A e dini se ndërtesa e "Bibliotekës së kryeqytetit" në sheshin "Sllavejkov" në Sofje është projektuar nga një prej arkitekteve më të mira femra në Bullgari - Viktoria Angellova, në vitin 1926. Dhe nëse tani po pyesni veten se pse ky fakt është kaq i rëndësishëm, do të themi se është pjesë e historisë së arkitekturës bullgare dhe të luftës globale për barazi gjinore.
Ashtu si në shumë fusha profesionale dhe në arkitekturë, grave u është dashur të ecin në një rrugë të vështirë dhe armiqësore për të dëshmuar talentin e tyre dhe për të fituar të drejtën e tyre për arsimim dhe punë. Një pjesë të kësaj rruge të vështirë e tregon ekspozita “Zonja Arkitekte, FRAU ARCHITEKT”, e prezantuar tek ne nga “Goethe-institut” Bullgaria dhe Fondacioni “Modernizmi Arkitekturor Bullgar”, kushtuar grave në profesionin e shekullit të 20. Ekspozita hapet më 4 korrik në Kopshtin e Qytetit në Sofje dhe prezanton njëzet portrete të zonjave dhe kontributin e tyre shoqëror dhe historik në dy kontekste të ndryshme - gjerman dhe bullgar. Pjesa e parë e ekspozitës fokusohet mbi realitetin gjerman, të përgatitur nga Muzeu Arkitekturor Gjerman nga Frankfurti i Mainit (Deutsches Architekturmuseum) dhe tanimë është prezantuar në disa shtete evropiane, kurse kontributi bullgar mbi temën është provë për plotësimin e pamjes së përgjithshme në Evropë. Ajo është vepër e Vasill Makarinovit dhe Teodor Karakolev nga Fondacioni “Modernizmi Arkitekturor Bullgar”. Të dy historianët punojnë me një ngulm të madh gjatë viteve të fundit për popullarizimin e shembujve të mirë arkitekturor nga periudha e ndërluftës në vendin tonë, për njohjen, kuptimin dhe ruajtjen e tyre. Dhe këtu vjen veçoria e parë e projektit në Sofje - ekspozita gjermane nuk ka kufizime kohore dhe “arrin” deri në kohën moderne. Pjesa bullgare është e kufizuar vetëm në vitet ndërmjet dy luftërave botërore. “Kjo është periudha fillestare, në të cilën gratë lejohen që të hyjnë në këtë profesion mjaft mashkull konservator" - sqaron për Radio Bullgarinë Teodor Karakolev.
“Gratë e para arkitekte në Bullgari u paraqitën në periudhën e Luftës së Parë Botërore për shkak të largimit të shumë burrave për në front dhe shfaqjes së një vakumi profesional, i cili u plotësua prej tyre. Me një rëndësi është të themi se, në këtë periudhë nuk kishte një arsim arkitekturor në Bullgari dhe që të gjithë, të cilët kanë pasur dëshirë dhe mundësi është dashur që të përfundojnë arsimin e tyre jashtë shtetit, kryesisht në Gjermani në Munih, Dresden apo Berlin.
Deri në mesin e viteve 40 të shekullit të 20 rreth 30 arkitekte bullgare diplomohen nga një arsim i tillë. Përqindja e grave nga të gjithë arkitektët bullgarë nuk është e madhe - nën 10%. Vetëm deri në vitin 1935 ka pak mbi 400 arkitektë me të drejta të projektimit në vend. Mjerisht ne dimë shumë pak për punën e dy arkitekteve të parë të diplomuara bullgare - Maria-Lluiza Doseva dhe Elena Markova, të cilat i kanë përfunduar studimet e tyre gjatë vitit 1917, përkatësisht në Darmstadt dhe Berlin. Emrat më të njohur e të shquar –Viktoria Angjellova-Vinarova dhe Elena Vakarxhieva-Skordeva, të cilat janë pjesa kryesore e ekspozitës, kanë marrë diplomat e veta pak më vonë, në fillim të viteve 20 të shekullit të kaluar.”
Paralelet midis realitetit bullgar dhe gjerman për gratë në arkitekturë janë të shumta. Por, që të gjitha ato ndeshen me paragjykimet e shoqërisë dhe shpeshherë arrijnë t'i kapërcejnë, gjë që flet për vendosmërinë e tyre, mendon Teodor Karakolev.
“Një nga gjërat më interesante tek Viktoria Angjellova është se ajo e fillon praktikën e saj si arkitekte pranë Ministrisë së Ndërtimeve Publike dhe gjatë një prej konkurseve të zhvilluara, të cilin ajo e fiton, investitori nuk i ka besuar asaj dhe zgjedh një projektues tjetër. Shkaku është se, sipas tij njëkohësisht është shumë e re dhe grua. Por kjo fare nuk e pengoi dhe gjatë viteve ajo arriti të imponohet në jetën shoqërore dhe profesionale të vendit. Ishte me kuriozitet të shikojmë se, kolegët tanë gjermanë kanë vënë në dukje faktin se Iris Dulin (Iris Dullin-Grund) në vitet 60 arrin një pozicion të ngjashëm të lartë publik të një arkitekti të qytetit në Republikën Demokratike Gjermane, ndërsa në Bullgari kjo ndodh akoma në vitin 1926” - tregon Karakolev.
“Në vitet, në të cilat vjen modernizmi imponohet një stil më i pastër, i cili flet jo aq për zbukurimin, por për vëllimet e ndërtesave, për ngjyrat dhe veçoritë e suvave të fasadës.Dhe shumë shpesh gjatë kohës së vizitave arkitekturore, të cilat i bëjmë në qytete të ndryshme kjo duket dhe dallohet shumë lehtë” - tregon Karakolev.
Ekspozita mund të shihet në kopshtin e Qytetit të Sofjes deri më 18 korrik.
Përgatiti në shqip: Nataniela Vasileva
Foto: siguruar nga organizatorët
Drama biografike 138-minutëshe e Italisë, Francës dhe Spanjës “Limonov” fitoi Çmimin e Madh për Përshtatje Mjeshtërore Letrare në Konkursin Ndërkombëtar të Filmit me metrazh të gjatë Cinelibri . Favoriti u shpall nga kryetarja e jurisë, aktorja..
Pak ditë më parë në qytetin tonë të Detit të Zi Burgas u hap një hapësirë ku arti, shkenca dhe magjia i japin dorë njeri tjetrit. Mysafirët e Muzeut të ri të së Pamundshmes transportohen në botët paralele për të mësuar më shumë rreth universit...
Institucioni më i madh i arsimit të lartë në Portugali ka 252 000 studentë, 20 000 prej të cilëve janë nga kombësi të tjera. Në këtë konglomerat të veçantë kulturash, një vend të veçantë për më shumë se 30 vjet ka edhe kultura bullgare. Lektorati i..