Tendenca e rritjes së investimeve të drejtpërdrejta të huaja në Bullgari po vazhdon dhe gjatë vitit 2019. Sipas të dhënave të Bankës Popullore Bullgare për periudhën janar-tetor ato janë afro 953.3 milionë euro dhe tejkalojnë me 554 milionë ato nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Një volum më i madh i investimeve direkte neto është regjistruar nga Holanda /422 milionë euro/, Gjermania /233.7 milionë euro/ dhe Britania e Madhe /168.3 milionë euro/. Në pamje të parë rritja gjatë viteve të fundit nuk është dhe kaq e madhe. Por, duhet të shënohet se kapitalet e huaja tani u drejtohen kryesisht prodhimeve industriale dhe sektorëve me vlerë të lartë të shtuar, që krijojnë punësim të madh dhe rritje ekonomike, në ndryshim nga vitet përpara krizës, ku qe regjistruar një bum i investimeve të huaja, por ato qenë kryesisht në fushën e pasurisë së paluajtshme.
Pavarësisht nga tendenca pozitive në lëvizjen e investimeve të huaja drejt vendit, përpara autoriteteve qëndron detyra e vështirë të evitojnë tejkalimin e pabarazive të thella regjionale në shpërndarjen e kapitalit të huaj. Bullgaria Jugore dhe disa zonat e mëdha të formuara ekonomike rreth qyteteve Sofja, Plovdiv, Haskovo dhe Dimitrovgrad po vazhdon të jetë një magnet për një pjesë të madhe të investimeve të huaja. Me përjashtim të disa investimeve të mëdha në fushën e industrisë së automobilave në qytetin Vraca /Teklas dhe MD Elektronik/, në qytetin Lloveç /VOSS Automotiv/ dhe në qytetin Pleven /Leoni/, në rajonet e tjera të Bullgarisë Veriore investimet janë akoma të pamjaftueshme. Kjo sipas kryeministrit Bojko Borisov do të ndryshojë thellësisht me ndërtimin e autostradës Hemus dhe të rrugëve të tjera bazë në këtë pjesë të vendit. Padyshim që infrastruktura është me një rëndësi të madhe për investuesit. Njëkohësisht struktura e keqësuar demografike e popullsisë në disa regjione dhe pakësimi i madh i popullsisë në qendrat e mëdha të rretheve e bën detyrën rreth tërheqjes së kapitalit të huaj jashtëzakonisht të ndërlikuar, për shkak të mungesës së krahut të kualifikuar të punës, të shkaktuar nga proceset e migracionit.
Kërkesat e paraqitura për certifikimin e projekteve të reja investuese janë mbi 850 milionë euro, shpalli më herët gjatë vitit Agjencia Bullgare për Investimet. Kohët e fundit në Sofje u bë hapi i parë drejt njërit prej investimeve më të mëdha të huaja.
Agjencia Bullgare për Investimet firmosi një memorandum me kompaninë koreano-kineze “Songuo Motors” dhe me atë italiane –“Hadid Holding” me qëllim ndërtimin e një uzine për automjete elektrike. Të dyja firmat kanë dëshirë të investojnë në Bullgari 200 milionë dollarë. Pritet që investimi i ardhshëm të krijojë hapjen e rreth 2000 vendeve të reja të punës.
Viti 2019 do të mbahet mend edhe me konkurrencën e ashpër për tërheqjen e një investuesi në fushën e industrisë së automobilave. Bullgaria e humbi garën me Turqinë në finale për uzinën e re të automobilave të firmës Volkswagen. Por, më pas gjiganti i makinave gjermane e ndaloi përkohësisht projektin për shkak të operacionit ushtarak të Turqisë në Siri, gjë e cila i hap një mundësi të re Bullgarisë që të mund të ndërhyjë në betejën për këtë investues strategjik dhe të propozojë kushte edhe më të mira nga ato fillestaret.
Në të njëjtën kohë për vitin e radhës emigrantët bullgarë jashtë shtetit mbase do të dalin se janë investuesi më i madh në vend. Vitin e kaluar transferimet e bankave private drejt Bullgarisë dolën në 1.17 miliardë eurot rekorde. 80% prej kësaj shume vjen nga vende të Bashkimit Evropian - 833 milionë euro, kurse 340 milionët e tjerë janë nga shtete të treta me bashkësi të mëdha bullgare, si Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Turqia. Sipas agjencisë Eurostat vetëm 4 vende nga Bashkimi Evropian marrin më shumë para nga emigrantët - Portugalia, Rumania, Polonia dhe Kroacia.
Përgatiti në shqip: Nataniela Vasileva
Në vitin 2023, rritja e PBB-së së Bullgarisë ishte 1.9% më shumë në terma realë krahasuar me vitin 2022. Kjo është 0.1 për qind më shumë se rritja e paralajmëruar fillimisht prej 1.8%, njoftoi Instituti Kombëtar i Statistikave. Kryetari i..
Bullgaria është në vendin e 52-të për sa i përket lirisë ekonomike në botë për vitin 2024, sipas sondazhit të fundit të Institutit Kanadez “Fraser”, njofton Instituti për Ekonominë e Tregut. Sondazhi mat shkallën e lirisë ekonomike në 165 vende të..
Inflacioni në vend u ngadalësua ndjeshëm në shtator në 1.2 për qind nga 2.1 për qind në gusht, duke arritur nivelin më të ulët që nga marsi 2021, treguan të dhënat nga Instituti Kombëtar i Statistikave. Krahasuar me muajin gusht, ka një deflacion prej..