Komisioni Evropian propozoi javën e kaluar krijimin e një Programi Evropian të Industrisë së Mbrojtjes për të mobilizuar 1.5 miliardë euro nga buxheti i BE-së për periudhën 2025-2027.
Strategjia pritej prej një kohe të gjatë për shkak të agresionit rus në Ukrainë dhe nevojës për të mbrojtur BE-në. Përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë Josep Borrell:
“Ju kujtoj se dy vjet më parë, kur e paraqitja kompasin strategjik, thashë se Europa ishte në rrezik. Më falni, kisha të drejtë. Europa ishte në rrezik dhe tani është në rrezik edhe më të madh.”
Aktualisht, Ukraina ka nevojë për 200 000 predha 155 mm në muaj, që përbën gati 2.5 milionë në vit, tha Borell: “Kartëmonedhat kanë vlerë kur do të blihen armë, por ato duhet të prodhohen. Pra, çdo gjë që rrit aftësinë tonë të mbrojtjes ka vlerë për Ukrainën pasi ne jemi të përkushtuar ta mbështesim atë.”
Borrell vuri në dukje rritjen e ndjeshme të prodhimit të municioneve në BE, por gjithashtu theksoi se ajo që mungon aktualisht është financimi. “Ne nuk kemi Pentagon në Evropë”, tha përfaqësuesi i lartë dhe vuri në dukje si problem copëzimin midis 27 vendeve anëtare përsa i përket mbrojtjes. “Jemi të ndarë në 27 shtete anëtare dhe 27 ushtri të ndryshme dhe duhet të rrisim bashkëpunimin me njëri-tjetrin. Mbani parasysh një shifër - në vitin 2022, investimet në mbrojtjen e shteteve anëtare arrijnë në 58 miliardë, të fragmentuara midis 27 qendrave.”
Shtetet anëtare do të pajisen me një kuadër të ri ligjor të quajtur Struktura e Programit Evropian të Armatimeve. Ajo do të jetë një mjet për të mbështetur bashkëpunimin e mbrojtjes gjatë gjithë ciklit të funksionimit të kapaciteteve dhe potencialisht do të përfitojë nga përjashtimi i TVSH-së.
Ukraina do të integrohet në këtë strategji, tha Komisioneri Evropian për Tregun e Brendshëm Thierry Breton:
“Ne do të integrojmë plotësisht bazën e mbrojtjes industriale të Ukrainës me atë evropiane dhe në këtë mënyrë do të mbështesim bashkëpunimin midis Ukrainës dhe BE-së.”
Gjithashtu është planifikuar krijimi i një qendre inovacioni në Kiev, e cila do t'u sigurojë forcave mbrojtëse të Ukrainës atë që u nevojitet për vijën e parë dhe ajo do të jetë në harmoni me teknologjitë më moderne.
A mendoni se kjo strategji për industrinë e mbrojtjes mund të bëhet e zbatueshme në një afat të shkurtër është pyetja ime e parë për eurodeputetin lituanez të “Rinovo Evropën”, Petras Auštrevičius.
“Nuk mendoj kështu, sepse në fakt u desh shumë kohë që BE-ja të dilte me këtë propozim. Duhej të fillonte lufta, agresioni dhe që atëherë të kuptuam se industria jonë e mbrojtjes është jashtëzakonisht e dobët. Kështu që unë mendoj se të gjitha mangësitë - mungesa e investimeve të mjaftueshme, e përpjekjeve, standardizimi dhe bashkëpunimi i pamjaftueshëm, e gjithë kjo do të kërkojë kohë. Po ecën shumë ngadalë, industria e mbrojtjes është shumë konservatore, bëhet fjalë për shumë para, kështu që unë i mirëpres dhe i vlerësoj këto përpjekje, por do të duhet vërtet kohë për t’u realizuar.”
Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell bëri një krahasim me Shtetet e Bashkuara, sipas të cilit Pentagoni shpenzon pothuajse 4 herë më shumë për mbrojtje sesa gjithsej 27 shtetet anëtare të BE-së. Deri në çfarë mase është e mundur të forcohet bashkëpunimi ndërmjet vendeve të Komunitetit në afat të shkurtër?
