"Guximi më i madh që një person mund të tregojë nuk është në Kozmosin e hapur, por në mendimet e tij" – këto janë fjalët e shpikësit të famshëm me origjinë bullgare dhe krijuesit të kompjuterit të parë elektronik me kujtesë rigjeneruese John Atanasoff. Trim në mendimin e tij është edhe Dr. Marin Bukov, fituesi i sivjetshëm i Çmimit të madh "John Atanasoff" për shkencëtarët e rinj bullgarë në fushën e informatikës, e cila u dhurua për të 21-ën herë nga presidenti i Bullgarisë Rumen Radev. Jeta e tij lëviz midis algoritmeve të specializuara, simulimeve, teknologjive kuantike, ideve të mësimit të makinerive të fizikanëve dhe mësimdhënies.
“Dikush duhet të kushtojë kohë të mjaftueshme për të arritur sukses, dhe koha është i vetmi burim që nuk kam gjetur ende se si ta gjeneroj. Koha ikën dhe zakonisht, kur njeriu merret me diçka të këndshme, ajo ikën edhe më shpejt”, thotë 34-vjeçari Dr. Marin Bukov. Ai e do atë që bën, prandaj koha që i ka kushtuar shkencës vitet e fundit ka ikur shpejt dhe i ka sjell sukses.
“Kam mbaruar Shkollën e Mesme Gjermane në vitin 2008, pas së cilës jam diplomuar në fizikë dhe në matematikë në Universitetin Ludwig Maximilian-Munich. Pasuan një magjistraturë dhe doktoraturë në Universitetin e Bostonit, më pas një post-doktoraturë. Tani jam udhëheqës i grupit kërkimor në Institutin Max Planck për Fizikën e Sistemeve Komplekse në Dresden. Nëse më duhet të kthehem pas në kohë - që në fillim njeriu duhet të njihet me fushën e caktuar, të njihet me konceptet e reja. Diku në mes të doktoraturës sime ishte koha kur filluan të shfaqeshin ide të reja dhe pyetjet se si t'i realizoja ato. Kjo gjë vazhdon edhe sot e kësaj dite.”
Punimet shkencore të Dr. Marin Bukov janë cituar afro 2500 herë në bazën e të dhënave bibliografike për artikujt në botimet shkencore Scopus. Interesi i tij kryesor është zhvillimi dhe përdorimi i inteligjencës artificiale në teknologjitë kuantike. Dr. Bukov ka krijuar aplikacionin e parë të algoritmeve duke përdorur inteligjencën artificiale të vetë-mësuar për të kontrolluar dhe manipuluar sisteme kuantike shumë ndërvepruese. Për zbatimin praktik të shpikjeve të tij, ai shpjegon:
"Zbatimi i teknologjive kuantike mund të jetë mjaft i larmishëm - për shembull, ato mund të çojnë në një arritje të madhe në përshpejtimin e një lloji të caktuar algoritmi. Në kriptografi, teknologjitë kuantike gjithashtu pritet të çojnë në algoritme të reja kripto dhe mënyra të reja në të cilat informacioni mund të ruhet dhe mbrohet. Simulimet kuantike pritet të çojnë në përparime në fizikën kuantike, veçanërisht në sintetizimin e materialeve të reja me veti të krijuara për qëllime të caktuara. Gjithashtu në kiminë kuantike - në farmaceutikë dhe krijimin e molekulave që çojnë në sintezën e barnave të reja. Kjo, mund të thuhet, është udhërrëfyesi për 50-100 vitet e ardhshme”.
Dr. Bukov është gjithashtu edhe pedagog, përfshirë edhe në Bullgari, ku krijoi një kurs leksionesh në Universitetin e Sofjes “Shën Kliment Ohridski” në 2020/21. Kursi është pjesë e programit master në inteligjencën artificiale dhe programe të ndryshme në fizikë, ku marrin pjesë 45 studentë.
“Kam krijuar një kurs të ri leksionesh për njohuri më të thelluara në fushën eshkencave fizike. Fillojmë me kolegët në Institutin Max Planck për të punuar në një kurs të ri mbi dinamikën kuantike jo të ekuilibruar. Pra, veprimtaria mësimore dhe veprimtaria shkencore zakonisht shkojnë paralelisht - thotë shkencëtari bullgar.
A ka rrugë kthimi për në Bullgari? “Praktikisht kam qenë këtu para dy vitesh – jam përpjekur të krijoj një grup kërkimor”, përgjigjet doktor Bukov. Megjithatë, ligjet në vendin tonë pengojnë zhvillimin e grupeve shkencore me të cilat punon studiuesi vendas:
“Gjërat po zhvillohen në Bullgari, por ende nuk kanë arritur në atë nivel që do të lejonte zhvillimin e ekipeve të tilla. Në të vërtetë, mendoj se disa nga ligjet ende nuk e lejojnë njeriun të bëjë një grup shkencor konkurrues, për shembull, Ligji për Zhvillimin e Personelit Akademik, disa pjesë të Ligjit për Arsimin e Lartë. Me sa di unë, aktualisht është duke u përgatitur një ligj i ri për Kërkimin Shkencor dhe Inovacionin dhe ky është hapi i parë drejt një sistemi konkurrues”.
Dr. Marin Bukov është trim në mendimet dhe ëndrrat e tij dhe guximi për të ndjekur idetë e tij e çoi atë drejt Çmimit të Madh "John Atanasoff", të cilin e mori nga kreu i shtetit të Bullgarisë në vitin kur festojmë 120 vjetorin e lindjes së zbuluesit të kompjuterit elektronik.
“Ky çmim është një mirënjohje e madhe për mua dhe punën time, por edhe për punën e të gjithë bashkëpunëtorëve të mi hulumtues dhe studentëve që punojnë me mua”, thotë Marin Bukov. Jeta e tij vazhdon të endet midis algoritmeve të specializuara, simulimeve, teknologjive kuantike, mësimdhënies dhe mendimit - një Kozmos i tërë!
Foto: Arkiva personale, BTA
Përktheu në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello
Çdo vit në prag të festës së vëllezërve të shenjtë Kiril dhe Metodi, të alfabetit, arsimit dhe kulturës bullgare dhe letërsisë sllave - 24 maj, një delegacion bullgar i kryesuar nga kryetari i Kuvendit ose kreu i shtetit priten në audiencë nga kreu i..
Casa Bulgara ose Shtëpia Bullgare zë një vend kryesor në guidat e kuzhinës në São Paulo - qyteti më i madh në Brazil me mbi 12 milionë banorë. Mëngjesorja ka gati gjysmë shekulli që ndodhet në të njëjtën adresë dhe është në pronësi të 75-vjeçares..
Ichak Finci ka lindur më 25 prill, pjesë e të ashtuquajturit “brezi i artë” i aktorëve bullgarë. Për udhëtimin e tij 91-vjeçar në tokë, Icko Finci le gjurmë të dallueshme në jetën teatrale, filmike dhe kulturore bullgare. Ai ka lindur në Sofje,..