Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Ka ardhur koha për Festivalin e Qershive në Kjustendill

Specialistët nga Instituti i Bujqësisë zhvillojnë varietete rezistente ndaj anomalive klimatike dhe lagështisë së lartë

Foto: BGNES-arkiv

Në fund të qershorit piqen qershitë më të mira në vendin tonë dhe të gjithë e dinë se më të ëmbla janë qershitë e rajonit të Kjustendillit, e njohur si Pemishtja e Bullgarisë. Aty çdo vit mbahet edhe Festivali i Qershive. Në fakt, ai është një vazhdimësi e Ekspozitës së Parë Kombëtare të Frutakulturës së mbajtur në Kjustendill në vitin e largët 1896. Edhe këtë vit, në datat 23, 24, 25 qershor, kultivuesit e qershisë nga i gjithë vendi do të mblidhen në Kjustendill dhe festa do të shoqërohet me një program të pasur kulturor në sheshin qendror të qytetit.


Tradita

Shumica e turistëve tërhiqen nga tregu i qershive të Kjustendillit, me pjesëmarrjen e fermerëve vendas. Tregtarët dhe zejtarët nga i gjithë vendi prezantojnë kryeveprat e tyre, ndërsa të ftuarit e festës marrin pjesë në lojëra konkurruese, kushtuar qershive.


Qershitë, rendimenti dhe shqetësimet e kultivuesve

Në rajonin e Kjustendillit ka rreth 20 mijë hektarë pemë qershie. Prej tyre përftohen rreth 5 mijë tonë fruta, por këtë vit rendimenti nga plantacionet e qershive është më i ulët, për shkak të reshjeve të dendura në pranverë. Kjo është edhe arsyeja e çmimit të lartë të shitjes me pakicë të qershive - nga 5 deri në 7 leva në varësi të cilësisë /qershitë vitin e kaluar janë shitur për 3 leva/.

Kultivuesit e frutave nga rajoni dhe nga vendi ankohen se kostot e tyre për kujdesin ndaj pemëve të kultivuara janë rritur shumë. “Nitrat amoniti vitin e kaluar ishte 30, ndërsa tani është 130 leva për qese. Herbicidet dhe preparatet e tjera janë shtrenjtuar me 50%, inflacioni reflektohet edhe në mbledhjen e prodhimit dhe njëkohësisht është gjithnjë e më e vështirë gjetja e punëtorëve sezonalë”, sqarojnë fermerët. Për shkak të problemeve me blerjen e kulturave të qershisë në vitet e fundit, shumë fermerë humbën interesin për qershitë dhe filluan të shesin në masë plantacionet. Të tjerë fokusohen në kultura të ndryshme, për shembull kumbulla, e cila gjithashtu lulëzon në kopshtet e Kjustendillit. Prandaj agronomët e Institutit të Bujqësisë në qytet presin ulje të sipërfaqes me qershi, e rrjedhimisht edhe rendimentit.


„Vjelja e qershisë këtë vit po shkonte shumë mirë, ka pasur një ngarkesë të madhe frutash në pemët e qershive por problemet kanë nisur për shkak të reshjeve“, shpjegon Prof. As. Dr Ilijana Krishkova drejtoreshë e Institutit të Bujqësisë në Kjustendill:

„Ne nuk mbajmë mend një vit të tillë për një kohë të gjatë - 3 muaj shi çdo ditë, gjë që çoi në plasaritje masive të qershive, ato nuk mund të piqen, por kalben në vetë pemën. Ky është një problem shumë serioz për fermerët, sepse fabrikat blerëse nuk duan qershi të plasaritura dhe të dëmtuara. Çmimi i produktit gjithashtu do të bjerë. Ato nuk mund të përdoren për konsum të freskët, janë të përshtatshme vetëm për përpunim në konserva. Ka fabrika lëngjesh në zonë që do të marrin një pjesë të prodhimit të mbledhur. Në përgjithësi, një kopsht i mirëmbajtur jep rreth 2 ton qershi për hektar, por prodhimi cilësor aktualisht mund të jetë deri në 500 kg, që është shumë pak. Nga 1 prilli e deri më tani kanë rënë 312 litra për metër katror shi, që është jashtëzakonisht i lartë. Për 10 vitet e fundit kjo është 170 litra më shumë, nuk mbajmë mend sasi të tilla të shiut në kohët e fundit. Këto janë anomali klimatike që fermerët vështirë se mund t'i përballojnë. Edhe pse tashmë ka preparate që përmbajnë kalcium, ato janë të padëmshme dhe kur qershitë spërkaten, janë më rezistente ndaj lagështirës. Përveç kësaj, ka varietete të reja. Përzgjedhja e re synon të gjejë varietete që nuk çahen aq shumë, por megjithatë, në shira të tillë, as varieteti më i mirë nuk duron“, thotë Prof. As. Dr Krishkova dhe nuk mungon të vërë në dukje edhe një problem tjetër, pikërisht mungesën e kapaciteteve të mjaftueshme në ndërmarrjet përpunuese.

