86 vjet histori dhe një fillim i ri! Me buzëqeshje, entuziazëm dhe premtime për mbështetje, Redaksia e Gjuhës Rumune e Radio Bullgarisë u prezantua para disa ditësh në “Shtëpinë e Vjetër”, si e quajmë Radion Kombëtare Bullgare (BNR) Bashkë me rumanishten, familja jonë gazetareske u rrit dhe numri i gjuhëve në të cilat BNR-ja komunikon me botën tashmë është 11.
“Jam i sigurt se ky është vetëm fillimi – në të ardhmen do të zhvillojmë si përmbajtjen tonë tekstuale, ashtu dhe tingullin, pse jo edhe videon – theksoi drejtori i përgjithshëm i BNR-së Milen Mitev. - Besoj se kjo faqe do të kontribuojë në marrëdhëniet edhe më të mira dhe më të ngushta mes Bullgarisë, Rumanisë dhe Moldavisë. Besoj se kjo është pjesë e misionit të radios publike – të nxisë lidhjet dhe bashkëpunimin kulturor dhe të ofrojë informacion të verifikuar, të besueshëm dhe të plotë”.
Momenti kur hapet faqja e re e medias sonë në gjuhën rumune është jashtëzakonisht i rëndësishëm - në sfondin e ngjarjeve gjeopolitike në Evropë, të dyja vendet janë në prag të pranimit në zonën Shengen. Ky vit shënon edhe dy përvjetorë të rëndësishëm - 30 vjet nga nënshkrimi i Memorandumit të Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe Miqësisë midis Rumanisë dhe Bullgarisë dhe 15 vjet nga anëtarësimi i të dyja vendeve në Bashkimin Evropian, na kujtoi Ambasadorja e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë e Rumanisë në Republikën e Bullgarisë, Shkëlqesia e Saj Brandusa Ioana Predescu.
“Desha të vërej me shumë gëzim se ky është një mjet modern dhe i shumëpritur që do t'i afrojë edhe më shumë njerëzit nga të dyja anët e Danubit. Dhe ajo që më gëzon më së shumti është se bashkatdhetarët tuaj që flasin rumanisht, veçanërisht komunitetet që jetojnë në jug të Danubit, në Vidin, do të kenë mundësinë të lexojnë dhe dëgjojnë një produkt radio informativ jashtëzakonisht cilësor në gjuhën e tyre. Po angazhohem zyrtarisht, në përputhje me mundësitë tona modeste, si ambasador dhe ambasadë, se do të bëjmë ç' është e mundur për t'i afruar dy Radio Institucionet tona Kombëtare, jo vetëm për shkëmbimin e përvojës, por edhe për shkëmbimin e përmbajtjeve, të cilat do të ndihmojë gjithashtu komunitetin e mrekullueshëm bullgar në atdheun tim të dëgjojë materiale me interes për ta në gjuhën rumune.”
Në ceremoninë përpara Studios së Parë në godinën e BNR-së mori pjesë edhe Ambasadori i Republikës së Moldavisë në vendin tonë Shkëlqesia e Tij Anatol Cebuc, i cili shprehu mbështetje për promovimin dhe shpërndarjen e përmbajtjes në gjuhën rumune të Radio Bullgarisë.
“Për ne është jashtëzakonisht e këndshme që do të dëgjojmë lajme dhe materiale në një gjuhë evropiane, në gjuhën e një vendi fqinj, në gjuhën e miqve tuaj! Kjo ka një rëndësi të madhe për rritjen e numrit të turistëve, për bizneset në rajon që po zhvillohen gjithnjë e më shumë dhe për të gjithë qytetarët tanë që e vizitojnë Bullgarinë. Ju jam jashtëzakonisht mirënjohës!”
Me mirënjohje iu drejtua gazetarëve dhe publikut të mbledhur edhe kolegja jonë e re nga Redaksia e sapokrijuar e Gjuhës Rumune Julia Bahovski.