“Në këtë dokument ka shumë gjëra të mira, por unë ende e shoh atë të pamjaftueshëm. Pritshmëritë janë shumë të larta - prodhimi, porositë e përbashkëta, bashkëpunimi, etj. Dhe pastaj i shihni investimet - 1.5 miliardë euro! Kjo nuk është asgjë dhe duket si një shaka. Nëse flasim për një strategji evropiane, e theksoj, për një strategji evropiane të mbrojtjes dhe jo të vendeve anëtare, atëherë duhet të ketë investime të përbashkëta, shtytje në këtë drejtim, koordinim. Të mos investojmë 1.5 miliardë dhe të presim të ndodhin mrekulli. Mund t'ju siguroj se nuk mund t'i presim, sepse industritë e mbrojtjes kanë nevojë për investime shumë të mëdha, si dhe për kërkime dhe zhvillim. Dhe duhet kohë për këto studime, si dhe për arritjen e një vendimi nëpërmjet tyre. Pra, shoh shumë propozime që bazohen në një bashkëpunim pothuajse vullnetar. Nuk mendoj se do të ketë ndonjë ndryshim të menjëhershëm në këtë. Ky është vlerësimi im për këtë strategji, më vjen keq ta them. Deri tani ka shumë pak investime, ndoshta do të ketë të tilla private, ndoshta do të jepen kredi me kushte më të favorshme. Por sinqerisht, prisja shumë më tepër nga ky dokument. Dhe pse kemi nënshkruar kaq shumë deklarata dhe protokolle për bashkëpunimin me NATO-n, kur nuk ka pothuajse asgjë për këtë çështje në të njëjtin dokument? Ndoshta si prodhues jemi konkurrentë me Shtetet e Bashkuara, Kanadanë dhe Britaninë e Madhe, por si konsumatorë të sigurisë ne jemi partnerë.”
Duke folur për Shtetet e Bashkuara, le të përmendim gjithashtu gjasat gjithnjë në rritje të kthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. A e llogarit këtë strategjia, sipas jush, duke pasur parasysh deklaratat e tij?
“Në një masë të madhe me këtë strategji synohet rritja e sovranitetit evropian në industrinë e mbrojtjes. Por gjithsesi, ne duhet të jemi të aftë për konkurrencë. Trump nuk është ai që do ta na vendosë në këto shina, ne duhet të jemi më konkurrues dhe të bëhemi prodhuesit më të mirë në botë. Ne nuk kemi investuar në këtë fushë për dekada dhe Evropa është kthyer në një konsumator të sigurisë dhe jo në një ofrues të saj në shumicën e rasteve. Kështu që ne duhet të fillojmë të investojmë më shumë në mbrojtje. Ne duhet të investojmë mjaftueshëm për të parandaluar përhapjen e agresionit rus edhe më tej përtej kufijve tanë.”
Ekziston një rrezik tjetër serioz - që kjo strategji të mos funksionojë, nëse konfirmohen studimet paraprake për një rritje serioze të rezultateve të ekstremit të djathtë në zgjedhjet evropiane. Domethënë, ekziston mundësia që të zgjidhen eurodeputetë më miqësorë ndaj regjimit të Kremlinit, të cilët do ta shikonin këtë strategji në një mënyrë tjetër...
“Dhe unë po shoh të njëjtën sfidë - të djathtën ekstreme, por edhe të majtën ekstreme. Për mua, e majta ekstreme paraqet të njëjtin rrezik, duke parë se çfarë thonë në Parlamentin Evropian. Kjo është një katastrofë, një humbje e plotë para diktatorëve si Putin - një dorëzim i çdo parimi evropian dhe gjunjëzim para tij. E djathta ekstreme e bën këtë ndryshe, por edhe të dyja sfidojnë kursin evropian. Por unë nuk jam në panik. Unë mendoj se shumica e evropianëve kanë ende sens të përbashkët. Në zgjedhje këto forca mund të rrisin rezultatet e tyre, por nuk mendoj se qytetarët tanë janë aq të pakënaqur me rezultatet tona të deritanishme që të kërkojnë diçka rrënjësisht ndryshe. Sepse rezultatet e ekstremit të majtë apo të djathtë do të sjellin vetëm katastrofë të plotë në tokën evropiane - nuk do të ketë BE, shtete anëtare, siguri, vetëm disfatizëm dhe slogane boshe. Prandaj, jam relativisht i qetë dhe pres një vazhdimësi të politikës kryesore të BE-së. Duhet të ndryshojmë, nuk mund të vazhdojmë si më parë, por ka shumë tregues që jemi në rrugën e duhur.”
