Viti 2021 zyrtarisht u shpall Vit Evropian i transportit hekurudhor. Një nga shkaqet që propozimi i Komisionit Evropian të marrë një përkrahje të përgjithshme evropiane në Parlamentin Evropian është efekti, të cilin ky lloj lëvizjeje do të ketë mbi objektivat e Bashkimit Evropian për arritjen e një ekonomie përparuese, të konkurrueshme dhe neutrale nga ana klimatike deri në vitin 2050. Një nga aleatët me më shumë perspektivë në këtë drejtim, me potencial akoma të parealizuar plotësisht, është pikërisht transporti hekurudhor. Përdorimi i tij për të transportuar vëllime të mëdha pasagjerësh dhe ngarkesash mund të zvogëlojë emetimet nga mënyrat dhe llojet e tjera të transportit deri më 70%.
“Mbase kriza na tregoi se që të gjithë ne jemi të lidhur bashkërisht, më në veçanti në kohëra të pasigurta” - deklaroi euro deputetja gjermane nga Grupi i të Gjelbërve Anna Deparnay-Grunenberg dhe shtoi:
“Për këtë qëllim, ne gjithashtu duhet të de karbonizojmë lëvizshmërinë tonë. Duam që të krijojmë një indeks për lidhje dhe të mund ta bëjmë transportin hekurudhor tërheqës. Ky indeks do të tregojë sesa shpejt mund të lëvizim dhe të transportohemi me ndihmën e transportit hekurudhor. Një problem i rëndësishëm është se pavarësisht nga 30 miliardë eurot e investuara në rrjetin hekurudhor evropian, ai mbetet shumë i fragmentuar. Mungojnë lidhje të mira, të domosdoshme për përfundimin e rrjetit transevropian. Ne gjithashtu duam që të prezantojmë një etiketë të gjelbër, që tregon shkallën në të cilën mallrat e transportuara nga ky lloj transporti janë më ekologjike. Është i domosdoshëm dhe një informacion i mjaftueshëm për biletat, të cilin mund ta sigurojmë me krijimin e një platforme të përbashkët për blerjen e tyre”.
“Planet e përgjithshme evropiane për modernizimin e rrjetit hekurudhor, kuptohet prekin në një farë shkalle dhe vendin tonë, ku pavarësisht nga ulja 40% e pasagjerëve gjatë vitit të kaluar 2020, hekurudhat mbeten një mundësi e pranueshme për transport deri në pikë të ndryshme të Bullgarisë. Në kohën e situatës së jashtëzakonshme dhe të bllokimit, Hekurudhat Shtetërore Bullgare vazhduan të kryejnë vëllimin e vet të plotë të kurseve, pa u ndaluar asnjë nga kompozicionet e planifikuara. Përveç kësaj u arritën disa suksese të rëndësishme për zhvillimin dhe modernizimin e saj , për të cilat tregon Konstantin Azov - drejtor i degës “Shërbim dhe shitje” të Hekurudhave Shtetërore Bullgare:
“Mund të lavdërohemi me blerjen e lokomotivave të para elektrike në vitin 2020. Për herë të parë prej afro 34 vjetëve vijnë lokomotiva krejtësisht të reja. Ato janë përgjithësisht 15 në numër. Dy prej tyre tanimë po lëvizin nëpër rrjetin hekurudhor të vendit dhe shërbejnë trenat e udhëtarëve në distanca të gjata. Po zhvillohet dhe një program ambicioz për remont. Mjerisht Covid-kriza imponoi një farë vonimesh, të cilat shpresoj se do të kompensohen. Në kuadrin e krizës mundëm të lidhim kontrata me vlerë 15 milionë leva me dy uzina bullgare për renovimin e plotë të 15 vagonëve.”
Si shembull për leverdinë e marrëveshjes, Azov vuri në dukje se një vagon krejt i ri kushton rreth 1 800 000 euro, kurse ata të montuar në uzinat e afërta bullgare, janë rreth 3 herë më të lira. Një lehtësi tjetër nga e cila udhëtarët tani po përfitojnë, janë tablotë e montuara elektronike nëpër të gjitha stacionet hekurudhore, si dhe një aplikacion në celular i cili ndjek lëvizjen e trenave, orën e mbërritjes së tyre dhe shkaqet për vonesat e mundshme.
Me ndihmën e financimit evropian Hekurudhat Shtetërore Bullgare shpresojnë të mundin të blenë akoma 20 trena me një teknologji të lartë me një shpejtësi prej 160 kilometrave në orë të cilat të mund të lëvizin nëpër linjat hekurudhore tanimë të rehabilituara dhe aktualisht në riparim. Shoqëria e cila kujdeset për infrastrukturën hekurudhore planifikon të ndërtojë një terminal intermodal në stacionin shpërndarës në Gorna Orjahovica (në Bullgarinë Qendrore Veriore), si dhe të vazhdojë rinovimin e të gjithë stacioneve në vend.
Përgatiti në shqip: Nataniela Vasileva
Foto: bdz.bg, ruse-direct.eu, Facebook /Anna Deparnay-Grunenberg dhe arkiv
1454 leva (738 euro) në muaj i nevojiten një personi që punon për të mbajtur veten dhe për të jetuar sipas standardeve bullgare. Për një familje prej tre anëtarësh me dy të rritur dhe një fëmijë, shuma është 2616 leva (1329 euro), sipas Institutit për..
Pas zgjedhjeve të 27 tetorit, deri në fund të muajit, qeveria e përkohshme duhet të paraqesë në Kuvend Projektbuxhetin për vitin 2025. Sipas disa analistëve ekonomikë në vendin tonë, gjendja e planit buxhetor të shtetit për vitin 2024 ka qenë më e keqja..
Këshilli i Ministrave miratoi një dekret me të cilin paga minimale do të rritet nga 933 leva në 1077 leva në vitin 2025. Rritja është 15.4% ose 144 leva, tha ministri i çështjeve sociale Ivajllo Ivanov. Vendimi i qeverisë është në zbatim të ndryshimeve..