartë. Për këto sfida do të flitet me siguri edhe gjatë turneut të Mogherinit në shtetet e Ballkanit Perëndimor gjatë disa ditëve në vijim. Mirëpo, për përballimin e disa prej këtyre sfidave Bullgaria, si kryetare e Këshillit të BE-së, sipas parimit të rotacionit, ishte aktive që para turneut të zonjës Mogherini.
Kryeministri Borisov shqyrtoi tensionet e ashpërsuara mes Beogradit dhe Prishtinës, së pari para rreth dhjetë ditësh në Mostar me Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç, kurse pas kësaj edhe në Prishtinë me Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi. Më 16 prill gjatë vizitës së punës në Prishtinë Kryeministri Borisov rekomandoi që Kosova dhe Serbia të fillojnë bisedime, sepse po të mos arrijnë marrëveshje, nuk do të anëtarësohen në BE. Borisov paralajmëroi shprehimisht se në samitin në Sofje gjatë muajit maj Beogradi dhe Prishtina duhet të deklarojnë para shteteve nga BE-ja se do t’i zgjidhin problemet e tyre. Thaçi premtoi se Kosova do të vazhdojë të kërkojë zgjidhje të problemeve të veta me Serbinë, kurse Vuçiç vuri në dukje se gjatë takimit në Sofje mund të ndodhin shumë gjëra dhe do të bëhet çmos për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkan. Shpresojmë se këto fjalë do të konkretizohen nga liderët e dy vendeve gjatë bisedimeve të tyre me Mogherini këto ditët në vijim.
Nga pikëpamja e integrimit në BE Bosnja e Hercegovina gjithashtu është një shtet problematik. Atje tensionet rreth miratimit të kodit të ri zgjedhor mund të komprometojnë perspektivën evropiane të vendit. Gjatë vizitës së Kryetarit të Këshillit të Ministrave të Bosnjës e Hercegovinës Denis Zvizdiç në Mostar, pas kësaj edhe gjatë vizitës së tij në Sofje, Kryeministri Borisov u sigurua se perspektiva euroatlantike mbetet pa alternativë për këtë vend.
Gjatë muajit që mbetet deri në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Sofje do të shohim a do të ketë ndryshim të pozitës së Spanjës, e cila tani për tani nuk do të marrë pjesë, në qoftë se Kosova trajtohet si një shtet, i cili ka perspektivë të njëjtë evropiane edhe me vendet e tjera nga Ballkani Perëndimor. Me këtë pozitë të Spanjës janë solidare gjithashtu Rumania dhe Qiproja. Tani për tani nuk ka shenja për ndryshim të pozitave të tyre, por mund të pritet ndonjë kompromis. Ndoshta nuk është e rastit se Kryetari i KE-së Jean-Claude Juncker deklaroi para Parlamentit Evropian se “po të mos i japim Ballkanit Perëndimor një shpresë të re për anëtarësim në BE ka rrezik që të rifillohen luftërat nga vitet 90 të shekullit të kaluar.”
Një muaj para datës 17 maj është nën pyetje jo zhvillimi, por përfaqësueshmëria e takimit të nivelit të lartë BE-Ballkani Perëndimor. Thirrja e Komisionares Evropiane Mogherini për pjesëmarrje të të gjitha vendeve nga BE-ja dhe Ballkani Perëndimor në fakt ishte një thirrje për pajtim të plotë, gjë që nganjëherë është një çështje shumë e vështirë madje vetëm në BE.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Një kandidat pro-rus po kryeson në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Rumani Në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Rumani, me një pjesëmarrje prej mbi 52%, kandidati i pavarur Calin Georgescu, i cili nuk ishte në..
Deputetët bullgarë dëshmuan në praktikë thënien se nëse përsëritet e njëjta gjë, nuk mund të pritet një rezultat tjetër. Sot ata u mblodhën në sallën plenare për provën e gjashtë për të zgjedhur kryetar i Kuvendit Popullor, e cila sërish rezultoi e..
Një maqedonasе bëhet zëvendëssekretarе е përgjithshmе е NATO-s Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte emëroi Radmila Shekerinska nga Maqedonia e Veriut si zëvendëssekretare të përgjithshme të Aleancës. "Jam i lumtur të njoftoj emërimin e..