Duhen saktësisht tetëmbëdhjetë orë udhëtim nga Pllovdiv në Odesa për një botues, përkthyes, ish-deputet bullgar dhe mbrojtës të kauzës ukrainase, së bashku me mbështetësit e tij, që ndajnë të njejtat mendime, për të sjellë një rreze tjetër drite dhe shprese për njerëzit që jetojnë lajmet që ne shikojmë çdo ditë. Ai është Manoll Pejkov - forca shtytëse e nismës qytetare "Gjeneratorë për Ukrainën". Gjatë dy muajve të fundit, ajo ka bashkuar 5,400 donatorë nga Bullgaria, të cilët deri më tani kanë mbledhur 1,200,000 leva për blerjen e 404 gjeneratorëve, shumica e të cilëve tashmë janë dorëzuar në Ukrainë.
Që në mars të vitit të kaluar, disa ditë pas fillimit të luftës, Manoll Pejkov pranoi misionin personal për të ndihmuar - fillimisht me mbledhjen e donacioneve materiale, e më pas me mjete financiare për të blerë ilaçe esenciale, ushqime, rroba, këpucë për ushtarët, etj. "Deri në nëntor, rreth 270,000 leva u mblodhën për arsyje të ngjashme," tha ai për BNR-Pllovdiv. Më pas erdhi nevoja e madhe për gjeneratorë në zonat ndërluftuese dhe më 26 nëntor 2022 filloi nisma"Gjeneratorë për Ukrainën".
“Pasi blemë njësitë e para, njerëzit e pranuan këtë si një kauzë shumë të rëndësishme dhe gatishmëria e bullgarëve për të ndihmuar mori një dimension tjetër”, thotë Manolli. Të premten /20.01/ ai u nis personalisht drejt Ukrainës me një tjetër dërgesë “shprese”.
“Mbërritëm vonë në mbrëmje në kufirin ukrainas dhe gjëja e parë që pamë ishin flakët e mëdha të kashtës së djegur, të tilla nuk kisha parë kurrë në Bullgari – tregon botuesi i Pllovdivit për udhëtimin. – Dhe ishte disi e mbinatyrshme, sepse e dija që nuk kishte lidhje me luftën, por ishte gjithashtu si një simbol i saj. Doganierët ishin jashtëzakonisht miqësorë - pothuajse si anëtarë familjeje. Nuk kishte asnjë makinë në rrugë, vetëm kamionë të ndaluar që prisnin muzgun për të vazhduar rrugën. Lëvizëm pas orës së komisariatit (23:00) sepse kishim një mision special dhe në errësirë përshkuam distancën rreth 300 km deri në Odesa. Qyteti na përshëndeti në errësirë totale, si në ata filmat e Hollivudit ku njerëzimi është zhdukur. Disa semaforë po punonin, por kur arritëm në qendër të Odesës, gjithçka ishte e fikur. Genadij, miku ynë, na takoi me një shofer në errësirë të plotë dhe vetëm në mëngjes pashë se hoteli ku po qëndronim ishte pikërisht përballë teatrit të famshëm të Odesës. Për fat të mirë, gjatë ditës është krejtësisht ndryshe. Qyteti është i gjallë, pulson, aty pranë nesh kishte dhe dy dasma. Njerëzit martohen, përqafohen, bërtasin “puthe”. Jeta vazhdon dhe duhet të vazhdojë, nuk mund të ndalet dhe nuk duhet të ndalojë sepse dikush tjetër, në anën tjetër, ndoshta dëshiron pikërisht këtë - të trembë njerëzit dhe t'i bëjë ata të ndihen sikur jeta ka mbaruar, por ajo duhet të vazhdojë," – tregon lidhur me përvojën e tij Pejkov para Elena Krushkovës nga BNR-Pllovdiv.
Nuk mungojnë as momentet e krahasimit. Manolli shprehet në mënyrë kategorike se vitet e fundit, e sidomos muajt e fundit, tek bullgarët është kuptuar se nëse nuk e ndihmojmë veten, askush nuk do të na ndihmojë. Shteti nuk është nëna jonë mbrojtëse, siç ishte gjatë socializmit. “Ajo që shërben si kundërpeshë ndaj abuzimit në politikë është shoqëria civile. Donacioni është një lloj lakmusi që lind në një shoqëri të tillë. Ky është në fakt lajmi i mirë”, tha zyrtari publik i Pllovdivit për Deutsche Welle. Ekziston një shoqëri e tillë civile në Ukrainë.