“Desha të falënderoj veçanërisht punonjësit e ambasadave të Rumanisë në Sofje dhe të Bullgarisë në Bukuresht dhe të them se ngjarjet dhe iniciativat e tyre përtej politikës, që lidhen me kulturën, besimin, traditat, nuk mund të prekin njerëzit dhe zemrat e tyre, nëse ne, mediat, nuk i ndihmojmë ata. Dua që ju të dini se mund të mbështeteni tek ne. Falënderoj edhe BNR-në për këtë iniciativë dhe mundësinë për të qenë pjesë e këtij ekipi.
Marrëdhëniet me Rumaninë ishin lënë pas dore për një kohë të gjatë, mendon Vladimir Mitev, për të cilin Radio Bullgaria gjithashtu u bë shtëpi profesionale.
“Seksioni rumun i Radio Bullgarisë do të lidhet si ide dhe koncept me pjesën tjetër të programeve në gjuhë të huaj që tashmë i njohin dëgjuesit dhe lexuesit tanë. Do të kemi materiale të përkthyera nga përmbajtja e Radios Kombëtare Bullgare, por edhe tema të rëndësishme dhe të dobishme autoriale. Ekipi ynë përbëhet nga tre persona - unë, gazetarja Julia Bahovski, rumune me bashkëshort bullgar dhe redaktori ynë Aleksandër Ionashku, i cili është doktor i shkencave filologjike. Të gjithë ne kemi kontakte me organizata dhe persona të ndryshëm që janë lidhur me marrëdhëniet bullgaro-rumune dhe besojmë se do të shfaqen shumë përmbajtje interesante dhe të dobishme për përdoruesit e BNR.
Vladimir Mitev u diplomua për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Studime Iraniane në Universitetin “Shën Klementi i Ohrit” dhe me vite punoi në revistën javore “Tema”. Aty vendosi të kënaqë pasionin e tij të kahershëm për Rumaninë, mësoi gjuhën dhe filloi të pasqyronte ngjarjet socio-politike në fqinjin tonë verior. Shtatë vjet më parë, ai krijoi gjithashtu blogun e tij bullgaro-rumun "Ura e Miqësisë" që mban emrin e urës midis Ruses dhe Giurgiut.
Në mënyrë logjike vijon pyetja, a njihemi mjaftueshëm dhe sa e fortë është Ura e Miqësisë mes bullgarëve dhe rumunëve?
“Mendoj se trendi është pozitiv dhe se vetë vendimi për të hapur Redaksi të Gjuhës Rumune në Radio Bullgarinë është një pranim se ka nevojë dhe interes për të zhvilluar këtë njohje. Për mendimin tim, mes bullgarëve dhe rumunëve ka një inerci nga kohët e kaluara dhe stereotipe të mbetura negative. Ekziston nevoja për të zbuluar fqinjët tanë në tërësinë e tyre. Dhe kështu, duke u njohur njëri tjetrin, do të mund të pranohemi më lehtë.
Ju ftojmë të vizitoni faqen e internetit në gjuhën rumune në sajtin e BNR.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: Ani Petrova
Në fillim të programit tonë do të dëgjoni lajmet e fundit. Në rubrikën tonë të përditshme “Kënga e Ditës” ju ofrojmë këngën "Të pëlqej" në interpretim të Bellosllavës dhe reperit Bobo. Ju urojmë minuta të këndshme! 01.44 - Lajmet 12.41 -..
Në këtë program më parë mund të dëgjoni lajmet e ditës. Në “Këngën e ditës” do t’ju informojmë për koncertin e Big Bendit të Radios Kombëtare Bullgare kushtuar Krishtlindjeve. Ju urojmë minuta të këndshme! 01.23 – Lajmet 10.50 – Kënga e..
Në fillim të programit tonë do të dëgjoni lajmet e fundit. Në rubrikën tonë të përditshme “Kënga e Ditës” ju ofrojmë këngën "Të dy" në interpretim të Desi Dobrevës. Ju urojmë minuta të këndshme! 01.31 - Lajmet 14.32..