Në kulmin e Luftës së Ftohtë, pati një garë midis blloqeve lindore dhe perëndimore - ekonomike, ushtarake, ideologjike dhe mbi të gjitha teknologjike. Në atë kohë, në Bullgari vlonte një veprimtari intensive shkencoro-inxhinierike dhe krijimtarije, e cila mbështetej mbi qendrueshmërinë e pushtetit komunist.
Bëhet fjalë për vitin 1964. Në Institutin Kërkimor të Industrisë Elektrike, inxhinieri shkencor i talentuar bullgar Hristo Bëçvarov - autor i një sërë shpikjesh në fushën e elektronikës dhe transmetimeve radiofonike - krijoi një mrekulli të vërtetë - një telefon dore portativ nga i cili mund të kontaktosh me kë të duash, kudo që ndodhesh! Inxhinieri Bëçvarov madje e montoi personalisht një pajisje të tillë dhe jo kudo, por në makinën e kreut të atëhershëm të shtetit Todor Zhivkov. Dhe ai pranon se e ka montuar mostrën e tij të parë eksperimentale nga një ... mbajtëse të zakonshme sapuni.
Kështu, gati dy dekada përpara se celulari i parë i punuar në SHBA të pushtonte tregjet botërore, duke sjellë një epokë të re teknologjike, krijimi ynë i quajtur RATC-6 u shfaq në botë pa bërë zë:
“Standardi GSM u zhvillua pas vitit 1982 dhe mori patentën në vitin 1991 të shekullit të 20-të. Në kohën e shfaqjes së celularit tonë, radiotelefonat e krijuar jashtë vendit ishin ose stacione të thjeshta portative ose radio tranzistorëtë vegjël me një gamë të kufizuar që mund të përdoreshin vetëm për thirrjet hyrëse. Por RATC-6mund të përdoret si për thirrje hyrëse ashtu edhe për thirrje dalëse” - shpjegon Anton Orush - studiues, koleksionist i pajisjeve bullgare dhe autor i faqes sandacite.bg.
RATC-6 kishte një rrotullues tipik nga ato të telefonave të gjeneratës së tij. Nën të ishte vendosur një rrjetë metalike, nën të cilën ishte fshehur një mikrofon-altoparlant i kombinuar. Përpara se të filloni thirrjen, thjesht tërhiqni antenën teleskopike, rreth 30 cm të gjatë, bëni thirrjen dhe jeni gati! “Pajisja mund të karikohet edhe nga bateria e makinës. Në versionin e tij portativ, ai vendoset në një çantë për aparat fotografik”, thotë Anton Orush dhe shton:
“Ky është një aparat i vogël pa kabllo i pajisur me një radio transmetues në miniaturë, i cili transmeton drejt një pajisjeje speciale të montuar ose në centralin telefonik të qytetit ose në një central telefonik të veçantë. Pajisja RATC-6 kap valët e radios, i shndërron ato në impulse elektrike dhe ju lidh me përdoruesit e tjerë.
RATC-6 shkaktoi një sensacion të vërtetë gjatë ekspozitave të specializuara ndërkombëtare Inforga'65 dhe Interorgtehnika'66 në BRSS, ku u prezantua si një mjet komunikimi midis atyre që punonin në ndërtim dhe në sektorin e energjisë elektrike. Nga mesi i viteve 70 të shekullit të kaluar në Bullgari, tashmë ishte ndërtuar një qendër testimi me pajisje për një sistem kombëtar për lidhje telefonike. Por pas vitit 1977, puna në këtë drejtim u ndal papritur. Pse?
“Ndodh ndonjëherë që për të futur në procesin e prodhimtarisë një produkt të ri duhet të kryhen modifikime të cilat janë të vështira për t’u zbatuar në praktikë. Dhe kjo është një nga arsyet pse ka kaq pak telefona si ky. Por është edhe një tjetër arsye. Pasi kjo shpikje u certifikua, ajo filloi të mbahej në fshehtësi dhe puna për ndërtimin e një sistemi kombëtar për lidhje telefonike u pezullua sepse ushtria tregoi interes për pajisjen. Nuk dihet nëse ky telefon është përdorur në qarqet ushtarake”, përfundon Anton Orush.
Për shpikje të tjera interesante bullgare mund tëlexoni më poshtë:
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Foto: sandacite.bg
A ndodh që nëpër muze të ketë edhe disa eksponate të falsifikuara aq mirë sa nuk dallohen fare nga origjinalet - ka zëra dhe spekulime për këtë temë, por për momentin një seri e tërë falsifikimesh historike janë pjesë e një ekspozite në Muzeun Kombëtar..
Një statujë unike nga periudha romake e qytetit Odesos, e datuar paraprakisht në fund të shekullit II dhe gjysmën e parë të shekullit III, u gjet gjatë gërmimeve në zonën e stacionit hekurudhor në Varna, njoftuan arkeologët nga Muzeu Historik..
Një kompleks prej një duzinë shtëpish të vogla, të vendosura në pjesën jugore të qytetit shkëmbor Perperikon, u zbulua nga arkeologët nën drejtimin e Prof. Nikollaj Ovçarov. Sipas tij, bëhet fjalë për një lagje të tërë që daton nga shekulli XIII-XIV,..