Një nga veçoritë me të cilat do të mbahen mend dy mandatet e Presidentit Rumen Radev është se ai është kreu i shtetit i cili emëroi më shumë kabinete teknike. Deri më sot, qeveria aktuale e njëqindtë në historinë politike bullgare është e katërta e emëruar prej tij dhe koha do të tregojë se sa të tjera do të pasojnë. Krahas detyrës kushtetuese për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve të ndershme dhe transparente, qeveria e përkohshme ka të drejtën të marrë vendime aktuale që nuk kërkojnë miratimin e Kuvendit Popullor. E synuar të jetë garantuese e stabilitetit, ajo nuk duhet të shkaktojë pakënaqësi civile të provokuar nga hapi i gabuar i dikujt. Por në ditën e katërt të punës, qeveria provokoi një pjesë prej qytetarëve, duke njoftuar një situatë kritike për furnizimin me gaz:
“Problemi me furnizimin me gaz ishte më shumë një problem komunikimi. Disa nga ministrat në kabinetin zyrtar janë personalitete fort pro-evropiane si Atanas Pekanov. Prandaj mendoj se kthesa në lindje është e pamundur, pasi politikanët nuk janë vendosur për një ndryshim kaq kardinal”, – tha politologu Ivajllo Dinev në një intervistë për BNR.
Padyshim që hapa të tillë dhe deklarata të pamatura “hedhin shumë ujë në mullirin” e kritikëve të idesë së ekzistencës së kabineteve teknike. Sipas analistit Hristo Pançugov, nevoja për një qeveri të përkohshme u duk në fillimin e demokracisë për të kufizuar ndikimin politik të partisë komuniste, në kohën e daljes nga sistemi socialist. Por tani:
“Një nga detyrat e parlamentit të ardhshëm, pavarësisht se sa do të zgjasë, është të vendosë për heqjen e qeverive të përkohshme si formë qeverisjeje në politikën bullgare. Kur kemi zgjedhje të rregullta nuk emërohet një qeveri e përkohshme, d.m.th. për disa muaj shteti mund të funksionojë pa e kapur njeri dorën e administratës shtetërore.”
Disa nga kabinetet e përkohshme kanë mundësinë të qeverisin më shumë kohë sesa një qeveri e zakonshme. Ata gradualisht u bënë pjesë integrale e procesit politik bullgar dhe kjo për shkak të një sërë problemesh krejtësisht të brendshme politike në vetë partitë - është i bindur politologu Strahill Delijski.
“Një pjesë e madhe e partive politike e imagjinojnë kuptimin e ekzistencës së tyre si një pozicionim të detyrueshëm në raport me të tjerët, me gatishmëri për të argumentuar, por jo në përpjekje për të shprehur interesat e një grupi të caktuar të shoqërisë. E gjithë kjo po ndodh në sfondin e rënies së besimit në të gjitha subjektet politike dhe një ngurrimi në rritje për të marrë pjesë në procesin zgjedhor” - shpjegoi Delijski.
Numri në rritje i atyre që nuk votojnë nuk duhet të jetë befasues për një arsye tjetër. Fjalët kyçe kryesore në programet e të gjitha partive janë biznesi, tregu, korrupsioni dhe nuk ka asnjë forcë të vetme politike që mbron interesat e më të pambrojturve dhe qëndron dukshëm në të majtë, thekson Delijski dhe shpjegon:
“Shumica dërrmuese e popullsisë është e varfër, ka nevojë për dikë që t’i ofrojë një rishpërndarje të burimeve, dikë që t’i ofrojë një sistem taksash më kuptimplotë evropian, të mira publike më të aksesueshme, dhe jo shërbime publike të paguara. Në programet e partive gjëra të tilla mungojnë, prandaj është më e natyrshme që këta votues të qëndrojnë në shtëpi.”
Prandaj, ka gjasa që “Po e vazhdojmë ndryshimin” do të humbasë votat në zgjedhjet e tetorit, sepse nuk kanë elektoratin e tyre, parashikon Delijski dhe përfundon: “Nuk mendoj se bashkimi me “Bullgarinë Demokratike” do të sjellë më shumë vota”.
Përpilues: Joan Kolev
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Foto: BGNES
Një mosmarrëveshje parazgjedhore përçau partitë në pushtet të koalicionit të madh në Rumani Dy muaj përpara zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në Rumani, socialdemokratët në pushtet dhe liberalët hynë në një mosmarrëveshje. Kjo ndodhi për..
Presidenti Rumen Radev u bëri thirrje përfaqësuesve të institucioneve përgjegjëse për zhvillimin e zgjedhjeve për veprime bindëse kundër blerjes së votave. Në takimin me kreun e shtetit morën pjesë ministri i punëve të brendshme Atanas..
Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut: Nuk do të devijojmë nga anëtarësimi në BE, por nuk do të pastrojmë këpucë Duke vlerësuar 100 ditët e para të kabinetit të tij, kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski raportoi se qeveria ia ka..
Një parlament edhe më shumëngjyrësh u përvijua nga vota e zgjedhësve në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 27 tetorit. Parashikimet fillestare ishin..
"Maqedonia e Veriut ende nuk ka miratuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese për të përfshirë në kushtetutë qytetarët që janë pjesë e kombeve të..