Bullgaria po vazhdon të tërheqë borxhe të reja çdo të hënë të javës. Borxhi është i brendshëm, dmth. ai është ndaj bankave lokale, shoqërive të pensioneve dhe investitorëve të tjerë korporativë. Para pak kohe, ky trend u riafirmua me lëshimin nga Banka Popullore Bullgare /BNB/ në tregun e brendshëm financiar të një borxhi të ri prej 500 milionë leva (255 milionë euro). Ky ishte ankandi i 11-të i shtetit këtë vit, me një total deri më tani prej 3.3 miliardë leva (1.7 miliardë euro) në letra shtetërore me vlerë. Me obligacionet e shitura deri përpara disa ditësh, borxhi për vitin arriti në total 3.8 miliardë leva (1.94 miliardë euro). Ankandet e fundit për shitjen e letrave me vlerë shpjegohen me deficitin e pritshëm buxhetor në fund të vitit. Pas përditësimit të fundit të buxhetit, planifikohet që viti të mbyllet me një deficit prej 4.7 miliardë levash (2.4 miliardë euro) në thesar, shkruan sajti ekonomik Investor.bg.
A do të vazhdojë të rritet borxhi i brendshëm i shtetit dhe a është kjo e rrezikshme për stabilitetin financiar të vendit? Sipas ligjit, borxhi i qeverisë për këtë vit ka një tavan prej 4.5 miliardë leva (2.3 miliardë euro), i cili nuk mund të tejkalohet pa lejen e parlamentit. Kjo do të thotë se borxhi i lejuar nga qeveria prej 700 milionë leva (358 milionë euro) nuk do të lëshohet deri në fund të vitit.
Pavarësisht rritjes dinamike të borxhit publik këtë vit, shumica e analistëve mendojnë se madhësia e tij nuk përbën një kërcënim serioz për stabilitetin makroekonomik të vendit. Dhe kjo shpjegohet qartë si me rezervën fiskale të disponueshme prej 10.6 miliardë leva (mbi 5.42 miliardë euro), ashtu dhe me nivelin relativisht të ulët të borxhit të vendit në tërësi. "Nuk ka asnjë dobi nga histeria e argumentuar keq," shpjegon Llëçezar Bogdanov, një ekonomist në Institutin për Ekonominë e Tregut, duke shtuar se krahasuar me hartën e Evropës, Bullgaria ka borxhe dukshëm më të ulëta - deri në fund të qershorit 2021 raporti borxh/PBB është 24.7% ... krahasuar me një mesatare prej 91% për BE-në dhe 98% për zonën e euros."
Këtu ndoshta duhet kujtuar se çdo borxh e ka çmimin e vet, dmth. interes, përveç principalit. Për investitorët këto janë të ardhura, për huamarrësit bëhet fjalë për shpenzime shtesë. Aktualisht, nga ky këndvështrim, kushtet e tregut janë në favor të huamarrësve, pasi normat e interesit janë jashtëzakonisht të ulëta. Me këtë rast vëzhguesi financiar i Money.bg Petër Iliev vuri në dukje se "kur rezerva fiskale është relativisht e madhe dhe të ardhurat buxhetore janë të rritura dikasteri financiar e përmbyt tregun me letra shtetërore me vlerë, duke shkurtuar afatin dhe duke rritur vlerën e tyre. Megjithatë, deri më tani, ky çmim konsiderohet nga Ministria e Financave si i pranueshëm, aq më tepër që, sipas Ministrit teknik të financave Valeri Bellçev, huat e reja merren që të shlyhen borxhe të vjetra, për rritjen e shpenzimeve sociale, për pagat suplementare lidhur me pandeminë dhe për pagimet financiare ndaj pronarëve bujqësorë. Këto janë shpenzime, që nuk mund të shmangen, madje me koston e rritjes së moderuar të borxhit publik.
Mund të shtrohet pyetja se pse qeveria teknike preferon tregun e brendshëm financiar dhe nuk u drejtohet institucioneve financiare të huaja kur e lëshon borxhin e qeverisë. Kjo ka ndodhur mjaft shpesh në të kaluarën dhe kështu tani borxhi i jashtëm bruto i qeverisë është mbi 8 miliardë euro.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Ekonomia e Bullgarisë do të rritet me 2.3% këtë vit. Këtë e tregon përmbledhja më e fundit e ekonomisë botërore e përgatitur nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe e prezantuar sot, 22 tetor, në Uashington. Kjo është një rënie në krahasim me..
Paga minimale nga viti 2025 do të jetë 1077 leva (545 euro), tha për bTV ministri në detyrë i punës dhe politikës sociale Ivajllo Ivanov. Kodi i Punës përshkruan se si llogaritet paga minimale dhe ajo është 50% e pagës mesatare. “Kjo është e..
Në vitin 2023, rritja e PBB-së së Bullgarisë ishte 1.9% më shumë në terma realë krahasuar me vitin 2022. Kjo është 0.1 për qind më shumë se rritja e paralajmëruar fillimisht prej 1.8%, njoftoi Instituti Kombëtar i Statistikave. Kryetari i..