Arkeologët, të cilët këtë verë vazhduan gërmimet në kampin e hershëm romak me kështjellë Almus afër qytetit Llom, gjetën zbulime të vlefshme, të cilat hedhin dritë mbi historinë e këtij regjioni pranë lumit Danub. Gërmimet e para arkeologjike në Almusin romak janë zhvilluar në vitet 1986-1990. Studimet janë rifilluar në vitin 2015 dhe vazhdojnë gjatë 2018-ës dhe 2019-ës me përkrahjen financiare të Ministrisë së Kulturës dhe të Bashkisë së qytetit Llom.
Përpjekjet e arkeologëve janë përqendruar mbi studimin e periudhave të hershme të zhvillimit të kështjellës romake Almus, të dhënat për të cilat janë të pakta dhe të tërthorta dhe arkeologët për herë të parë arrijnë deri këto shtresa të hershme. Bëhet fjalë për periudhën e dinastisë së Flavianëve (për pjesën e dytë të të shekullit të parë), për të cilën dëshmojnë muri i kështjellës dhe kazerma e gjetur në rrethana të panjohura. Këto shtresa janë ruajtur mirë dhe sendet e gjetura në to japin të dhëna të vlefshme për historinë e qytetit Llom dhe të viseve bullgare gjatë kësaj kohe. Këtë e tha për programin regjional “Vidin” të Radios Kombëtare Bullgare Valeri Stoiçkov nga muzeu historik të qytetit dhe pjesëmarrës në gërmimet.
„Flasim për një nga pikat e rëndësishme të fortifikuara në rrugën përgjatë Danubit të Poshtëm, të cilat bashkë me qytetet Raciaria dhe Bononia është ndër vendet ku më herët është vendosur ushtria romake. Luftërat e zhvilluara atëherë jo gjithmonë kanë qenë të suksesshme për Perandorinë Romake dhe është e mundshme që ky kamp i hershëm të jetë asgjësuar gjatë luftërave trake të Perandorit Trajan. Interesante për shkencën tonë janë sendet e gjetura në kazermë. Ndër to ka shenja dallimi, të cilat u përngjajnë medaljeve të sotme për merita ushtarake, të cilat në atë kohë u janë dorëzuar ushtarëve më të mirë. Njëra prej këtyre sendeve është përpunuar prej ari me cilësi të lartë, me peshë pak më shumë se 1 gram dhe ndoshta ka qenë pronë e ndonjë ushtari me rang të lartë (centurion apo më të lartë). Bën përshtypje dhe fakti se qeramika e gjetur në kazermë është me cilësi të lartë, d.m. th. ushtarët në të kanë marrë roga të larta dhe kanë pasur një standard relativisht të lartë të jetesës në krahasim me njerëzit e zakonshëm. Prandaj dhe enët e tyre janë punuar prej qeramike luksoze”.
Me rëndësi të madhe për arkeologët janë rrënojat e një godine publike që daton në sh. II-III-të. Muret e saj janë lyer në ngjyra të ndryshme – të bardha, të kuqe, të gjelbra, që do të thotë se ajo ka pasur status të lartë social. “Në të gjetëm pesha për peshore, të cilat janë karakteristike për sistemin romak të matjes. Kjo na bën që të mendojmë se kemi gjetur një godinë të përdorur për tregti apo për veprimtari të kontrollimit, ndoshta ka qenë përdorur për doganë” – sqaroi Valeri Stoiçkov.
„Këto të dhëna i lidhim me informacionin që i kemi se Almusi i atëhershëm ka qenë pika më perëndimore e Kompleksit Doganor Ilir. Veprimtaria doganore në qytet mund të jetë lidhur me godinën, të cilën po e studiojmë. Kjo ndërtesë është rrëzuar në mes të shekullit të tretë gjatë sulmeve të gotëve, të citat gjatë asaj kohe kanë qenë të përqendruara në rrjedhën e poshtme të Danubit. Interesante janë të dhënat që i marrim nga një ndërtesë tjetër, të cilën e studiuam në vitin 1990. Ajo gjithashtu është kazermë ushtarake, sendet në të cilën nuk janë aq të shtrenjta dhe cilësore, por gjithashtu hedhin dritë mbi këtë periudhë historike. Për këtë arsye e vlerësojmë punën tonë gjatë këtij sezoni si e suksesshme. Gjetëm shtresa tepër të lashta dhe të ruajtura relativisht të lirë, të cilat plotësojnë dituritë tona për historinë e hershme të trojeve bullgare.
Përpiloi: Gergana Mançeva (duke përdorur materialet e ofruara nga Radio “Vidin”)
Foto: medianews.bg
Përgatiti në shqip: Jordanka Ivanova
Si dukej bota e kafshëve në zonën e qytetit të sotëm të Trënit (Bullgaria Perëndimore) më shumë se 80 milionë vjet më parë - kësaj pyetjeje po përpiqen t'i përgjigjen paleontologët nga Muzeu Kombëtar i Shkencave Natyrore në Akademinë Bullgare të..
Muzeu Historik Kombëtar feston 130-vjetorin e lindjes së mbretit Boris III me ekspozitën “Mbreti Boris III. Një personalitet dhe burrë shteti”. Ajo do të hapet sot, 3 tetor, në hollin qendror të muzeut. Ekspozita do të prezantojë, sipas rendit..
Koka e një statuje është zbuluar gjatë gërmimeve në kanalin e madh të qytetit antik të Heraklea Sintika. Ajo është e statujës që u zbulua disa ditë më parë dhe tani është në muzeun e Petriçit që të studiohet nga restauruesit. “Kjo verë ishte..