Më 24 shkurt, Ukraina shënoi dy vjet nga pushtimi rus. Përvjetori i zymtë vjen në sfondin e vdekjes së liderit të opozitës ruse Aleksei Navalni, sundimin e qytetit kyç lindor të Ukrainës Avdeevka - fitorja më e madhe simbolike e Rusisë që nga kundërofensiva e dështuar e Kievit. Problemi më serioz i Ukrainës për momentin është mungesa kritike e armëve, kryesisht për shkak të vonesës së ndihmës ushtarake nga Shtetet e Bashkuara.
Pavarësisht situatës së vështirë në të cilën ndodhet, Kievi ka dërguar një mesazh të qartë se nuk do të heqë dorë nga mbrojtja e pavarësisë së tij dhe ka kërkuar sërish municione dhe pajisje që të mund të mbrohet.
Presidenti Volodimir Zelenski:
"Çdo njeri normal dëshiron që lufta të përfundojë, por askush nga ne nuk do të lejojë që Ukraina jonë të përfundojë. Kjo është arsyeja se pse ne gjithmonë shtojmë "me kushtet tona" pranë fjalëve "fundi i luftës", si dhe fjala "paqe" gjithmonë shkon me "të drejtë". Prandaj, në historinë e ardhshme, përmendja e Ukrainës do të jetë gjithmonë me fjalën "e pavarur."
Në prag të përvjetorit të luftës, Perëndimi dha disa shenja simbolike. BE miratoi paketën e 13-të të sanksioneve kundër Rusisë, SHBA dhe Britania e Madhe gjithashtu iu bashkuan klubit të kufizimeve të reja.
Një sërë marrëveshjesh dypalëshe sigurie u nënshkruan midis Kievit dhe vendeve të NATO-s. Ato synojnë forcimin e sigurisë së Ukrainës derisa ajo të bëhet anëtare e aleancës - diçka për të cilën Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg nuk ka dyshime dhe çështja sipas fjalëve të tij është "jo nëse, por kur".
Në solidaritet me Ukrainën, katër liderë perëndimorë shënuan përvjetorin e dytë të luftës në Kiev. Këta ishin kryeministrat e Italisë, Kanadasë dhe Belgjikës dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Nuk jemi të lodhur duke ndihmuar Ukrainën – ishte mesazhi i Von der Leyen:
"Ne jemi këtu sot për t'ju thënë se Evropa do të vazhdojë të qëndrojë pranë jush për aq kohë sa duhet. Me më shumë mbështetje financiare, më shumë municione, më shumë trajnime trupash, më shumë mbrojtje ajrore dhe më shumë investime në industrinë e mbrojtjes evropiane dhe të Ukrainës."
Në shenjë mbështetjeje për Ukrainën, më 24 shkurt, qindra bullgarë dhe ukrainas u mblodhën për demonstrata në qytete të ndryshme të Bullgarisë.
Ndërkohë, pas vdekjes tragjike të Aleksei Navalnit në vigjilje të përvjetorit të luftës, vdekje kjo e cila konsiderohet si vrasje politike, e shoqja e tij Julija shpalli fillimin e karrierës së saj politike, duke deklaruar se do ta vazhdojë veprën e tij:
"Gjëja më e rëndësishme që mund të bëjmë për Aleksei dhe për veten tonë është të vazhdojmë të luftojmë edhe më fort, më dëshpërimisht dhe më ashpër se më parë."
Vdekja e liderit të opozitës shkaktoi një reagim të ashpër nga vendet perëndimore, të cilat i bënë thirrje Moskës të lejojë një hetim të pavarur. Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, David McAllister, tha:
"Ai sakrifikoi jetën e tij për ta vazhduar luftën për të çliruar Rusinë nga regjimi aktual i ligë, brutal dhe i korruptuar. Është mjaft e qartë se përgjegjësia për vdekjen e tij bie mbi Putinin si dhe mbi autoritetet ruse. Sfida e parë e rëndësishme për opozitën ruse do të jenë të ashtuquajturat zgjedhje presidenciale, përpara të cilave represioni ndaj opozitës në Rusi arrin nivele të papara që nga ditët më të errëta të Bashkimit Sovjetik”.
Vdekja e Navalnit u njoftua një ditë para fillimit të fushatës për zgjedhjet presidenciale në mes të marsit. “Mos e njihni Putinin si president legjitim të Rusisë pas zgjedhjeve”, tha kreu i fondit për luftimin e korrupsionit, “Navalni” Leonid Volkov.
Ai kujtoi se fondi ka hartuar një listë me mbi 7000 njerëz të afërt me regjimin e Putinit, shumica e të cilëve BE-ja nuk i ka sanksionuar, dhe kritikoi Brukselin se nuk ushtron presion mjaft të fortë:
"Ne e hartuam listën në prill 2022, dy muaj pas sundimit ndaj Ukrainës. Në maj, Parlamenti Evropian votoi një rezolutë në mbështetje të kësaj liste sanksionesh të fondit kundër korrupsionit. Kanë kaluar gati dy vjet dhe asgjë nuk ka ndodhur.”
