Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Bileta bullgare drejt shpëtimit

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Bullgaria lëshoi mbi 12 000 viza tranziti për hebrenjtë

Refugjatët hebrenj nga Evropa e pushtuar nga Hitleri në rrugën e tyre përmes Mesdheut për në Palestinë
Foto: arkiv

Vuajtja më e madhe e shekullit të 20-të ishte Lufta e Dytë Botërore. Një faqe e tmerrshme e historisë së saj është gjenocidi i miliona hebrenjve gjatë Holokaustit. Mësimet e përgjakshme të shekullit të kaluar çojnë në nënshkrimin e Konventave të Gjenevës për Mbrojtjen e Civilëve në Kohë Lufte dhe Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut të 10 dhjetorit 1948. Dokumenti thekson se të drejtat dhe liritë e njeriut jepen që nga lindja dhe autoritetet shtetërore duhet të garantojnë barazi, mbrojtje nga dhuna dhe keqtrajtimi që cenon dinjitetin njerëzor. Lufta gjithmonë e ka keq punën me ligjin. Ajo nuk është një garë humanizmi. Por edhe në luftë, për të kufizuar vuajtjet dhe humbjet e jetës njerëzore, të gjithë janë të detyruar të udhëhiqen nga i ashtuquajturi ligj i zemrës - Caritas, i cili është i detyrueshëm të paktën për refugjatët.

Sipas parimit të Caritas-it, gjatë periudhës 1939-44, Mbretëria e Bullgarisë lëshoi mijëra viza për hebrenjtë që iknin nga nazistët në Evropë. Kësaj teme pak të studiuar i kushtohet përmbledhja më e fundit dokumentare e "Institutit për Studime Historike" pranë Akademisë Bullgare të Shkencave. Drejtori i saj, Prof. Daniell Vaçkov, thotë se në librin “Ura e shpëtimit – tranziti i hebrenjve nëpër Bullgari në vitet e Luftës së Dytë Botërore” dokumentet dallojnë qartë dy periudha. Njëra është kur Bullgaria është neutrale dhe përpiqet të mos përfshihet në luftë, dhe mijëra hebrenj kalojnë përmes vendit në Lindjen e Mesme me viza tranziti bullgare deri në pranverën e vitit 1941. E dyta, kur vendi ynë detyrohet, nën kërcënimin e pushtimit, të hyjë në luftë - atëherë vazhdon të lëshojë vizat e shpëtimit për hebrenjtë, por në një shkallë më të kufizuar.

“Në këtë situatë, duhet të themi se Bullgaria duhet të manovrojë mes shumë faktorëve dhe, pavarësisht kësaj, ajo arrin të bëjë politikën e saj në lidhje me këtë që shfaqet si një problem i tmerrshëm – gjenocidin hebre, që nuk është i lehtë. Në periudhën e parë të neutralitetit, Bullgaria ishte një vend tranzit shumë aktiv për refugjatët hebrenj që tashmë ishin të bllokuar në dominimin nazist të Evropës. Hebrenjtë kalojnë nëpër Bullgari kryesisht nga Evropa Qendrore - nga Republika Çeke, Hungaria, Rumania, në një masë më të vogël nga Polonia. Këta refugjatë mbërrijnë ose me tren ose me anije përmes Danubit. Ata vendosen për disa kohë në portet bullgare pasi kanë marrë vizën e nevojshme transit dhe organizohet transferimi i tyre në Palestinë me anije të ndryshme.

Dramat koloniale të Britanisë në Lindjen e Mesme u shfaqën të ishin një pengesë për emigracionin hebre përmes Bullgarisë dhe Turqisë. Diplomacia britanike protestoi në mënyrë aktive dhe pengoi tranzitin e hebrenjve. Përpjekja për të evakuuar 4500 fëmijë hebrenj dhe për të shoqëruar 500 të rritur përmes Bullgarisë përmes Kryqit të Kuq Zviceran ishte gjithashtu një skenar po aq tragjik. Nxjerrja e organizuar në media e informacioneve për negociatat sekrete ia arriti qëllimin e saj dhe ato dështuan, thotë prof. Vaçkov.

