Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Bota diellore e piktorit Vili Nikollov

10
Foto: личен архив

Pikturat shumëngjyrëshe të Vili Nikollovit bartin diellin e Spanjës, buzëqeshjet nga fëmijëria dhe shumë histori që secili t’i zbulojë dhe ritregojë në mënyrën e vet. I ftuari i sotëm i Radio Bullgarisë pikturon për aq kohë sa mban mend.

“Sipas kujtimeve të të afërmve, vizatimin tim të parë të madh e kam bërë në moshën 3-vjeçare në një nga muret e shtëpisë me bojërat uji të babait tim, i cili ishte gjithashtu piktor. Përmasat kanë qenë madhështore – 2x3 metra”, thotë bashkëbiseduesi ynë me një seriozitet të dukshëm. Më pas vijuan mësimet e vizatimit, shkolla e mesme e arteve figurative, specialiteti “Grafikë” në Akademinë Kombëtare të Arteve në Sofje. Pasi fitoi një konkurs, ai u specializua në artin bashkëkohor në qytetin e Kuenka të Spanjës, gjë e cila papritur u bë një pikë kthese në krijimtarinë e tij.

“Punova në grafikë kaq vite në shkollën e artit, në akademi, vizatuam me të zezën, të bardhën, grinë... Dhe befas kur shkova me grafikën time gri në Spanjë dhe hasa ngjyrat e hapura atje, koloritin e pasur, diellin e kuq të ndritshëm që vërtet e bën tokën e kuqërremtë, si një pikturë surrealiste, për disa muaj që qëndrova atje, i gjithë arti im ndryshoi”, tha Vili Nikollov para Miglena Ivanova nga Radio Bulgaria.

Së bashku me ngjyrat e zjarrta të Spanjës, shtëpitë dhe elementët e tyre individualë si portat dhe dritaret janë “heronj” të shpeshtë në pikturat e tij, të cilat ai i shpjegon me pasionin e tij për arkitekturën. Dhe rrethi gjithashtu. Sipas piktorit, rrethi në pikturat e tij u shfaq që kur ishte në klasën e 5-të ose 6-të, apo edhe më herët. “Vizatova shumë rrota - ingranazhe, diej, dritare të rrumbullakëta. Dhe edhe tani, pas gjithë këtyre viteve, kur të shoh një shtëpi me një dritare të rrumbullakët, patjetër do të ndalem dhe do ta shikoj. Do ta fotografoj, do ta rikrijoj. Rrethi për mua simbolizon lëvizjen, lirinë dhe diellin”, thotë Vili Nikollov. Në një koncert të muzikantit të xhazit Angell Zaberski në “Studio 5” të Sofjes, piktori gjendet pranë skenës, ku fjalë për fjalë ndjen frymën e muzikantëve dhe sheh shkëlqimin e instrumenteve. Ndikimi tek ai ishte aq i fortë sa xhazi hyri përgjithmonë në punën e tij.

“Për çdo instrument, vura re, që muzikanti bën lëvizje karakteristike. Saksofonisti ka lëvizje jashtëzakonisht të pasura. Këngëtarja i ka sytë mbyllur. Bateristi sikur kërcen. Të gjitha këto përpiqem t’i rikrijoj në një tablo statike. Ky është një zhanër që për mua nuk do të përfundojë sepse e dua këtë muzikë dhe kam shumë respekt për muzikantët. Për mua kjo është një punë e jashtëzakonshme”, thotë krijuesi.

Nëpërmjet veprave të tij, Vili Nikollov e mbush shikuesin me energji pozitive, përmes dritës dhe buzëqeshjes në to, na provokon të kërkojmë, të zbulojmë gjërat e bukura, qesharake dhe komike të cilat na rrethojnë dhe nuk i vëmë re. Stilin e vet të pikturimit ai e përcakton ashtu:

“Unë e quaj atë surrealizëm përrallor me gamën e ngjyrave të perëndimit dhe lindjes së diellit, të kuqërremes së tokës së ndezur nga dielli i fortë. Përrallor, sepse gjithmonë ka ndonjë veçori nga natyra apo edhe nga arkitektura. Kam disa shtëpi me buzëqeshje që duhen zbuluar se ku janë. Shtëpitë janë si njerëzit. Gjithmonë ka një lloj ngacmimi, shikuesi duhet të eksplorojë pikturat e mia me shumë kujdes për të parë se çfarë fshihet.”

Në mendjen e piktorit ekzistojnë ide të shumta paralelisht dhe shpeshherë do të shihni disa projekte në një kanavacë në të njëjtën kohë. Megjithatë, kohët e fundit, pikturat e tij ndryshojnë gradualisht.

“Një minimalizëm fillon në artin tim. Pas shumë detajeve, pas rrëfimeve të shumta disavjeçare, filloj të pastroj tablotë. Më shumë sfond, më shumë pastërti. Tablotë bëhen më të kristalta. Filloj të pikturoj me akull, me avull, me rrezet e diellit, me më pak detaje. Tani po filloj ta pastroj artin në një art më të kristaltë, më të qetë dhe, shpresoj, më të ngritur”, ndau me ne piktori Vili Nikollov.

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova

Foto: arkiv personal



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Milena Selimi fitoi çmimin për përkthimin më të mirë në Panairin e 27-të të Librit në Tiranë për romanin bullgar "Kohëstrehim"

Milena Selimi, përkthyesja e romanit “Kohëstrehim” të autorit bullgar Georgi Gospodinov, e cila është edhe përfaqësuese e bullgarëve në Komitetin për Pakicat Kombëtare në Shqipëri, mori çmimin për përkthimin më të mirë për vitin 2024 në Panairin e 27-të..

botuar më 24-11-19 8.30.MD

Lilija Zaharinova tregon histori përrallore në mjedisin urban

Kur një person ecën nëpër Montana dhe Bellogradçik, herët a vonë ai do të ndeshet me kabinat elektrike të lyera me ndjenjën e gëzimit dhe pastërtisë, që duket sikur burojnë nga fëmijëria. Dhe për një çast të vetëm ai do ta gjejë veten në një oaz të..

botuar më 24-11-18 7.35.PD

Kinemaja aventureske nga 39 vende mbërrin në "Bansko Film Fest"

Për vitin e njëzet e tretë, ekipi i “Bansko Film Fest” do të transferojë publikun në disa nga pikat më ekstreme të botës përmes 75 filmave nga 39 vende. “Të gjitha janë premiera, për disa prej tyre shfaqjet në Bansko do të jenë premiera botërore”, tha..

botuar më 24-11-17 7.25.PD