Zanatet tradicionale bullgare janë transmetuar me shekuj nga babai te djali, nga mjeshtri te nxënësi. Dhe veprat e tyre po vazhdojnë të na mahnitin edhe sot e kësaj dite. Por sot, për fat të keq, nuk ka pothuajse asnjë vazhdimësi dhe shumë nga zanatet do të zhduken pasi ndahet nga jeta mjeshtri i fundit në fshat apo në qytet.
"Njerëzit i lanë pas dore zejet dhe të gjithë u zhytën në dinamikën e jetës së përditshme për të nxjerrë bukën e gojës," thotë Mitko Mlladenov, kryetari i Dhomës Rajonale të Zejtarisë në Vidin. Sipas tij, disa nga zejet në rajonin veriperëndimor janë duke u zhdukur – të harruara nga Zoti dhe nga të gjitha institucionet. “Ne po përpiqemi të bëjmë diçka, por pa sukses”, thotë ai. Organizata që Mitko Mlladenov drejton ka 700 anëtarë, por vetëm 37-38 prej tyre janë aktivë – të tjerët nuk kanë para as për të paguar anëtarësimin.
“Rreth gjysma e zejeve nuk mund të zëvendësohen me teknologjitë moderne, sepse në punimet e dorës njeriu ia jep zemrën dhe shpirtin e tij”, tha Mitko Mlladenov për BNR-Vidin.
Zanatet karakteristike të rajonit si qeramika dhe gdhendja janë në rënie, sepse njerëzit nuk kanë mundësi për t’i blerë sendet e artizanatit. E nëse nuk mbështeten mbrojtësit e fundit të traditës, së shpejti për këtë trashëgimi kulturore do të flasim vetëm në kohën e shkuar.
“Për mua nuk ka shtet, ai sillet si njerkë – është kategorik Mitko Mlladenov. – Jo vetëm në këtë aspekt, por edhe në përgjithësi nuk krijohet asgjë e re. Të gjithë thonë - jepni para, duan kasa. Po si mund të ekzistoj unë si artizan duke përdorur një aparat të tillë? Në fund të fundit, kasa kërkon shërbim, specialist i cili të merret me llogaritë. Ata thjesht më ndalojnë të punoj.”
A janë gjërat ndryshe në prodhimin e bukës?
“Këto zeje në të shumtën e rasteve bëhen industriale dhe zierja tradicionale me dorë e bukës pothuajse mungon në treg - përgjigjet Stilijan Kamenov, përfaqësuesi i zejtarisë dhe kryetar i Dhomës Rajonale të Artizanatit në Montana. - Në qytet ka dy furra që gatuajnë bukën sipas recetave tradicionale, por shumica janë industriale. Ndaj kanë mbetur disa aty-këtu dhe furrat e vogla mund t'i dallosh nga radhët para tyre. Aty gatuhet buka cilësore. Megjithatë, për momentin ata e kanë të vështirë të mbijetojnë – kriza energjetike i prek më së shumti, sepse prodhuesit e mëdhenj të bukës diktojnë çmimet dhe ato po rriten”.
Sipas Stilijan Kamenovit, shumë njerëz në Montana po heqin dorë nga zanatet tradicionale. Kështu, në qytet mbetën vetëm një këpucar dhe dy orëndreqës. Nga ana tjetër ka një vazhdimësi në prodhimin e bozës, si dhe në punimet me gjilpërë, një zanat që përcillet brez pas brezi.
Poçari nga Vraca, Kuman Zhekov, ka përshtypje të tjera: “Më e mira është se njerëzit në rajonin tonë kanë filluar t'u kthehen disa zanateve të vjetra, të kërkojnë autentiken, të punuar me dorë”, pohon mjeshtri që bën sgraffito, qeramikë antike dhe shtëpiake. Vajza e tij tashmë e ka trashëguar zanatin, ndërsa vetë ai ka disa trashëgimtarë - zejtarë të pavarur. Prandaj, në kundërshtim me mendimin e përhapur në shoqëri, Kuman Zhekov u jep kolegëve të tij këshilla të vlefshme.
“Dikur thonin se zanati vidhet – thotë Kuman Zhekov. – Nuk është mirë të vjedhësh një zanat, më mirë ta dhurosh dhe nxënësit ta zhvillojnë më tej. Sepse nëse ata i kalojnë hapat tuaj, do të arrijnë nivelin tuaj dhe nuk do të ketë përmirësim. Ndaj i këshilloj të gjithë artizanët që të mos e fshehin zanatin, por thjesht t’u tregojnë të rinjve gjithçka që dinë.”
Kuman Zhekov shton se për t'u bërë mjeshtër dhe për të siguruar jetesën nga zanati i tij, nxënësi përjeton vështirësi të ndryshme. Pra, duhet të ketë mjete dhe këtu është roli i shtetit. Miqtë artizanë jashtë thonë se qeveritë i ndihmojnë shumë zejet e vjetra”, thekson ai. Dhe uron që pushtetarët e ardhshëm të mendojnë për shpëtimin e kësaj pasurie kulturore.
Përpiloi: Diana Cankova /sipas intervistave të Pllamen Kocevit nga BNR-Vidin/
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: BGNES, Facebook / @kalibagrii, BNR - Vidin, arkiv
Në rrëzë të parkut pyjor të qytetit të Momçillgradit në malin е Rodopeve, zhvillohet edicioni i dytë i Farmfestës "Momçillgrad". Festivali i fermerëve u ofron vizitorëve të tij pjata të shijshme nga Rodopet, njohje me kafshët dhe racat vendase,..
Gjatë gjithë të shtunës, më 25 maj, rezervati arkeologjik Nikopolis ad Istrum pranë Veliko Tërnovos do të presë edicionin e shtatë të Festivalit Antik "Nike - loja dhe fitorja" . Këtë vit në ngjarje do të ketë pjesëmarrës nga Austria, Gjermania,..
Në ditën e tetë para Pashkëve, ne festojmë Ditën e Shën Llazarit. Është e para nga tre festat kryesore të krishtera që lidhen me mrekullinë e Ringjalljes, e ndjekur nga e Diela e Palmave dhe Pashkët. Festa festohet çdo vit në data të ndryshme, por..