“Këto negociata zhvillohen në nivelin më të lartë, nga Ministri i Jashtëm. Vini re kohën kur filluan dhe u zhvilluan këto negociata - në fund të vitit 1942 dhe në fillim të vitit 1943, kur ishte pikërisht ky presion i tmerrshëm i Gjermanisë për të dëbuar hebrenjtë. Që tregon se qeveria ka një qëndrim ndaj hebrenjve që nuk korrespondon me atë të Rajhut, dhe kjo duket nga dokumentet”.

Mungojnë ende të gjitha dokumentet për të thënë me siguri se cili është numri i saktë i hebrenjve të shpëtuar që kanë marrë viza tranziti bullgare, shpjegon historiani dhe shton:

“Kjo ishte një biletë shpëtimi për ta. Duke marrë këtë vizë, ata mund të kalojnë, të arrijnë fillimisht në Turqi dhe prej andej pastaj në Palestinë. Gjatë gjithë luftës, duke pasur parasysh kalimet intensive të hebrenjve me anije, sidomos deri në vitet 1941-42, dimë edhe tragjedinë e anijes "Struma"*, të shkatërruar nga një nëndetëse ruse, por bëhet fjalë për rreth 12 000 refugjatë hebrenj që kaluan përmes Bullgarisë. Personalisht, megjithatë, mendoj se më anë të vizave mund të zbulohen më shumë dhe ky numër mund të arrijë në 15 000. Pra, flasim për një moment shumë të rëndësishëm dhe një rol shumë të rëndësishëm të Bullgarisë në një situatë jashtëzakonisht kritike të Luftës së Dytë Botërore. ."

Anija „Struma“

Studiuesi e konsideron të nevojshme që përmbledhja të përkthehet edhe në anglisht. Ai është i bindur se kjo nuk do të kushtojë shtrenjtë sepse shumica e burimeve të reja dhe të pasura të arkivave të përdorura janë në gjuhën angleze, me përjashtim të dokumenteve bullgare dhe gjermane.

*Anija bullgare "Struma" niset nga porti i Detit të Zi të Konstancës /në territorin e Rumanisë së sotme, deri në vitin 1919 - territori bullgar - shënim red./. Pas një aksidenti, më anë të tërheqjes ajo arriti në Stamboll. Qëndroi e bllokuar për 70 ditë nga autoritetet britanike, të cilët nuk e lejuan as të shkonte në bregdetin turk. Më 24.02.1942 u shkatërrua 14 milje larg Bosforit. 103 fëmijë, 269 gra dhe 406 burra - hebrenj rumunë dhe rusë - vdiqën.

Përgatiti në shqip: Kostandina Bello

Foto: Ivo Ivanov, ihist.bas.bg, arkiv



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Kompania 4093 – Emigrantët bullgarë krijojnë një njësi ushtarake speciale përtej Perdes së Hekurt

Kompania Kombëtare Bullgare Vullnetare 4093, si pjesë e Forcave të Armatosura Amerikane në Gjermaninë Perëndimore, u krijua më 20 tetor 1951. Ky nuk është një proces i lehtë, por tregon se ka një numër të konsiderueshëm bashkatdhetarësh tanë që nuk janë..

botuar më 24-05-06 7.30.PD

Mijëra njerëz festuan 148 vjet nga shpallja e Kryengritjes së Prillit në Oborishtе

Mijëra bullgarë morën pjesë në pelegrinazhin kombëtar në zonën historike "Oborishte", rajoni i Pazarxhikut, ku në prill të vitit 1876 u krijua Kuvendi i Parë Kombëtar Bullgar dhe delegatët vendosën shpalljen e Kryengritjes së Prillit. Në fjalimin..

botuar më 24-05-02 4.18.MD
“Çeta Fluturuese e Benkovskit”, artisti Petër Morozov

Të huajt në “Çetën Fluturuese” të Georgi Benkovskit

Krijuesi i organizatës së brendshme për Çlirimin e Bullgarisë, Vasill Levski , duke formuar komitetet revolucionare në trojet bullgare, ishte i pari që përfshiu të huajt që punonin në "Hekurudhën Lindore" të baron Moritz Hirsch. Në rrjetin e tij..

botuar më 24-04-22 5.22.MD