Nëse bëjmë një krahasim me situatën me pandeminë, kur BE-ja nuk ishte mjaft e përgatitur, por gjeti zgjidhjet e duhura në progres, a mund të jemi optimistë tani në të njëjtën mënyrë?
“Mendoj se ky është një parim shumë i përgjithshëm, pasi BE mëson nga një krizë në tjetrën. Megjithatë, këto kriza kanë filluar të ndodhin më shpesh, bëhen më të mëdha, më sistematike dhe kërcënojnë jo vetëm mirëqenien tonë ekonomike, siç ishte më parë, por edhe themelet e ekzistencës sonë si shëndetësia, siguria, sovraniteti. Pra, ndoshta duhet të nxjerrim disa përfundime nga tendencat e tyre. Jemi jashtëzakonisht prapa kohës. Ne duhet të jemi të përgatitur për të qenë shumë më të fortë për krizën e ardhshme dhe shumë më të përgatitur. Pra, ne nuk mund të vazhdojmë me këtë politikë lineare nga pika A në pikën B. Ne duhet t'i bëjmë gjërat ndryshe, kështu që lidershipi i ardhshëm i BE-së do të jetë shumë më vendimtar. Nëse jemi më të përkushtuar dhe më të gatshëm për të punuar dhe për të bërë disa gjëra jopopullore, mund të kemi sukses.”
Çfarë për shembull?
“Për shembull, për të rritur buxhetin e BE-së. Ne kemi folur për këtë për një kohë të gjatë. Kjo mund të bëhet përmes taksave të Komunitetit dhe jo përmes kontributeve nga shtetet anëtare. Duhet të ndryshojmë edhe sistemin e votimit, duke hequr dorë nga vetoja që na mban në ngërç. Ne kemi nevojë për një situatë në të cilën të lëvizim. Shumë shpesh ne rrotullohemi rreth një situate dhe nuk arrijmë një zgjidhje.”
Por kjo kërkon një ndryshim të kontratave...
“Po. Besoj se nuk jemi më në zonën e rehatisë, por në fazën tjetër të mbijetesës sonë dhe larg asaj që ndodhi pas rënies së Murit të Berlinit. Situata në atë kohë ishte mjaft më e mirë në krahasim me situatën e tanishme - ishte paqësore, e udhëhequr nga njerëzit, nga ndjenja e lirisë dhe evropianizimit. Tani duhet ta mbrojmë këtë europianizim dhe Europën. Gjërat janë në një shkallë krejtësisht tjetër sigurie. Kjo është arsyeja se pse pres me padurim udhëheqjen e ardhshme të BE-së, përfshirë këtu dhe Parlamenti Evropian, të jenë të gatshëm me një qasje strategjike. Nuk mund të punojmë në të njëjtën mënyrë si vitin e kaluar. Ne duhet të bëjmë diçka të re - më shumë dhe më mirë.”
Ky material është përgatitur në kuadër të radio rrjetit evropian “Euranet Plus”. Mund ta dëgjoni atë me tingullin e tij origjinal në bullgarisht KËTU.
Plaku i Krishtlindjeve do të shpërndajë dhurata për kafshët në Kopshtin Zoologjik të Burgasit më 25 dhjetor. Planifikohet një turne festiv nëpër kopshtin zoologjik, si dhe një kuiz me dhurata për fëmijët, njofton Bashkia e Burgasit. Veprimtaria është..
Secila prej tyre sjell ngrohtësi dhe ngjall emocione, sepse është bërë me dorë dhe është e papërsëritshme dhe unike. Dhe shkëlqimet e saj të argjendta na kthejnë në fëmijëri, kur dimrat ishin të ashpër dhe të bardhë si bora, dhe lodrat e..
Më 21 dhjetor, fshati Zmejovo në rajonin e qytetit Stara Zagora shënon festën tradicionale të pelinit. Sipas një tradite të vjetër bullgare, miqtë do të priten me bukë e kripë në sheshin përballë Vatrës së Kulturës, ndërsa për humorin e tyre me një..
Secila prej tyre sjell ngrohtësi dhe ngjall emocione, sepse është bërë me dorë dhe është e papërsëritshme dhe unike. Dhe shkëlqimet e saj të argjendta..
Plaku i Krishtlindjeve do të shpërndajë dhurata për kafshët në Kopshtin Zoologjik të Burgasit më 25 dhjetor. Planifikohet një turne festiv nëpër..