150 vjet na ndajnë nga ajo ditë e acartë shkurti, kur besimi në një popull krenar dhe të lirë u vu në trekëmbësh në periferi të Sofjes së atëhershme, sot në qendër të qytetit, për të jetuar përgjithmonë. Sepse Levski është Bullgaria! Dhe siç shkroi ai vetë në një letër drejtuar revolucionarit kombëtar Panajot Hitov nga viti 1868 - "Nëse fitoj, fitoj për të gjithë kombin - nëse humbas, humb vetëm veten time".
Në fillim të javës, në galerinë "Sredec" të Ministrisë së Kulturës, nën patronazhin e Presidentit të Republikës së Bullgarisë Rumen Radev u dha fillimi zyrtar i programit kombëtar kushtuar shënimit të 150 vjetorit të vdekjes së heroit të madh kombëtar Vasill Levski. "Ngjarja që po festojmë mund të jetë jashtëzakonisht e rëndësishme për të gjithë Bullgarinë," tha Najden Todorov, ministri i kulturës në detyrë, para gazetarëve dhe të ftuarve të mbledhur.
“Bullgaria sot është një vend i copëtuar nga konfliktet. Populli bullgar është i ndarë në të gjitha temat e mundshme. Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për bashkim dhe nuk ka asgjë më të mirë se kujtimi i Apostullit - theksoi ministri Todorov dhe shprehu shpresën se ngjarjet e ndryshme gjatë vitit 2023 do të mund të na ndihmojnë të fillojmë në një rrugë të re të zhvillimit si shoqëri: – Le të kujtojmë se të gjithë i përkasim një kombi. Kryefjala është bashkë, ashtu siç ka qenë në bindjet e Vasill Levskit” – theksoi Najden Todorov.
Kryetari i Komitetit mbarëbullgar "Vasill Levski", Vasill Vasilev, theksoi se përgatitja për ngjarjet në program zgjati gati një vit. “Vështirë se do të ketë një vend të populluar në Bullgari ku nuk do të festohet 150 vjetori i vdekjes së Apostullit të Lirisë. Dhe idealet e tij për lirinë dhe popullin janë ende të gjalla sot. Dëshmi është konkursi kombëtar për nxënës nga klasa e parë deri në të dymbëdhjetë nga i gjithë vendi, i organizuar nga komisioni, me temën “Unë jam Levski”. “Në të morën pjesë fëmijë nga rreth 300 klubet e rilindësve të rinj në vendin tonë”, sqaroi Vasill Vasilev dhe shtoi me krenari për rezultatin e punës së përbashkët të institucioneve shtetërore, organizatave joqeveritare dhe Galerisë Kombëtare të Arteve, të cilin do të mund ta shohim këtë të diel, më 19 shkurt, në galerinë “Kuadrat 500”. Drejtoresha e Galerisë së Arteve të Bukura, Jarosllava Bubnova, vuri në dukje se ekspozita e përgatitur është një prezantim i bisedës për Levskin përmes mjeteve të artit.
“Për Galerinë Kombëtare, përkujtimi i përvjetorit, përveç rëndësisë së madhe kombëtare, ka edhe një veçori të veçantë, pasi godina jonë më e re “Kuadrat 500” ka nderin të ndodhet pranë këtij vendi të fundit të spikatur në jetën e Vasill Levskit në Sofje, i shënuar me një nga monumentet më të vjetra në Bullgari, kushtuar Apostullit - theksoi Jarosllava Bubnova. - Në një pjesë të veçantë të muzeut do të prezantojmë ekspozitën multimediale "Rrëfimi i Levskit" nga producenti Ivo Milev dhe regjisori Dimitër Goçev. Ju ofrojmë një përjetim që bazohet në biografinë e Vasill Levskit dhe që krijon mundësinë për të ndjerë botëkuptimin e tij këtu dhe tani.”
Ekspozita zhvillohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, por edhe me donacione financiare nga persona privatë. “Kemi pasur donacione nga bullgarë nga Amerika, nga Zelanda e Re, nga e gjithë bota. Ka pasur njerëz që kanë refuzuar shpërblimin për punën e tyre në projekt, sepse e pranojnë Vasill Levskin si një kauzë”, shtoi Vasill Vasilev.
