Pikturat e Petja Ilievës janë të ekspozuara në aq shumë vende saqë është më e lehtë të thuhet se ku nuk i kanë parë ende tablotë e saj piktoreske. Piktorja e talentuar prezantoi bukurinë e Bullgarisë në afro 50 vende në 6 kontinente, duke përfshirë edhe Antarktidën e largët. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, pronëson gjithashtu një nga veprat e saj.
E pikturon që kur e mban mend dhe çmimin e parë më të madh e mori në moshën 9-vjeçare. Mbaroi Gjimnazin Kombëtar të Arteve Figurative “Ilija Petrov” në Sofje, pas së cilës e vazhdoi arsimin në Universitetin e qytetit Veliko Tërnovo “Shenjtor Kirill dhe Metodij” ku u diplomua në “Pikturë dhe estetikë”.
“Është emocionuese që me penelin tim i preka afresket e dy kishave katolike në Vjenë, por më të paharrueshmet janë pesë muajt që kalova në kalanë Klam – tregon piktorja në një intervistë për Radio Bullgarinë. – Aty me Prof. Fastel po zbulonim afresket që u mbuluan kur elektrifikuan kalanë. Ajo u ndërtua në vitin 1149, dhe në 1581 u ble nga familja Klam. Ka një sallë të veçantë koncertesh familjare ku luante Mozarti i vogël. Disa vjet më parë shkova për të parë pamjen e përfunduar të dhomës me klaviçelin origjinal të luajtur nga Mozart dhe një manekin të veshur me një kostum dhe paruke autentike, si dhe afresket, të cilat i restauruam dhe i ruajtëm.”
Tablotë e piktores Petja Ilieva shkëlqejnë në ngjyrat e ndezura të qëndisjeve bullgare dhe motiveve popullore nga të gjitha rajonet e Bullgarisë, duke u bërë një markë e mbrojtur e saj. Çfarë e bën atë të përqendrohet në to?
“Natyra ime është e tillë që gjithmonë kërkoj diçka unike, diçka që askush nuk e ka bërë para meje. Viti 2012 ishte Viti Evropian i Energjisë së Qëndrueshme. Përfaqësova Bullgarinë në një takim ndërkombëtar piktorësh nën kujdestarinë e UNESCO-së dhe kërkoja shembuj dhe simbole të kësaj energjie të qëndrueshme që e ka ruajtur popullin tonë ndër shekuj. Kështu arrita te motivet folklorike - kujton Petja Ilieva. - Jam e lumtur që ia arrita qëllimit edhe në vende ku nuk dinin asgjë për vendin tonë.”
Dr. Ilieva e kthen temën në një nismë afatgjatë. Në vitin 2019, ajo mori gradën e doktoraturës me disertacionin “Arti dhe folklori bullgar si një urë ndërkombëtare dhe diplomaci kulturore” dhe filloi një projekt në shkallë të gjerë të quajtur “Art për Diplomaci” (Art4Diplomacy), i cili përfshin edhe përfaqësitë diplomatike në Bullgari. Nëpërmjet tij ajo i njeh të huajt me kulturën bullgare, kurse bullgarët me bukurinë e kulturës së huaj.
“Pikturime në kuadër të këtij projekti mund të shihen në një sërë vendesh publike në peizazhin urban të Sofjes, dhe tashmë edhe në Havanë. Me iniciativën e Ambasadës së Bullgarisë në Kubë, organizuam një ekspozitë së bashku me projektin tim të artit të rrugës - dekorim me motive tradicionale bullgare dhe kubane në kutitë e shpërndarjes elektrike në dy rrugët qendrore të këmbësorëve në kryeqytet” – thotë bashkëbiseduesja.
Petja Ilieva kudo vazhdon pa u lodhur misionin e saj të popullarizimit të kulturës bullgare, u prezanton njerëzve gjëra interesante për vendin tonë që nuk mund t’i gjejnë në internet dhe me të cilat ajo nxit dëshirën e tyre për të vizituar atdheun e saj. Dhe veprat e saj e bëjnë atë një ambasadore të vërtetë të kulturës bullgare në mbarë botën.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Foto: arkiv personal
Modë që nuk vishet, por të frymëzon. Fustane të bukura, por jo prej dantelle apo mëndafshi, por prej metali. Skulpturat e krijuesit Zivko Sedlarski janë në pronësi të muzeve, galerive dhe koleksioneve private në 3 kontinente, duke i dhënë atij..
Në Varna hapet Festivali i 42-të i Filmit Artistik Bullgar "Trëndafili i Artë". Në programin konkurrues do të konkurrojnë 15 filma artistikë, 20 filma të shkurtër dhe 5 filma me seri. Hapja është mbrëmjen e 19 shtatorit në Qendrën e Festivalit dhe..
Kultura bullgare dhe traditat vendase, të cilat deri vonë dukeshin ekzotike për pjesën tjetër të botës, gradualisht po bëhen pjesë e kulturës botërore të shekullit të 21-të. Pasi ljutenica jonë dhe byreku ynë tradicional u përkufizuan si një..