Duhen të paktën 15 vite për të krijuar një varietet të ri, por ky është edhe aktiviteti kryesor i Institutit të Bujqësisë. Zona këtu është jashtëzakonisht e përshtatshme për rritjen e qershive, sepse ka kushte specifike klimatike në të cilat frutat grumbullojnë sasinë maksimale të sheqernave dhe marrin një shije shumë të këndshme, e cila nuk gjendet askund në botë, thotë profesoresha e asociuar Iliana Krishkova:

„Unë personalisht kam udhëtuar shumë nëpër botë, por askund nuk ka një qershi të tilla si qershitë e Kjustendillit, prandaj jemi të njohur për qershitë tona të mira. Qershia këtu e ka prejardhjen nga format e egra që ekzistonin në zonë. Vendasit filluan të bëjnë varietete kulturore prej tyre dhe kështu arritëm gradualisht te qershia e sotme. Çdo vit ne tregojmë gjatë Festivalit të Qershisë shumëllojshmërinë e madhe të varieteteve - minimum 100 - 120 varietete të ndryshme qershish. Vizitorët kanë mundësinë të provojnë, të njihen me karakteristikat e varieteteve të ndryshme, sepse specialistët tanë janë të disponueshëm në stendën e Institutit. Ne marrim pjesë në juri në vlerësimin e prodhimit të secilit prodhues, masim qershitë dhe përzgjedhim më të madhen, japim edhe vlerësimin për stendën që është rregulluar më mirë. Në përgjithësi festa është shumë e bukur, plot ngjyra, me një program të pasur folklorik. Presim që këtë vit të vijnë edhe më shumë turistë, sepse popullariteti rritet gjithnjë e më shumë dhe kush vjen njëherë dëshiron të vijë përsëri dhe të provojë qershitë në Kjustendill.“

Dhe nëse pyesni veten se si mund të njohim qershitë e Kjustendillit, profesori i asociuar Krishkova i përshkruan ato kështu: „ Janë të forta, krokante, bërthama hiqet lehtësisht dhe kanë një lëng karakteristik të kuq rubin kur fruti i qershisë ndahet“.

Përgatiti në shqip: Kostandina Bello

Foto: BGNES-arkiv




Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Cila është procedura për marrjen e shtetësisë bullgare?

Në një publikim të mëparshëm Radio Bullgaria ju tregoi për kushtet dhe arsyet për marrjen e nënshtetësisë bullgare . Në rreshtat e mëposhtëm, do t'ju tregojmë për hapat e vetë procedurës. E para prej tyre është paraqitja e një kërkese për shtetësi..

botuar më 24-05-11 8.40.PD

Presidenti u takua me përfaqësues të bullgarëve në Kosovë

Bullgaria i kushton rëndësi të madhe kontakteve aktive me komunitetin bullgar në Kosovë, deklaroi kreu i shtetit Rumen Radev. Ai priti përfaqësues të Shoqatës për Zhvillim dhe Integrim të Bashkësisë Bullgare në Republikën e Kosovës, njoftoi qendra e..

botuar më 24-05-10 9.16.PD

BNR tashmë ka një kanal në TikTok

Nga 9 maji, Radioja Kombëtare Bullgare (BNR) hyn zyrtarisht në botën e TikTok. Në kanalin e ri media do të ofrojnë video informative, por edhe argëtuese me momente nga transmetimi i të gjitha programeve. Do të tregojë prapaskenat e ngjarjeve më të..

botuar më 24-05-09 10.22.PD