"Njerëzit që takova ishin të mrekullueshëm, plot optimizëm dhe kuptim, dhe mbi të gjitha pashë se çfarë ndodh me ndihmën që mbledhim dhe kanalizojmë në gjeneratorë. Për mua, ky udhëtim ishte një zgjatim shumë domethënës dhe i natyrshëm i gjithçkaje që kemi bërë muajt e fundit”, - përmbledh Pejkov.
Fokusi i donacioneve të bëra tani ishte mbi ndërtesat publike - spitale, kopshte, shkolla, komuna, qendra komunitare, zjarrfikëse, shtëpi pleqsh. Mbi 50 nga gjeneratorët janë për banorët e Odesës dhe Bollgradit, kryesisht bullgarët e Besarabisë, thotë Pejkov dhe pranon se për të ishte shumë e rëndësishme të vizitonte personalisht gjimnazin e Bollgradit "Georgi S. Rakovski" - shkolla e mesme më e vjetër bullgare, e themeluar në vitin 1858 me një dekret të posaçëm të princit moldav Nikolla Bogorodi, me ndihmën e vetë Georgi S. Rakovskit.
“U sollëm një gjenerator 40 kW që të mund të zhvillonin orët e tyre mësimore. Na pritën shumë ngrohtë dhe madje më dhanë një fletëlavdërimi shumë prekëse – “Gjimnazist Nderi”. Jam personi i 33-të që marr medaljen e shoqëruar me certifikatën përkatëse. E pranova në emër të të gjithë mbi 5,400 donatorëve, duke premtuar në mënyrë solemne se do t'i ndaja nga një pjesë simbolike secilit prej tyre.”
Sot në shkollën e mesme mësojnë mbi 500 fëmijë nga Bollgradi dhe rrethina. 70% e tyre janë bullgarë etnikë, por të gjithë studiojnë bullgarisht, pa përjashtim. Drejtoresha, Snezhana Skoriç, e quan shkollën "një urë midis vendeve". Në shkollë simbolet dhe heronjtë kombëtarë zënë vend të barabartë me ato të shtetit ukrainas, shkruan Manoll Pejkov në profilin e tij në Facebook. Ai shton se rreth një e treta e gjeneratorëve shkojnë në vendbanimet e populluara kryesisht nga bullgarët e Besarabisë. Dhe ai pranon se, veçanërisht pas vizitës së tij këto ditë, ai i shikon ata si një lloj "kapsulë kohe" që ka ruajtur më të mirën e karakterit origjinal bullgar – shpirtmirësinë, sinqeritetin, solidaritetin, punën e palodhur, dashurinë për familjen, tokën dhe atdheun. Si dhe respekt të thellë për rrënjët - "për atë Bullgari imagjinare dhe të dashur, që në mendjet dhe shpirtrat e tyre është një "parajsë tokësore" e vërtetë. Dhe jo vetëm me fjalë”.
Ndërsa nisma "Gjeneratorë për Ukrainën" vazhdon dhe deri më tani mesatarisht dhurohen 2621 leva në orë nga bullgarët e bashkuar rreth idesë së të ardhmes sonë të ndritur. Së bashku!
Tekst: Vesella Krësteva
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Foto: Facebook/ Manol Peykov
Në edicionin e 14-të të Sistemit të Vlerësimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë në Bullgari për vitin 2024, Universiteti i Sofjes “Shën Klementi i Ohrit” është në vendin e parë në 22 fusha profesionale. Sistemi i vlerësimit krahason performancën e 51..
Sukseset e Bullgarisë në olimpiadat ndërkombëtare të shkencës për vitin 2024 u mblodhën në ekspozitën "Mendjet fantastike". E hapur me rastin e Ditës së Iluministëve të Popullit në “Urën e të Dashuruarve” pranë Pallatit Kombëtar të Kulturës, ekspozita..
Televizioni Kombëtar Bullgar (BNT) do të shënojë më 7 nëntor të këtij viti 65 vjetorin e themelimit të tij, njoftuan mediat publike. Këtë ditë, një nga drejtueset e njohura të lajmeve Radina Çervenova do të rikthehet në emisionin qendror “Nëpër botë dhe te..
Instituti për Shkenca Kompjuterike, Inteligjencë Artificiale dhe Teknologji (INSAIT) pranë Universitetit të Sofjes “Shën Kliment Ohridski" vuri në..
Uzurpimi i trashëgimisë kulturore dhe historike ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga pasojat e shumta të pashmangshme të çdo konflikti ushtarak si në..