Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Ftesë për udhëtim, ose Jambolli i piktorëve

БНР Новини
8
Stefan Bëçvarov, “Tunxha”

Banori i kryeqytetit rrallë mund të vlerësojë se sa shumë talente kanë lindur dhe punuar në ndonjë prej provincave bullgare (gjithsej 28). Në rastin konkret bëhet fjalë për provincën e Jambollit dhe piktorët e saj. Deri në fund të shtatorit në Galerinë Kombëtare të Arteve Figurative mund të shihet një ekspozitë interesante prej 51 pikturash nga fondet e Galerisë së Arteve Figurative “Zhorzh Papazov” – Jamboll.

Sllava Ivanova dhe drejtori i Galerisë së Arteve Figurative të Jambollit Petko JordanovSigurisht që bashkëpunojmë shpeshherë me kolegët nga vendi –tha në hapjen e ekspozitës drejtoresha e Galerisë Kombëtare Sllava Ivanova. Shpeshherë organizojmë së bashku ekspozita me një ose tjetër shkas, pavarësisht nëse bëhet fjalë për ekspozitë tematike, ose për ndonjë ekspozitë, e cila prezanton një ose tjetër autor. Shumë shpesh grumbullojmë nga tërë vendi vepra, që t’i tregojmë në këto ekspozita. Mirëpo, që prej shumë kohe nuk kemi organizuar ekspozita si ajo e tanishme. Mendoj se do të jetë mirë në qoftë se kjo ekspozitë e parë dhe kjo ftesë e parë e Galerisë Kombëtare ndaj një galerie tjetër të arteve figurative në vend të bëhet një traditë. Është shumë rëndësishëm që jo vetëm publiku i Sofjes të ketë mundësi t’i shohë këto vepra, por të ftojmë të gjithë adhuruesit e artit të udhëtojnë në vend dhe të shohin se çfarë veprash të mrekullueshme ruhen në koleksionet e galerive të arteve figurative në tërë vendin, jo vetëm në fondet e Galerisë Kombëtare.

Të paktën dy prej piktorëve të Jambollit – Zhorzh (Georgi) Papazov (1894-1972) dhe Georgi Popov – Xhon (1906 – 1960), janë me famë ndërkombëtare. Shumë të tjerë janë emra të njohur në Bullgari. Ka dhe të tillë, të cilët janë pak të njohur, por veprat e tyre meritojnë të shihen për shkak të bukurisë dhe të menduarit origjinal.

Zhorzh Papazov, siç quhet dhe galeria, ka punuar në Francë që nga viti 1924 deri në fund të jetës së tij. Ai është ndër pionierët e surrealizmit. Ka marrë pjesë në ekspozita bashkë me përfaqësues të njohur të artit modern si Pablo Picasso, Joan Miró dhe Max Ernst. Galeria e Jambollit paraqet në Sofje disa vepra të tij të hershme, të pikturuara në Pragë, ku Papazov ka mësuar për inxhinier dhe arkitekturë, rreth vitit 1916. Këto piktura ende janë larg surrealizmit, por shihet freskia dhe frymëzimi. Pikërisht në Pragë krijuesi bullgar është pushtuar nga dashuria ndaj pikturës.

Georgi Popov – Xhon gjithashtu ka punuar jashtë shtetit (Franca dhe Suedia) gjatë periudhave të veçanta të jetës së tij. Në Paris në vitin 1932 ai fitoi dy çmime. Ai gjithmonë është kthyer në Bullgari, edhe pse në atdhe ka përjetuar jo pak dëshpërime. Portreti i pikturuar nga ai i skulptores së njohur Vaska Emanuillova (i pikturuar në vitin 1946) është me ngjyra të ngrohta dhe gërsheton precizitetin dhe psikologjizmin.

Stefan Bëçvarov (1907-1988) është ndër “etërit” e Shkollës së Pikturimit të Jambollit. Ai është paraqitur me disa prej peizazheve të tij të rrjedhës së lumit Tunxha, gjë për të cilën është quajtur “këngëtari i Tunxhës”, kurse veprat e tij konsiderohen si “Impresionizmi i Tunxhës”. Vetë Stefan Bëçvarov gjallërohet para vizituesve të ekspozitës me një portret të tij të pikturuar nga një piktor tjetër nga qyteti Jamboll – Pavell Bakallov.

Ja akoma disa emra, edhe pse nuk mund të përmendim të gjithë: piktori bashkëkohor Ivan Dimov (i lindur në vitin 1943) është prezantuar me “Peizazh i pluhurosur” – një vepër moderne midis realitetit dhe ëndrrës, plot fantazi dhe simbolikë. Më tradicional është Panajot Panajotovi (1909 – 1986), i cili është pedagog me rëndësi kombëtare. Ai ka qenë rektor i Akademisë Kombëtare të Arteve Figurative në periudhën 1953 – 1962. Piktura e tij “Reja” është një pastoral i mrekullueshëm, që paraqet traditat më të mira bullgare. “Portet femëror”, ose “Portret në ngjyrën e verdhë”(1937) i Parush Gogovit gjithashtu është një prej veprave të bukura të ekspozitës

Krahas veprave të Mjeshtërve të Jambollit galeria “Zhorzh Papazov” paraqet edhe piktura të shkëlqyeshme të piktorëve të tjerë bullgarë, të cilët janë nga klasikët më të shquar, si Vlladimir Dimitrov-Mjeshtri dhe Boris Denev, si dhe disa prej piktorëve bashkëkohorë, si për shembull Svetlin Rusev, i cili u nda nga jeta para pak kohe.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

Foto: Galeria Kombëtare e Arteve Figurative dhe Veneta Pavllova


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Milena Selimi fitoi çmimin për përkthimin më të mirë në Panairin e 27-të të Librit në Tiranë për romanin bullgar "Kohëstrehim"

Milena Selimi, përkthyesja e romanit “Kohëstrehim” të autorit bullgar Georgi Gospodinov, e cila është edhe përfaqësuese e bullgarëve në Komitetin për Pakicat Kombëtare në Shqipëri, mori çmimin për përkthimin më të mirë për vitin 2024 në Panairin e 27-të..

botuar më 24-11-19 8.30.MD

Lilija Zaharinova tregon histori përrallore në mjedisin urban

Kur një person ecën nëpër Montana dhe Bellogradçik, herët a vonë ai do të ndeshet me kabinat elektrike të lyera me ndjenjën e gëzimit dhe pastërtisë, që duket sikur burojnë nga fëmijëria. Dhe për një çast të vetëm ai do ta gjejë veten në një oaz të..

botuar më 24-11-18 7.35.PD

Kinemaja aventureske nga 39 vende mbërrin në "Bansko Film Fest"

Për vitin e njëzet e tretë, ekipi i “Bansko Film Fest” do të transferojë publikun në disa nga pikat më ekstreme të botës përmes 75 filmave nga 39 vende. “Të gjitha janë premiera, për disa prej tyre shfaqjet në Bansko do të jenë premiera botërore”, tha..

botuar më 24-11-17 7.25.PD