Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

110 vjet Lidhja e Shkrimtarëve Bullgarë

Bojan Angellov: Filozofia njerëzore është e koduar në gjuhë

Bojan Angellov në studion e Radio Bullgarisë
Foto: Krasimir Martinov

Organizata më e vjetër e shkrimtarëve në Evropë – Lidhja e Shkrimtarëve Bullgarë shënon 110 vjet nga themelimi i saj me festime zyrtare në Sofje. Kryetar i lidhjes është Bojan Angellov - poet, historian dhe kritik letrar, filozof dhe personalitet publik bullgar. Veprat e tij janë përkthyer në 38 vende. Vetë ai përkthen nga gjermanishtja, rusishtja, frëngjishtja dhe greqishtja.

Para Radio Bullgarisë, Bojan Angellov shpalos momente interesante nga rruga e tij krijuese dhe nga historia e organizatës.

"Linda në qytetin Panagjurishte. Atje e kalova fëmijërinë, atje mbarova shkollën e mesme - tregon ai. – Kur isha student, më duhej të bëja një vit pushim dhe, për krenarinë time të madhe, gjatë asaj kohe u bëra mësues në gjimnazin, të cilin e mbarova. Themeluesi i Akademisë Bullgare të Shkencave, Marin Drinov, dhe kritiku i parë letrar bullgar, Nesho Bonçev, emrin e të cilit mban sot gjimnazi, kanë qenë nxënës dhe mësues në të.”

Shkolla e Mesme “Nesho Bonçev” në qytetin Panagjurishte

Përveç filolog, Bojan Angellov është edhe doktor i shkencave filozofike, punonte si kryeredaktor i gazetave të ndryshme periodike, ishte edhe pjesë e Komitetit për Radio dhe Televizion kur dy mediat elektronike funksiononin së bashku. Në periudhën e viteve 1998 – 2005, Bojan Angellov studionte dhe punonte në Zvicër, ku u diplomua në Akademinë e Shkencave Pedagogjike dhe jepte mësime në universitetet në Bazel dhe Lozanë.

"Kujtimet e mia për Zvicrën janë të mrekullueshme. Krahas miqësive të shumta që bëra atje, një kështjellë e rrënuar që hasa rastësisht më la një përshtypje të fortë - tregon Bojan Angellov. - Më vonë mësova se ky vend për zviceranët është si maja Shipka për ne. Në këtë kala, më 22 korrik  të vitit 1499, u zhvillua një betejë midis trupave të kantoneve të bashkuara zvicerane dhe Perandorisë së Shenjtë Romake. Zviceranët mbajtën një fitore, por që atëherë e deri më sot nuk kanë bërë luftë, d.m.th. ruajnë neutralitetin e tyre. Dhe në atë vend, kuptova se çfarë do të thotë të jesh njeri i mirë - të dish që as ti, as babai, as gjyshi, as stërgjyshi yt nuk i kanë qëlluar njerëzit. Ky është ndoshta mësimi më i madh që kam mësuar atje – për sa kohë që ekziston një vend i tillë në botë, atëherë ekziston shpresë.”

Rrënojat e Kështjellës Dornek afër qytetit Dornah, Zvicër

Në Zvicër, ku fliten katër gjuhë zyrtare, Bojan Angellov e kupton se sa e rëndësishme është që një person të ketë sedër kombëtare, si dhe të vlerësojë gjuhën e tij. Ai është një nga personat që mbron tezën se është i nevojshëm ligji për mbrojtjen dhe përdorimin e gjuhës bullgare.

“Nuk po flasim për një ligj për të ndryshuar vetë gjuhën, por për një ligj për të ruajtur gjuhën dhe mënyrën e përdorimit të saj. Filozofia njerëzore është e koduar në një gjuhë.”

Në vitin 2012, dy vjet para se të merrte drejtimin e Lidhjes së Shkrimtarëve Bullgarë, Bojan Angellov u bë drejtor i Shtëpisë Botuese "Shkrimtari bullgar", e cila në atë kohë ishte në gjendje të keqe financiare. Kjo shtëpi botuese ka një traditë të gjatë. E themeluar në vitin 1947, në të punuan ose botuan libra poetët dhe shkrimtarët më të mëdhenj bullgarë. Një referencë në Bibliotekën e Kongresit Amerikan tregon se në të gjenden rreth 3800 tituj të Shtëpisë Botuese "Shkrimtari bullgar". Nuk ka asnjë shtëpi tjetër botuese bullgare e cila të jetë e pranishme me kaq shumë tituj atje.

