Një nga periudhat më të errëta në historinë e shekullit të kaluar është Lufta e Dytë Botërore dhe persekutimi i hebrenjve dhe jo-arianëve. Të persekutuar dhe të poshtëruar nga regjimet fashiste të vendeve aleate të Rajhut të Tretë, miliona hebrenj vdiqën në varreza masive dhe kampe përqendrimi. Ideologjia antisemitе fitoi vrull jo vetëm në vendet e Paktit Trepalësh (midis Romës,Berlinit dhe Tokios), por edhe në vende si Hungaria, Rumania, Bullgaria, Sllovakia, Kroacia dhe Finlanda, të cilat e ndryshuan legjislacionin e tyre në përputhje me ligjet naziste të Gjermanisë. Shumica e këtyre vendeve iu nënshtruan urdhrit për të dëbuar popullsinë hebraike në kampet e vdekjes. Megjithatë, Bullgaria arriti të shpëtojë mbi 48 000 hebrenj, falë disa bullgarëve që tërhoqën shumicën e shoqërisë për kauzën humane në mbrojtje të hebrenjve.
Për këtë akt kanë meritë katër bullgarë nga qyteti Kjustendill - deputeti Petër Mihalev, tregtari Asen Suiçmezov, mësuesi Vladimir Kurtev dhe avokati Ivan Momçillov. Izraeli ka shprehur mirënjohjen ndaj heroizmit të tyre nëpërmjet Memorialit “Jad Vashem”, duke i shpallur "Të ndershmit e botës" - një titull nderi që u jepet njerëzve me origjinë jo-hebraike që kanë rrezikuar jetën e tyre për të shpëtuar hebrenjtë gjatë Holokaustit.
Për të kujtuar ngjarjet e së kaluarës së afërt, Shtëpia-Muze "Dimitër Peshev" në Kjustendill ruan dokumente dhe sende të rëndësishme që na njohin nga afër me qytetarët e Kjustendilit, të cilët e pranuan shpëtimin e hebrenjve bullgarë si detyrë të tyre.
Ky është i vetmi vend në Bullgari kushtuar kujtimit të këtyre bullgarëve të guximshëm që guxuan t’u kundërvihen urdhrave të nazistëve.Falë tyre, vendi ynë arriti të fshijë një pjesë të turpit të bashkimit me regjimet naziste, megjithëse më vonë, pas 9 shtatorit 1944, qeveria nuk u dha mirënjohjen e duhur dhe i dënoi si "armiq të popullit" për mëkate që nuk kanë bërë. Që pas njohjes së tyre nga Izraeli, ata u dekoruan pas vdekjes së tyre me urdhrin më të lartë shtetëror "Stara Pllanina" - shkalla I dhe u shpallën "qytetarë nderi të Kjustendilit".
Ndërsa Bullgaria mban të gjallë kujtimin e ngjarjeve të marsit të vitit 1943, në disa nga vendet ku u kryen mizoritë e nazistëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, po heshtet. Vetëm tregimet e të mbijetuarve të paktë kujtojnë torturat dhe vuajtjet e viktimave të nazizmit për të mbajtur të zgjuar ndërgjegjen e njerëzimit, i cili ka të ngjarë të përsërisë mëkatet e paraardhësve të tij.
E trishtueshme është se pikërisht në këtë Evropë, ku janë kryer krimet më të këqija kundër njerëzimit, sot jemi përsëri dëshmitarë të procesioneve me pishtarë dhe të propagandës së ideologjive neo-naziste, ideologji të cilat e shfrytëzojnë me mjeshtëri pakënaqësinë e shoqërisë. Prandaj është e nevojshme të kujtojmë Holokaustin çdo herë, që të mos lejojmë që e kaluara e errët të pushtojë të tashmen dhe të ardhmen tonë.
Përgatiti në shqip: Vesella MançevaFoto: registersofia.bg, arkiv
Ringjallja e shtetit bullgar pas pesë shekujsh sundimi osman është lidhur me Kryengritjen e Prillit të vitit 1876 dhe Organizatën e Brendshme Revolucionare të themeluar më parë nga Vasill Levski . Pas Traktatit të Berlinit të vitit 1878,..
Përfunduan kërkimet arkeologjike nënujore në Gjirin Taukliman (i njohur edhe si Gjiri i Shpendëve), i cili ndodhet rreth 6 km në verilindje të Kepit Kaliakra. Në rrethinat e tij u lokalizuan dhjetëra objekte arkeologjike me vlerë të madhe historike:..
Gjatë gërmimeve të shpëtimit në nekropolin perëndimor të qytetit të lashtë të Heraclea Sintica pranë fshatit Rupite, arkeologët hasën në një zbulim unik: një fytyrë të gdhendur në mermer me mjeshtëri të jashtëzakonshme mbi një gur varri. Zbulimi ndodhi..