Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Ngjarjet me adresë ballkanike

U var një figurë e Erdoğanit në Stokholm, Turqia thirri ambasadorin e Suedisë

Ambasadori i Suedisë në Turqi Staffan Herrstrom

Një figurë që i ngjan presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan u var të enjten me kokë poshtë nga aktivistët kurdë para bashkisë së qytetit të Stokholmit dhe një video e aksionit u shpërnda në mediat sociale. Pasoi një reagim i ashpër nga Ankaraja. “Ne e dënojmë fuqishëm këtë akt të urryer kundër presidentit të një vendi që ka qenë anëtar i NATO-s për 70 vjet, në një vend që dëshiron të bëhet anëtar i NATO-s dhe i bëjmë thirrje Suedisë që të marrë masa të menjëhershme”, tha ministri turk i mbrojtjes Hulusi Akar, cituar nga Agjencia e Anadollit. Për shkak të rastit në fjalë, ambasadori i Suedisë në Turqi është thirrur me urgjencë në Ministrinë e Jashtme turke. Ministri i Jashtëm suedez Tobias Billström dënoi ashpër sulmin ndaj personalitetit të presidentit turk, i cili vjen në një kohë kur Suedia pret që Turqia të ratifikojë hyrjen e saj në NATO.

Greqia u jep 14500 euro romëve të papunë për të nisur një biznes


Sipas një studimi të Komisionit Evropian për Greqinë, papunësia e lartë tek romët është një pengesë për integrimin e tyre. Për të përballuar këtë problem, rajoni i Atikës po fillon një program për ndihmë ekonomike për romët e papunë nën moshën 40 vjeç, me prioritet gratë, raporton korrespondentja e BNR Katja Peeva nga Greqia. Të interesuarit do të përfitojnë nga 14500 euro secili për të nisur një biznes të vogël familjar. Një nga kushtet është që ata të jetojnë në zona të banuara nga romët. Programi gëzon interes të madh dhe është për një periudhë njëvjeçare. Nëse ka sukses, autoritetet janë të gatshme ta vazhdojnë atë. Më shpesh, fondet kërkohen për hapjen e dyqaneve të vogla, ose për furnizimin e kopshteve dhe shkollave me ushqim. Programi pritet të mbulojë edhe fusha të tjera në Greqi.

Si ndryshon kontrolli kufitar në Kroaci me hyrjen e saj në Shengen?


Që nga 1 janari, Kroacia është anëtare e plotë e zonës Shengen. Që nga kjo datë, 73 pikat kufitare të vendit me Slloveninë dhe Hungarinë janë mbyllur, tha ministri i brendshëm Davor Bozhinoviç për BNT. Ndër sfidat e diskutuara në nivel evropian është rritja e emigrantëve nga Afrika (Burundi), Azia (India), Kuba, të cilët zbarkojnë ligjërisht në aeroportet e Beogradit ose Sarajevës, dhe më pas vazhdojnë për në kufirin me Kroacinë, duke u përpjekur të kalojnë ilegalisht përmes kufijve të gjelbër dhe për të kërkuar azil. “BE-ja tashmë i ka njoftuar fqinjët tanë se do të duhet t'i sjellin regjimet e tyre të vizave në përputhje me politikën e përbashkët evropiane të sigurisë, pasi ky është një nga parakushtet për vendet kandidate për në BE”, theksoi Bozhinoviç.
Kontrollet ajrore midis Kroacisë dhe vendeve të tjera anëtare të Shengenit pritet të bien më 26 mars. Kroacia tani do të jetë në gjendje të lëshojë viza Shengen dhe kushdo që ka një vizë për çdo shtet anëtar të Shengenit do të mund të hyjë në Kroaci pa asnjë formalitet vize.

Shqipëria shënon rritje 15% të eksporteve bujqësore


Eksportet e produkteve bujqësore nga Shqipëria janë rritur me 15,6% në vitin 2022 krahasuar me vitin 2021, tha ministrja e bujqësisë e Shqipërisë, Frida Krifca, cituar nga agjencia ATA. “Eksportet e produkteve bujqësore arritën në afro 500 milionë euro në fund të vitit 2022, krahasuar me 430 milionë euro në vitin 2021, që është rritja më e lartë e arritur ndonjëherë në bujqësinë shqiptare”, tha Krifca. Krahas investimeve në sistemet e ujitjes dhe pastrimit, fermerët shqiptarë u ofrohet edhe mbështetje financiare nëpërmjet një skeme kombëtare për mbështetjen e shtetit për bujqësinë dhe zhvillimin rural dhe sigurimin e karburantit pa tarifë për uljen e kostove të prodhimit, raportoi BTA. Produktet kryesore që eksportohen nga Shqipëria janë perimet e serrave - domatet, kastravecët, specat, lakra, qepa, preshi etj.

Përpiloi: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

Foto: dha.com.tr, cnn.gr, EPA/BGNES, ata.gov.al


Më shumë nga rubrika

Takimi i ministrave Ivan Kondov dhe Igli Hasani gjatë sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork

Për Sofjen dhe Tiranën, Korridori Nr. 8 mbetet një objektiv i përbashkët strategjik

Në Nju Jork, në kuadër të sesionit të vjeshtës të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ministri i jashtëm në detyrë Ivan Kondov u takua me ministrin për Evropën dhe punët e jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani. Ata kanë shprehur gatishmërinë për të..

botuar më 24-09-24 8.52.PD
Матео Пиантедози

Ngjarjet me adresë ballkanike

Italia hap dy qendrat për emigrantët në Shqipëri Italia do të hapë në tetor të parën nga dy qendrat për emigrantët në territorin e Shqipërisë. Kështu ka bërë të ditur ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi, raporton ANSA. Të dy vendet..

botuar më 24-09-21 7.05.PD

Vlerësimet për resorin bullgar në KE - nga kënaqësia deri në zhgënjim

Komisionerja bullgare Ekaterina Zaharieva merr resorin "Start-ups, kërkimet shkencore dhe inovacionet" në Komisionin e ardhshëm Evropian. Për mediat, Ekaterina Zaharieva e përcaktoi resorin e saj si "portofoli i së ardhmes", dhe më pas refuzoi t'u..

botuar më 24-09-17 5.34.MD