Në një kohë vlerash të ngatërruara, si të dallohet e vërteta nga e keqja në letërsi?

“Është shumë mirë që letërsia bullgare sot është disi më liberale, por mendoj se letërsia e orientuar politikisht filloi të tolerohet sërish dhe kjo nuk është e shëndetshme për shoqërinë bullgare - thotë Bojan Angellov. – Politika është gjithmonë konjukturale, gjithmonë i shërben vetëm një pjese të shoqërisë. Ne në organizatën tonë mendojmë kështu, dhe mbase po mashtrojmë veten, se qëndrojmë larg politikës, se kërkojmë disa vlera të përbashkëta kombëtare dhe njerëzore. Ne nuk mund të fshihemi nga e kaluara jonë, veçanërisht njerëzit që jetuam në atë kohë. Dhe kjo kohë kishte të metat e veta, por kishte edhe anët e mira. Personalisht, nuk jam magjepsur nga koha në të cilën jetojmë sot. Është disi më e politizuar se atëherë.”

Sipas Bojan Angellov, Bullgarisë i mungon një hartë për të treguar rrugën që duhet të shkojë.

Sot dihet gjithçka dhe nuk ka gjëra të fshehura. Por në një mënyrë brutale historia po rishkruhet. Dalin disa njerëz që të thonë – “nuk duhet të mendosh kështu, sepse unë nuk mendoj kështu”. Kjo ekziston vetëm në diktatura. Nuk mund të imponosh vullnetin tënd kështu. Dhe mendoj se nëse krijohet një hartë që të tregojë rrugën e kulturës dhe të spiritualitetit, rrugën e ekonomisë dhe politikës, diçka mund të arrihet. Por për këtë na duhen politikanë largpamës, jo njerëz që mendojnë për xhepin e tyre, për të sotmen dhe të nesërmen apo për mandatin e tyre.”

Me çfarë koha e sotme mund të frymëzojë një krijues?

"Koha është e frytshme për këdo që dëshiron t'i përkushtohet letërsisë. Pse? Sepse sot të rinjtë nuk kanë kufizimet që ekzistonin më parë. Ata tashmë mund të udhëtojnë e të jetojnë kudo, të studiojnë, të njihen me kulturat e huaja. Kjo është një përparësi e madhe dhe ne duhet të jemi mirënjohës. Por është e rëndësishme t'u kushtohet më shumë vëmendje njerëzve si individë, sukseseve të tyre. Dhe të mos na vërshojnë lajme negative. Sepse në Bullgari po ndodhin shumë gjëra pozitive, por një rreth i ngushtë njerëzish mëson për to. Ka kaq shumë talente në vendin tonë dhe ata duhet të jenë motori i shoqërisë sonë. Është e vërtetë e njohur që nëse nuk respektojmë familjen dhe vendin tonë, askush nuk do të na respektojë. Prandaj, duhet të gjejmë gjithmonë fjalën e duhur dhe ta themi atë.”


Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova

Foto: Krasimir Martinov, wikipedia.org, Lidhja e Shkrimtarëve Bullgarë




Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

“Abetarja e Peshkut” 200-vjeçare kujton për veten me një botim të ri

Në vitin 2024 mbushen 200 vjet nga shfaqja e së ashtuquajturës "Abetare me mësime të ndryshme" . Ky është titulli origjinal i librit i njohur më mirë si “Abetarja e Peshkut”, autor i së cilës është rilindësi i shquar Dr. Petër Beron. Bëhet..

botuar më 24-11-03 7.35.PD
Milena Selimi dhe Georgi Gospodinov

Milena Selimi përkthen romanin ”Kohëstrehim” të autorit bullgar Georgi Gospodinov

Shkrimtare, përkthyese, gazetare, përfaqësuese e bullgarëve në Komitetin për Pakicat Kombëtare në Shqipëri, Milena Selimi nuk rresht së promovuari kulturën, letërsinë, vlerat dhe traditat bullgare. Një nga arritjet e saj profesionale më të fundit është..

botuar më 24-10-28 2.10.MD
Maria Bakallova ia jep Çmimin e Madh në festival regjisorit Kirill Serebrennikov

Filmi-drama "Limonov" fitoi çmimin e madh në "Cinelibri" në Sofje

Drama biografike 138-minutëshe e Italisë, Francës dhe Spanjës “Limonov” fitoi Çmimin e Madh për Përshtatje Mjeshtërore Letrare në Konkursin Ndërkombëtar të Filmit me metrazh të gjatë Cinelibri . Favoriti u shpall nga kryetarja e jurisë, aktorja..

rinovuar më 24-10-27 6.29.MD