28 qershori është dita kur në Bullgari fillon zyrtarisht fushata e korrjes për vitin 2023. Tradicionalisht, fillimi jepet në fushat e një prej përfaqësuesve të Shoqatës së Prodhuesve të Drithërave nga ndonjë prej rajoneve. Sivjet mikpritës është Bashkimi Rajonal i Fermerëve “Dunavsko Zërno” (Drithi i Danubit) - Ruse. Në ceremoninë e hapjes së fushatës kombëtare të korrjes në fshatin Borisovo, mysafir është ministri i ri i bujqësisë dhe i ushqimeve Kirill Vëtev. Krahas kësaj bëhet edhe korrja rituale e thekrës në kuadër të projektit ndërkombëtar “Buka e Paqes”.
Kjo është një nismë evropiane që lidhet me rënien e Perdes së Hekurt, e cila përfshin dymbëdhjetë vende nga Evropa Qendrore dhe Lindore. Bullgaria është një prej tyre. Nga viti 2013 e deri më tani, në secilin prej vendeve, thekra është mbjellë me farëra të korrura në fushat përreth Kishës së Pajtimit në Berlin - vendi i ish-“rripit të vdekjes” të Murit të Berlinit që ndau Evropën. Pasi të korret thekra, çdo vend dërgon farat e tij që të bluhen së bashku për të brumosur bukën e paqes. Ngjarja simbolizon thyerjen e kufijve politik dhe ekonomik dhe tejkalimin e ndarjes.
Ditët nga mesi i qershorit deri në fund të korrikut janë periudha më e vlefshme e vitit për çdo prodhues të drithërave. Pritshmëritë janë për një korrje shumë të mirë edhe këtë vit, mbi 6 milionë tonë grurë, por problemi vjen nga tonelatat e grurit të pashitur të mbetura në magazinat e bujqve bullgarë. Në 20 vitet e fundit, nuk kishte një mbetje kaq të madhe të grurit në dispozicion - tha Radosllav Hristov, kryetar i Bashkimit Trak të Prodhuesve të Drithërave para BNR-Stara Zagora.
“Shumica e vendeve po përpiqen të ndihmojnë Ukrainën, por harrojmë të mbështesim prodhimin vendas dhe që nga maji i vitit të kaluar, Bullgaria humb tregjet tradicionale të drithit. Për momentin nuk është as çështja se me çfarë çmimi do të mund ta shesim drithin, por nëse do të arrijmë ta shesim atë. Ne shesim nën kosto për një kohë të gjatë.”
“Në magazinat bullgare ka 1 milion e 700 mijë ton drithë, 1 milion ton luledielli dhe i gjithë ky prodhim do të shitet me çmime shumë të ulëta. Humbjet e prodhuesve të drithrave janë aq të mëdha sa nuk shoh një burim të tillë ndihme financiare nga Evropa për t’i mbështetur ata. Dhe të lashtat që do të korrim kanë një kosto tmerrësisht të lartë. Nuk ka se si të dalë llogaria e ndonjë prodhuesi këtë vit” – tha para BNR Ilija Prodanov, kryetar i Shoqatës Kombëtare të Prodhuesve të Drithërave.
Sipas tij “e vetmja zgjidhje e problemit është ndalimi i importeve në vendet e BE-së për një kohë të caktuar, të paktën derisa të shiten sasitë e mbetura në depot”.
“Reshjet e dendura të qershorit deri më tani nuk shkaktuan dëme në të korrat e grurit, më tepër do të ketë problem me kulturat pranverore (luledielli dhe misri), por nuk ka asgjë fatale”, tha në një intervistë për Radio Bullgarinë Milen Koev, kryetar i Bashkimit Rajonal të Fermerëve “ Drithëra të Danubit”. Ai është gjithashtu i mendimit se askush nuk e ka të qartë se si do të realizohet korrja e re, duke qenë se magazinat nuk janë zbrazur. Rreth 2 milionë tonë grurë shfrytëzohen në Bullgari në vit, ndërsa sasia e mbetur eksportohet. Në një vit, vendi ynë prodhon tri herë më shumë se nevojat e veta - afro 6-7 milionë tonë.
“Askush nuk po e shikon bujqësinë në një perspektivë afatgjatë. Çdo ditë është një luftë, duke filluar nga ndryshimet klimatike, që e bëjnë bujqësinë gjithnjë e më dinamike, deri në aplikimin e teknologjive të reja, hibrideve të reja, kështu që nuk mund të ketë stagnim në këtë punë” – thotë Milen Koev dhe shton:
“Kushtet në fushë janë shumë dinamike dhe shumica e tyre janë jashtë kontrollit tonë. Ne duhet t’u përshtatemi atyre për të punuar në mënyrë efektive. Nuk ka kohë për pushim, sidomos tani kur puna në fushë është nga mëngjesi në mbrëmje. Në bujqësi vlen maksima se “dje është herët, nesër është vonë” – puna duhet bërë sot, ndërkohë që kushtet lejojnë. Ne nuk kemi orë fikse pune, jemi në varësi të natyrës, prandaj gjatë korrjes jemi në një garë të vazhdueshme me motin.”
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Foto: grain.bg
Një numër rekord Shqiponjash Perandorake të Lindjes ( Aquila heliaca ) - gjithsej 48 zogj të vegjël të specieve të rrezikuara - kanë lindur në Bullgari këtë vit. Ky është numri më i lartë i shpendëve të lindur të regjistruar nga Shoqata Bullgare..
Dita e zgjedhjeve në kryeqytetin maqedonas Shkup kalon normalisht, pa radhë në qendrën e votimit. Rreth 50 persona kanë votuar deri në mesditë dhe pritet që deri në mbylljen e saj të jenë më shumë se 100. Në krahasim me votimin në qershor,..
Për të shtatën herë radhazi, brenda tre viteve, Bullgaria zgjedh sërish përfaqësues të popullit. Ashtu si në votimin e fundit në qershor të këtij viti, pjesëmarrja në votime është e ulët. Sipas një sondazhi të Radio Bullgarisë në qendër të Sofjes,..
Zoti i ka dhuruar njeriut cilësinë e madhe - të ëndërrojë, dhe ne ëndërronim që pikërisht këtu, në Muzeun Getty, të dëgjonim në bullgarisht për hapjen e një..
Para zgjedhjeve presidenciale në SHBA, jo vetëm amerikanët janë të emocionuar. Edhe evropianët po presin me frymë të lodhur rezultatet – a do të..
Shpesh thuhet me ironi se njerëzit në Maqedoninë e Veriut marrin nënshtetësinë bullgare vetëm për qëllime egoiste. Prandaj, në regjistrimin e fundit..