Përafërsisht 8 për qind nga shtetasit e BE-së u përkasin pakicave, ndërsa afro 10 për qind flasin ndonjë gjuhë regjionale ose të minoritetit. Këtë e tregojnë të dhënat e cituara në një rezolutë të Parlamentit Evropian. Ato edhe një herë ripohojnë tezën se Evropa është një mozaik kulturash, gjuhësh, fesh dhe traditash, i cili bashkon njerëz me vlera të përbashkëta. I përbashkët është qëndrimi se të gjithë shtetasit evropianë duhet që pa frikë të flasin gjuhën amtare si në rrugë, ashtu edhe në të gjitha vendet shoqërore. Mirëpo, termi “pakicë” akoma nuk ka kuadër të përgjithshëm ligjor evropian. Emërtime për të ekzistojnë në një sërë dokumentesh ndërkombëtare, por definicion nuk ka. Ndoshta në këtë fshihet shkaku për të cilin shtetet e ndryshme shfrytëzojnë mënyra të llojllojshme për të deshifruar nocionin “pakicë”. Për shembull në Gjermani vetëm numërojnë pakicat etnike ose gjuhësore si danezë, luzhiçanë, fritë, sintë, romë. Në shtete si Belgjika, por edhe në vende jashtë BE-së siç janë Rusia dhe Moldavia, ka një definicion të përbashkët pa u përmendur se cilat bashkësi etnike dhe gjuhësore hyjnë në të.
Në mënyrë të ngjashme zgjidhet edhe çështja për financimin e bashkësive me qëllim mbrojtjen e ndërgjegjes së tyre kombëtare, të kulturës dhe të gjuhës së tyre. Zgjidhja e këtij kazusi nga çdo shtet veçmas bëhet premisë për probleme dhe shkakton një pasiguri ndër bashkësitë të cilët realizojnë aktivitete për ruajtjen e kulturës dhe traditave.
Në Bullgari ekziston një kuadër ligjor, me të cilin caktohen të drejta të barabarta të njerëzve, pavarësisht nga kombësia, raca, feja, prejardhja sociale. Në autorizimet e ministrit të punëve të jashtme hyn detyrën për të mbrojtur pakicat kombëtare bullgare jashtë shtetit. Megjithëkëtë bashkësitë bullgare përtej kufirit akoma kanë vështirësi në sigurimin e mjeteve për punën e tyre.
Gazetari Josif Davidov nga gazeta e bullgarëve në Spanjë “Fjala e re” thekson se ndihma financiare për mediat bullgare jashtë shtetit është me rëndësi, jo vetëm nga pikëpamja e sigurimit të saj, por për arsye të kërkesave që shtrohen me të.
“Çdo bullgar në Spanjë me biznes mund të nxjerrë dhe të japë 50 000 euro, ndërsa shteti na refuzon. Botojmë edhe një gazetë rumune dhe është interesante se Rumania ka një ministri për diasporën. Çdo vit pas konkursit ajo lëshon nga 10 000 deri në 15 000 euro subvencionim për mediat rumune jashtë shtetit.”
Në Kroaci, e cila gjithashtu është anëtare e BE-së, shteti financon pakicat dhe veprimtarinë e tyre. Diana Gllasnova boton në Zagreb revistën “Gjuha Amtare” në gjuhën bullgare dhe në të kroate për nevojat si të bullgarëve aty edhe të kroatëve.
“Dëshirojmë t’u shpjegojmë kroatëve se cilët jemi dhe cila është Bullgaria. Përndryshe, në se nuk na njohin, nuk mund të kërkojmë të tregojnë respekt ndaj nesh. Prandaj shkruajmë si në bullgarisht ashtu edhe në kroatisht dhe me këtë jemi unikë. S’ka pakicë tjetër në Kroaci me gazetë apo revistë në të dyja gjuhët, sepse përkthimi kushton shumë. Por ne jemi të bindur se kështu duhet të jetë. Kështu revista jonë lexohet edhe nga presidenti kroat, edhe nga ministrat e qeverisë. Përveç kësaj “Gjuha Amtare” tashmë katër vjet me radhë blihet dhe nga Biblioteka e Kongresit në Uashington. Revista financohet tërësisht nga shteti kroat. Dhe kështu është për të gjitha pakicat kombëtare në Kroaci – gjë për të cilën jemi mirënjohës”.
Me qëllim të unifikohen dhe të përmirësohen kushtet e pakicave kombëtare dhe gjuhësore në Evropë para një viti më 13 nëntor Parlamenti Evropian votoi një rezolutë me të cilën i bëri thirrje Komisionit Evropian të hartojë të ashtuquajturat standarde minimale për pakicat në BE. Garantimi i mundësive të barabarta të pakicave të marrin pjesë në jetën politike dhe sociale është njeri prej këtyre standardeve, ose përkrahja e diturive dhe e aftësive të tyre për mbrojtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore, duke përfshirë nëpërmjet krijimit dhe përkrahjes së fondeve materiale kulturore. Inkurajohet gjithashtu shfrytëzimi i gjuhëve të pakicave në mediat dhe licencimi i shërbimeve mediatike të grupeve të pakicave. Tregohen edhe tema si aksesi tek arsimi në gjuhën amtare dhe në gjuhën zyrtare të shtetit ku banojnë, heqja e pengesave administrative dhe financiare, të cilat mund të bëhen shkak për kufizimin e larmisë gjuhësore dhe të cilat mund të krijojnë vështirësi në qasjen e pakicave me spektrin e plotë të profesioneve që ushtrohen në një shtet. Tani fjalën e ka Komisioni Evropian, kryetarja e të cilit Ursula Gertrud von der Leyen në fjalimin që para se të zërë postin tha, se do të mbrojë superioritetin e ligjit për çdo shtetas të BE-së dhe se kjo është në qendrën e vizionit të saj për një bashkim të barazisë, tolerancës dhe drejtësisë sociale.
Përgatiti në shqip: Svetllana DimitrovaFoto: BTA
Instituti për Shkenca Kompjuterike, Inteligjencë Artificiale dhe Teknologji (INSAIT) pranë Universitetit të Sofjes “Shën Kliment Ohridski" vuri në dispozicion për përdorim falas Chat aplikacionin BgGPT me inteligjencë artificiale të gjeneratës së..
Me iniciativën e Kishës Ortodokse Bullgare, më 30 shtator dhe 1 tetor të vitit 1998, në Sofje u mblodh një Tubim Panortodoks për të ndihmuar kapërcimin e përçarjes midis klerikëve tanë. Atëherë, megjithë nxitjet e Patrikut të Stambollit Bartolomeu,..
Shteti ynë bëhet vendi i parë në BE që ka inteligjencë artificiale në një nivel të lartë teknologjik në gjuhën e tij, krijuar nga një organizatë shkencore me financim shtetëror. Inteligjenca artificiale e gjeneratës së re, e krijuar për të punuar në..
Instituti për Shkenca Kompjuterike, Inteligjencë Artificiale dhe Teknologji (INSAIT) pranë Universitetit të Sofjes “Shën Kliment Ohridski" vuri në..