Zona “Gradishteto” në Rodopet Perëndimore është e mbushur me silueta shkëmbore kafshësh, formimi i të cilave u përsos nga dora e njeriut afro 7 mijë vjet më parë. Në ditët e sotme këto skulptura misterioze janë të aksesueshme falë një rruge turistike. Vendi njihet si Parku Historik Natyror i Peizazhit “Gradishte”. Teksa ecim përgjatë shtegut me pamje të bukura nga malet Rodopa dhe Pirin përballë, të fshehur mes çukave, na “ndjekin” breshka, zogj, peshq, fytyra njerëzore dhe krijesa mitike që pikturojnë imazhe të çuditshme në imagjinatë. Sipas studiuesve, është një vend i shenjtë shumë i lashtë që shtrihet në një sipërfaqe prej 500 hektarësh.
Më mbresëlënëse është e ashtuquajtura "Koka" - një fytyrë gjigante guri e formuar qartë në profil, duke ngulur sytë në përjetësi. Skica është e përsosur dhe është e qartë se këtu ka pasur ndërhyrje njerëzore. Sipas Prof. Vasill Markov, drejtor i Qendrës për Kulturat e Lashta në Universitetin Jugperëndimor, ky është imazhi simbolik i perëndisë trake Sabazij. Mbi "Koka" arkeologët gjetën gjurmë të një vatër kulti ku trakët kryenin ritet e tyre. "Në territorin "Gradishteto" ka edhe dy fytyra të mëdha njerëzore. Nuk mund t'i datojmë saktësisht, sepse nuk janë në një shtresë kulturore, por ndoshta janë të kalkolitit të vonë (4800 - 4000 p.e.s.)", thotë Prof. Vasill Markov dhe shton:
"Ne gjejmë më së shumti silueta dhe imazhe të breshkave. Në fund të epokës parahistorike, breshka është një simbol i Perëndeshës së Madhe Nënë, dhe më saktë, ajo është imazhi i saj zoomorfik. Gjithashtu i dukshëm në shenjtërore është një fron monumental i gdhendur në shkëmb, si dhe një hartë ylli, e përbërë nga "panele" të vogla të gdhendura në shkëmb që ne i quajmë altarë. Këto janë dëshmi të njohurive astronomike të trakëve, të cilët vëzhgonin qiellin nga hapësira e shenjtë e shenjtërores.”
Pas 5.21 minutash të video reportazhit, ju çojmë në shenjtëroren "Gradishteto", që ndodhet 8 km nga fshati etnografik Dolen. Titrat mund të përkthehen automatikisht nga cilësimet në këndin e poshtëm djathtas.
Në kohët e lashta, trakët njiheshin kryesisht për aftësinë për të bërë një njeri të vdekshëm në një perëndi të pavdekshëm, thekson Prof. Markov. Sipas tij, shenjtërorja ka shërbyer pikërisht për “përjetësim”. Këtë e dëshmojnë vrimat shkëmbore në territorin e saj, të cilët ende përdoren nga të krishterët dhe myslimanët që jetojnë në fshatrat e afërta. I gjithë rituali shoqërohet me rite të lashta, të cilat supozohet se janë trashëguar nga trakët.
“Me ritualin e kalimit përmes vrimës së shkëmbit, pjesëmarrësi i kultit braktis natyrën e tij të vjetër të vdekshme dhe, duke dalë “në anën tjetër të kësaj bote” ose harkun shkëmbor, merr një natyrë të re të një karakteri mitologjik të pavdekshëm. Në ditët e sotme kjo është e ruajtur në ritin folklorik të kalimit përmes vrimës shkëmbore. I sëmuri vesh një rrobë të vjetër mbi një të re dhe pasi kalon nën harkun e gurtë, e braktis rrobën e vjetër duke e varur në shkëmb, d.m.th. ai bëhet “njeri i ri i shëndetshëm” - thotë në përfundim prof. Markov.
Supozohet kjo shenjtërore u shfrytëzua në mënyrë më intensive për nevoja fetare në shekujt III-II p.e.s., dhe gjurmët e fundit të pranisë njerëzore në "Gradishteto" datojnë nga epoka romake (shekujt III-IV pas Krishtit).
Lexoni më shumë:
Foto dhe video: Veneta Nikollova
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Vendi ynë është organizatore e Takimit Vjetor të Komitetit Evropian të Shoqatave të Operatorëve Turistik dhe Agjentëve të Udhëtimit - aktiviteti më i madh i institucionit që bashkon operatorët turistikë të Evropës. “Mikpritja e këtij takimi është një..
Në kërkim të besueshmërisë shkencore, studiuesit e qytetërimeve dhe kulturave të lashta hasin edhe lajme të rreme të krijuara nga të lashtët. Gjëja më kurioze është se edhe atëherë e kanë bërë... në emër të turizmit kulturor. Një nga këto lajme të..
Në fshatin Pçellarovo, i fshehur mes shpateve të Rodopeve Lindore, tregojnë një legjendë se në këtë zonë lulëzuan pyjet shekullore të lisit dhe arra, në zgavrat e të cilave jetonin bletë të egra. Bletaria ka qenë mjeti i jetesës së njerëzve që nga..
Tërheqësja e vjetër në fshatin Govedarci, bashkia e Samokovit në malin Rilla, do të modernizohet në një teleferik me katër ulëse me një kapacitet prej..
Bullgaria, e vendosur në qendër të qytetërimeve të lashta, ofron pamje mbresëlënëse historike, të rrethuara nga brigjet më të mira të Detit të Zi dhe..