Dje, një turmë e ekzaltuar e udhëhequr nga partia më e vogël parlamentare “Vëzrazhdane” (“Ringjallja”) bëri përpjekje për ta sulmuar godinën e Kuvendit Popullor. Shkaku për tensionin e krijuar ishte certifikata e gjelbër, e cila sipas fjalëve të protestuesve është diskriminuese. Pas disa orësh trazirash situata u qetësua, por një pyetje e rëndësishme mbeti pa përgjigje: Kush ka interes nga përçarja e shoqërisë sonë, e cila ndodhet para kërcënimeve serioze shëndetësore, ekonomike, sociale dhe të politikës së jashtme.
Certifikata e gjelbër nuk do të hiqet, njoftoi më vonë gjatë ditës kryeministri Kirill Petkov, i cili gjithashtu është vendosur në karantinë për shkak të pjesëmarrjes së tij në mbledhjen e Këshillit Konsultativ të Sigurisë Kombëtare, pasi një prej pjesëmarrësve në të dha test pozitiv për Covid-19. Kryeministri shprehu shqetësimin se spitalet nuk do të kenë kapacitet që të kujdesen për numrin e madh të të infektuarve me koronavirus.“Unë e respektoj formën e protestës, sepse kjo është një mënyrë për të shprehur mospajtimin me politikën e dikujt”, tha Kirill Petkov për BNR. – Më vjen keq se ka të lënduar dhe se nuk jam mes njerëzve. Që të premten, kur të mbarojë karantina ime, do të kem mundësinë të flas me përfaqësues të protestuesve. Dhe shpresoj të diskutojmë nëse ata kanë ide për masa më konstruktive në menaxhimin e valës së ardhshme të Covid-it dhe për të rritur vaksinimin, që për mua është mënyra themelore për të kapërcyer krizën që po vjen.”
Ivajllo Kallfin, drejtor ekzekutiv i Fondacionit Evropian për Përmirësimin e Kushteve të Jetesës dhe Punës, nuk është i befasuar nga ajo që ndodhi para Parlamentit. Por ai ngre pyetjen e rëndësishme se deri ku duhet të shkojnë zgjedhjet personale dhe si protestuesit, kur të mbushen shtretërit në repartet e kujdesit intensiv, do t'u shpjegojnë viktimave se nuk duhet të ketë masa kundër epidemisë.
“Kjo është fizionomia e “Vëzrazhdane” dhe duhet të presim që të ndodhin gjëra të tilla”, tha Ivajllo Kalfin. - Unë nuk e di ndonjë vend tjetër në Evropë, ku protestat kundër Covid-it të udhëhiqen nga një parti dhe ajo madje t'u bëjë thirrje protestuesve për ta sulmuar Parlamentin.”
"Jemi dëshmitarë të përdorimit më të keq të një problemi mjekësor për qëllime politike. Në kontekstin bullgar, është edhe më e frikshme, sepse bëhet fjalë për vdekjen e shumë njerëzve," tha për BNR doc. Hristo Hinkov, udhëheqësi i Qendrës Kombëtare për Shëndetin Publik dhe Analizat.
Është shumë e rrezikshme nëse qeveria ndikohet nga protesta të këtij lloji, tha Evelina Sllavkova nga Qendra Kërkimore “Trend” në analizën e saj pas protestave të djeshme kundër certifikatave të gjelbra, të cilat mblodhën qindra njerëz para ndërtesës së Kuvendit Popullor. “Kushdo që është politikisht analfabet do ta nënvlerësonte praninë e “Vëzrazhdane” në Parlament. Ky do të jetë formacioni politik që do të krijojë tensione, probleme.”
“Këtu kemi një temë, e cila nuk është aspak e parëndësishme, pasi ka të bëjë me shëndetin. Nuk ishin të paktë njerëzit që shkuan në shesh dhe u arrit në përplasje fizike me policinë. Sigurisht që “Vëzrazhdane” e përdor politikisht këtë temë, por nuk kanë mundësi tjetër, sepse ata arritën të hyjnë në Kuvendin Popullor pikërisht falë deklaratave të tyre se janë kundër vaksinimit dhe certifikatave të gjelbra.”
Sllavkova shtoi gjithashtu se njerëzit në Bullgari që nuk besojnë në vaksina nuk janë të paktë.
Dr. Asparuh Iliev, drejtues i një laboratori në Bern dhe ekspert për sigurinë e vaksinave, shprehu dyshime se masat e lirshme në vendin tonë mund të jenë shkaku i vërtetë i pakënaqësisë së madhe. Nga ana tjetër, grumbullimi i shumë njerëzve në një vend kaq të vogël krijon mundësi për infektimin e shumë prej tyre me Omikron, theksoi ai.
“Dëgjova sërish fjalët se mjekët po vrasin pacientë në spitale”, shtoi specialisti. – Kjo është e turpshme dhe ka ardhur koha që Prokuroria, e cila vetëm vëzhgon dhe nuk e kryen punën e saj, të marrë masa, akuza të tilla janë të papranueshme. Ne duhet të rritemi një herë e përgjithmonë - të mos sillemi si adoleshentë, të mësojmë të dëgjojmë njerëzit kompetentë dhe jo të dëgjojmë atë që duam.”
Autor: Diana Cankova (në bazë të intervistave të programit “Horizont” të BNR-së)
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: BGNES
105 vjet më parë, më 27 nëntor 1919, në periferinë e Parisit, Neuilly-sur-Seine, u nënshkrua një traktat që i dha fund zyrtarisht pjesëmarrjes së Bullgarisë në Luftën e Parë Botërore (1914-1918). Historianët e përkufizojnë dokumentin si "katastrofa e radhës..
Uzurpimi i trashëgimisë kulturore dhe historike ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga pasojat e shumta të pashmangshme të çdo konflikti ushtarak si në të shkuarën, ashtu edhe në ditët e sotme. Deri në përfundim të luftës në Ukrainë, është e pamundur të..
Instituti për Shkenca Kompjuterike, Inteligjencë Artificiale dhe Teknologji (INSAIT) pranë Universitetit të Sofjes “Shën Kliment Ohridski" vuri në dispozicion për përdorim falas Chat aplikacionin BgGPT me inteligjencë artificiale të gjeneratës së..
105 vjet më parë, më 27 nëntor 1919, në periferinë e Parisit, Neuilly-sur-Seine, u nënshkrua një traktat që i dha fund zyrtarisht pjesëmarrjes së Bullgarisë..
Uzurpimi i trashëgimisë kulturore dhe historike ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga pasojat e shumta të pashmangshme të çdo konflikti ushtarak si në..