Muzeu Kombëtar “Vasill Levski – Karllovo” po përgatit një vit me ngjarje të veçanta. Drejtoresha Dora Çausheva theksoi ekspozitat shëtitëse në të gjithë vendin dhe takimet edukative "150 mësime për Apostullin", të cilat aktualisht mbahen drejtpërdrejt dhe online me bullgarët në mbarë botën. Çdo gjeneratë e përjeton Levskin dhe pikëpamjet e tij, është kategorike Dora Çausheva, e veçanërisht për Radio Bullgarinë ajo na tregoi për mungesën e kufijve në ndjenjën e bashkimit kombëtar.
“Këto mësime online në fakt lidhen me punën e shkollave të së dielës jashtë vendit dhe ne jemi në kontakt me to tashmë disa vite. Para pandemisë Covid, vizituam disa prej tyre dhe më pas kufizimet na çuan në hapësirën online. Filluam me shkollat në Evropë, më pas ato ua dërguan koordinatat tona kolegëve të tyre dhe tani kemi marrëdhënie me shkollat bullgare nga të gjitha kontinentet. E mira është se gjatë pandemisë mësimet ishin familjare sepse fëmijët ishin në shtëpi me prindërit e tyre dhe në to merrnin pjesë të vegjël e të mëdhenj. Mësimet përfshijnë një shëtitje në shtëpinë e lindjes së Vasill Levskit, në kishën ku mbahen flokët e tij, një histori për familjen e tij dhe gjithçka përfundon me shumë pyetje dhe përgjigje nga kolegët tanë”.
Dora Çausheva njoftoi se ekspozita aktuale në galerinë "Sredec" "Rebelimi i shpirtit - një forcë kryesore në rrugën drejt lirisë" do të përkthehet në gjuhën çeke dhe do të prezantohet me rastin e 3 marsit, festës kombëtare të Bullgarisë, në Institutin Bullgar të Kulturës në Pragë.
“Rebelimi i shpirtit është një kusht që e përjetojnë të gjitha gjeneratat dhe shpresoj që të rinjtë në Bullgari të bëhen gjithnjë e më shumë rebelë, që të arrijmë në njëfarë realizimi të ideve të Vasill Levskit”, thotë Çausheva.
Puna me fëmijët është gjithashtu një theks në pjesëmarrjen e Bibliotekës Kombëtare “Shenjtorët Kirili dhe Metodi". Drejtoresha, Doc. Dr. Krasimira Aleksandrova, njoftoi se janë duke u organizuar punëtori në të cilat bullgarët e vegjël do të kenë mundësinë të shkruajnë me dorëshkrimin e Levskit, falë fontit digjital të krijuar nga Stefan Peev.
Kisha Ortodokse Bullgare tradicionalisht do të nderojë kujtimin e Vasill Levskit me një ceremoni përkujtimore më 19 shkurt në kishën “Shën Sofja”, e cila do të pasohet me një kortezh drejt monumentit të Apostullit të Lirisë, ku do të vendosen lule në një ceremoni zyrtare. Dhe më pas... jeta do të vazhdojë dhe Levski do të vazhdojë të na kujtojë se ...
“Koha është në ne dhe ne jemi në kohë; ajo na kthen dhe ne e kthejmë atë.”
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: BGNES, BGNES-arkiv,
vlevskimuseum-bg.org
Për vitin e njëzet e tretë, ekipi i “Bansko Film Fest” do të transferojë publikun në disa nga pikat më ekstreme të botës përmes 75 filmave nga 39 vende. “Të gjitha janë premiera, për disa prej tyre shfaqjet në Bansko do të jenë premiera botërore”, tha..
Në sallën 1 të Pallatit Kombëtar të Kulturës (NDK) në Sofje, fillon edicioni i 38-të i “Kinomania”. Festivali i filmit hapet më 13 nëntor me premierën e filmit “Tufa”. Pas sukseseve të tij në mbarë botën dhe datave të premierës plotësisht të shitura në..
Festivali Ndërkombëtar i Kinemasë Etnografike “OKO” do të mbahet në Sofje nga data 8 deri më 15 nëntor. Forumi realizohet me mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Filmit, Bashkisë së Kryeqytetit, Ambasadës së Ukrainës dhe Derzhkino të Ukrainës. Këtë vit,..