Politologu Petër Çollakov është skeptik se vrasja e Navalnit mund të jetë një pikë kthese dhe një katalizator për ndryshimin e situatës së brendshme politike në Rusi:
“Në kushtet e një regjimi represiv, siç është regjimi i Vladimir Putinit, i cili vitet e fundit është bërë edhe më represiv, nuk ka gjasa, për mendimin tim, që madje vdekja martire e Aleksei Navalnit të ketë një efekt në lëvizjen e shtresave opozitare në Rusi, në shoqërinë ruse. Ajo që mund të themi për momentin për sa u përket shifrave është se nga tërë popullsia e Rusisë, që është mbi 140 milionë banorë, vetëm rreth 400 njerëz shprehën njëfarë përkujtimi, proteste në lidhje me vdekjen, vrasjen - mendoj se ky është konstatimi i saktë për liderin e opozitës ruse Aleksei Navalni, i cili, ju e dini, vdiq në Siberi në mërgim."
Sipas tij, vrasjet dhe represionet politike janë të zakonshme në Rusi:
“Edhe sot nuk dihen vrasësit e Nemcovit në vitin 2015. Sigurisht, vrasësit fizikë nuk kanë shumë rëndësi. Askush nuk ka dyshim se përmbaruesit janë më të lartët në shtet. Nemcov konsiderohej si një nga trashëgimtarët e Boris Jelcinit. Në fund, është Putini ai që mbizotëroi. Në vitin 2006, ndodhi vrasja e gazetarеs së famshme Politkovskaja, vrasja e së cilës ishte në ditëlindjen e diktatorit Vladimir Putin. Dhe pas fillimit të luftës kundër Ukrainës, në fakt, represioni u bë edhe më intensiv.”
Sipas politologut, ndryshimi në Rusi vështirë se mund të vijë nga jashtë:
“Nëse ka ndonjë kërcënim për regjimin e Putinit, ai do të vijë më tepër nga rrethimi i tij i ngushtë, por duket se, tani për tani, ka pak të ngjarë që kjo të ndodhë. Po, jashtë, emigrantët, njerëzit që kundërshtojnë regjimin, do të vazhdojnë të flasin, do të vazhdojnë të trazojnë shpirtrat, por nëse një "këmbë" nuk ka "shkelur" në vetë tokën ruse, kush do të veprojë atje, sepse, në fund të fundit, politika është çështje organizimi, çështje financimi, si do të ndodhë ky organizim dhe ky financim në një vend që është në një regjim kaq mizor politik?! Për mendimin tim kjo mund të realizohet shumë vështirë në praktikë.”
Petër Çollakov beson se këtë vit nuk do të ketë kthesë vendimtare në luftën në Ukrainë:
“Sigurisht, SHBA-ja dhe BE-ja janë ata që do të donin të shihnin disfatën e Rusisë në territorin ukrainas. Vështirë se dikush ka ndonjë iluzion se oreksi i Putinit do të ndalet në Ukrainë. Nuk mendoj se në vitin 2024, nëse nuk ka disa kthesa befasuese, ky konflikt do të zgjidhet.”
Ky material është përgatitur në kuadër të radio rrjetit evropian “Euranet Plus”. Mund ta dëgjoni atë me tingullin e tij origjinal në bullgarisht KËTU.
Lexoni më tepër:
Foto: EPA/BGNES, BTA, Rojters, Savina Spasova
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Në mëngjesin e Krishtlindjes tashmë kudo është përhapur lajmi më i gëzueshëm në Tokë se ka lindur i biri i Zotit, prandaj dita është e veçantë dhe duhet festuar me vëmendje të veçantë dhe me shumë rite festive. Pas natës së qetë dhe të shenjtë, kur..
Në prag të Lindjes së ndritur të Krishtit – Natën e Buzmit, Shenjtëria e Tij Patriku Bullgar Daniill dhe Mitropolit i Sofjes iu drejtua të gjithë fëmijëve të Kishës sonë Ortodokse. “Në lutje të qeta, të mbledhur rreth vatrës së ngrohtë të shtëpisë,..
Mbrëmjen e 25 dhjetorit në Teatrin Kombëtar “Ivan Vazov” nën patronazhin e kreut të shtetit do të zhvillohet edicioni i njëzet e dytë i shfaqjes bamirëse “Krishtlindjet Bullgare”. Nisma është nën moton “Të japim shpresë një fëmije në vështirësi”, dhe..
Nata e Buzmit është një nga ato festat e qeta familjare, të mbushura me shpresë për ditët në vijim. Në kufirin mes të shkuarës dhe të tashmes,..
Skulptura "Lindja e Krishtit prej rëre në Burgas", të cilën artistët britanikë Paul dhe Remy Hogarth po e skulpturojnë në qendër të Burgasit para syve të..
Optimizëm i kujdesshëm për Sirinë - ky është pozicioni që ka mbizotëruar deri më tani në BE që nga rënia e regjimit të Bashar Asadit. Shumica e politikanëve..