Pikërisht një vit më parë, në një deklaratë televizive, presidenti rus Vlladimir Putin njoftoi fillimin e një “operacioni special ushtarak” në Donbas për të mbrojtur njerëzit nga torturat dhe gjenocidi i regjimit të Kievit. Disa minuta më vonë, sulme të rënda artilerie u kryen në rajonet Doneck dhe Lugansk, raketa u lëshuan në të gjitha vendet dhe bazat e rëndësishme ushtarake në të paktën gjysmën e Ukrainës. Dhe kështu, në mëngjesin e hershëm të 24 shkurtit, për herë të parë në më shumë se 70 vjet, në Evropë fantazma e luftës u ringjall. Ushtarët ukrainas dhe rusë janë ballë për ballë tash e 12 muaj dhe çmimin më të madh e paguan populli.
“Ukraina, siç ishte në vitin 2021 dhe më herët, nuk ekziston më. Ky vend ka një kufi 2000 kilometra me Rusinë dhe në 10, 20 apo 30 vitet e ardhshme, vështirë se do të jetë е qetë atje. Çdo ukrainas duhet ta kuptojë dhe të jetojë me frikën dhe ankthin e kësaj” - na thotë Andrej Nikollov, i lindur dhe i rritur në Odesa, për të cilin prej gjashtë vitesh Sofja është shtëpia e tij. Ai thotë se situata për bullgarët në Ukrainë është shumë e vështirë për momentin.
“Ka mjaft bullgarë besarabë që jetojnë në rajonin e Odesës, dhe ata nuk kanë energji elektrike dhe gjëra të tjera, por duket se është pak më e “lehtë” për ta. Ekziston një komunitet i madh që jeton në territorin e pushtuar të Detit Azov, në Berdjansk, dhe lajmet nga atje janë shumë të këqija, sepse ata prej tyre që kaluan në territorin ukrainas tashmë humbën shtëpitë e tyre, njerëz të tjerë të panjohur janë të vendosur në to, ata nuk e dinë se çfarë do të ndodhë me arsimin në gjuhën bullgare, ndoshta nuk ka ende të tillë.”
Andrej pranon se ishte i befasuar këndshëm nga bujaria e madhe që bullgarët u treguan ukrainasve që nga 25 shkurti me ndihma dhe punë vullnetare.Bashkëbiseduesi ynë bën një analogji mes të tashmes dhe të shkuarës, pasi familja e tij ka përvojë refugjate – paraardhësit e tij para shumë vitesh ikën nga Perandoria Osmane ndërsa bullgarët e tanishëm besarabë janë të detyruar të ikin sërish, por këtë herë për shkak të Rusisë.
“Në vitin 1799, ata hipën në një anije greke të ankoruar në Sozopol dhe u nisën për në Perandorinë Ruse, duke ikur nga Perandoria Osmane. Gjenealogjinë time e gjurmova deri në fshatin Mallko Sharkovo në rajonin e qytetit bullgar Jamboll. Aty doli që edhe sot jetojnë shumë persona me emrin Nikollovi, me të cilët kemi lidhje farefisnore. Me të mbërritur në Ukrainë, ata themeluan fshatin Mallëk Bujallëk, rreth 10 kilometra nga Odesa. Babai, nëna dhe të gjithë të afërmit e mi janë prej andej. Kur shkova në Mallko Sharkovo, vura re menjëherë kishën “Shën Gjon Pararendësi”, sepse i njëjti ka edhe në fshatin tonë. Dy kishat duken si dy pika uji, sepse ata që u shpërngulën nga Bullgaria donin të ndërtonin të njëjtën kishë në të cilën mblidheshin në Bullgari.”
Që në ditët e para të luftës, Andrej u përpoq të ishte i dobishëm për refugjatët ukrainas në Bullgari, të cilët kishin nevojë për ndihmë dhe mbështetje. Prandaj, ai krijoi Qendrën Situative “Dyert e Hapura”, së cilës i kushton gjithë kohën dhe energjinë e tij që nga 24 shkurt 2022.
“Ne prisnim që situata të ishte më e vështirë, sepse menduam se Ukraina nuk do të ishte në gjendje të rezistonte për kaq gjatë dhe me sukses kundër agresorit. Pritej që në Bullgari të vinin 500 mijë njerëz, gjë që nuk ndodhi”, thotë Andrej. Sipas të dhënave nga Komisariati i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët në tetor të vitit të kaluar kishte 54 579 refugjatë ukrainas në Bullgari.
Që nga fillimi i luftës, qendra ndihmoi mijëra refugjatë të ardhur në vendin tonë. Nikollov ka një plan afatgjatë për zhvillimin e saj, me një horizont të paktën 10-vjeçar:
“Puna jonë këtu do të synojë kryesisht integrimin e ukrainasve dhe përfshirjen e tyre në tregun e punës. Bamirësia do të jetë në plan të dytë. Aktiviteti ynë është në tre drejtime - integrim kulturor, mbështetje psikologjike dhe edukim. Për ne është e rëndësishme që ata të mos e humbin lidhjen me atdheun e tyre. Dëshirojmë gjithashtu për t’u treguar atyre se ka mundësi për realizim edhe në Bullgari. Në vendin e tretë, por jo më pak e rëndësishme, është arsimi. Prandaj po punojmë për krijimin e shkollës së parë të mesme bullgaro-ukrainase.”
Gjithashtu, qendra bashkëpunon me Agjencinë e Punësimit dhe mbështet ukrainasit që kërkojnë punë në vendin tonë.
“Detyra jonë është më tepër të drejtojmë ukrainasit tek punëdhënësit në fusha të ndryshme, por pengesa më e madhe janë aftësitë e tyre gjuhësore” – shpjegon Andrej.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Foto: EPA/BGNES, Facebook /@SituationalCenterOpenDoors, Facebook / Andrey Nikolov
Bullgarët zgjedhin sot 240 deputetë, të cilët do të hyjnë në Asamblenë e 51-të Kombëtare. Për pjesëmarrje në zgjedhje janë regjistruar 19 parti dhe nëntë koalicione. Për një vend në parlament do të konkurrojnë 4 858 kandidatë, 3 480 burra dhe..
Sot, 26 tetori në Bullgari është dita e reflektimit para zgjedhjeve të shtatë radhazi parlamentare që nga prilli 2021. Në këtë ditë, votuesi ka mundësinë, pa ndikim të jashtëm, të vendosë për votën e tij në ditën e zgjedhjeve. Sot, si dhe në..
Tema e migracionit u përfshi sërish në axhendën evropiane në sfondin e presionit të shtuar ndaj Brukselit për të dhënë dritën jeshile për ta kufizuar atë. Thirrjet e një numri liderësh evropianë për një qasje më radikale ndaj migrantëve të paligjshëm..
Në kalendarin e Kishës Ortodokse Bullgare janë edhe tri ditë të veçanta në të cilat besimtarët i luten Zotit dhe japin lëmoshë në kujtim të të dashurve..
Sukseset e Bullgarisë në olimpiadat ndërkombëtare të shkencës për vitin 2024 u mblodhën në ekspozitën "Mendjet fantastike". E hapur me rastin e Ditës së..