Shkëmbimi i kryeministrit dhe  zëvendëskryeministrit në krye të shtetit, i rënë dakord 9 muaj më parë, mund të  jetë në prag të dështimit. I ashtuquajturi rotacion midis kryeministrit në  dorëheqje Nikollaj Denkov dhe zëvendës kryeministres Maria Gabriel ishte  menduar të bëhej më 6 mars, por vonimi i negociatave mes dy koalicioneve të  partive që e qeverisin vendin, shtynë tranzicionin e qetë në Këshillin e  Ministrave. Një ndikim të rëndësishëm në marrëdhëniet ndërmjet përfaqësuesve të  dy koalicioneve më të mëdha në parlamentin aktual - GERB-SDS dhe "Po e vazhdojmë  ndryshimin" - "Bullgaria Demokratike" (PP-DB), ushtruan edhe ngjarjet e disa  ditëve të fundit - dorëzimi i mandatit eksplorues për formimin e qeverisë nga  kandidatja e GERB-SDS Maria Gabriel , kthimi i tij i plotësuar 24 orë më vonë Presidentit  dhe menjëherë pas kësaj tërheqja e mprehtë e besimit nga partnerët në qeverisje  PP-DB.  
Që t'i shpjegojmë në mënyrë të kuptueshme audiencës shumëgjuhëshe të Radio Bullgarisë në mbarë botën ngjarjet që po ndodhin në jetën politike bullgare, kërkuam ndihmën e politologëve dhe vëzhguesve.

"Ata po luajnë një lojë pokeri, e cila për mua është e papranueshme - deklaroi në një intervistë për Radio Bullgarinë politologu i agjencisë Gallup Svetlin Taçev. - Të gjitha këto takime na bëjnë të mendojmë se ka interesa të fshehta, kështu që nëse formohet një qeveri, të gjithë partnerët e koalicionit të jenë të kënaqur. Problemi është se e gjithë kjo mund të na çojë në zgjedhje të parakohshme dhe tashmë ne jemi një hap larg tyre. Zgjedhjet e parakohshme janë një alternativë jashtëzakonisht e keqe për vendin, sepse ka ligje që duhen miratuar, reforma që duhen zhvilluar, si ajo gjyqësore. Bullgaria duhet të shkojë në rrugën e Shengenit dhe të Eurozonës. Gjithashtu, ne po gjendemi në një situatë të vështirë gjeopolitike lidhur me luftën në Ukrainë, domethënë ka shumë gjëra për të cilat nevojitet stabilitet politik, dhe për më tepër, shumica e qytetarëve nuk duan zgjedhje të reja parlamentare”.
Politologu vuri në dukje Lëvizjen për të Drejta dhe Liri (DPS) dhe bashkëkryetarin e partisë Deljan Peevski - të sanksionuar nga "Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja" amerikane (OFAC) sipas ligjit global "Magnitsky" - si një nga pengesat e mundshme për arritjen e një marrëveshjeje. Megjithatë, për momentin jemi në një situatë të re, thekson Taçev.
“Nëse në 9 muajt e parë Bullgarisë Demokratike u duhej DPS-ja për t’u miratuar ndryshimet kushtetuese, kjo nevojë tani nuk është në një axhendë të tillë, nga e cila rezulton se ata duan që DPS-ja të izolohet. Nga ana e vet DPS-ja nuk ka një dëshirë të tillë dhe kjo duket edhe nga mesazhet e Deljan Peevskit (“Kur e ke të vështirë dhe ke nevojë për mbështetje, je me DPS-në dhe kur duhet të provosh veten, fillon të ngjitesh në kurriz të DPS-së”- thuhet në një deklaratë të tij të publikuar në faqen e internetit të DPS-së” - shënim red.) Në të njëjtën kohë, sa u përket çështjeve që kanë të bëjnë me organet rregullatore, ku kërkohet një shumicë e cilësuar, duhet të kërkohet ndihmë nga një formacion politik me orientim euroatlantik. Në këtë profil përfshihet natyrshëm edhe DPS-ja, gjë që ndoshta i tremb deri diku partnerët e koalicionit GERB - SDS”.
Orët e fundit, nevoja për të qartësuar rolin e DPS në menaxhim është bërë gjithnjë e më e qartë. Aq më tepër pas kërkesës kategorike të bashkëkryetarit Peevski se ai tashmë do të jetë në tryezën e bisedimeve dhe kur të kërkohet përkrahje nga partia e tij, kjo do të ndodhë para të gjithë votuesve.

“Tani e tutje, pavarësisht nga konfigurimi në të cilin do të qeveriset shteti, duhet të fillojë biseda e madhe për rolin e DPS-së dhe Deljan Peevskit në proceset politike”, sqaron eksperti i komunikimit Ivo Inxhov në një intervistë për BNR-në. - Këtë bisedë PP-DB ia ka borxh shoqërisë, sepse në të kundërtën, na mbetet përshtypja se ekziston një tandem “Borisov-Peevski” që përcakton marrjen e vendimeve kryesore politike”.
Politologu Milen Ljubenov është mjaft skeptik për mundësinë e vazhdimit të dialogut mes GERB-SDS dhe PP-DB.

“Edhe sikur të arrijnë një lloj marrëveshjeje dhe në fund të fundit të ketë një rotacion, perspektivat për një kabinet të tillë nuk janë të mira dhe ndoshta pas disa muajsh do të gjendemi sërish në të njëjtën situatë skandalesh dhe tensioni, që do të çojë ne zgjedhjet e parakohshme parlamentare - analizon Ljubenov - Atëherë çmimi që do të paguajnë partitë politike do të jetë shumë më i madh, sepse ato nuk e kuptojnë se me të gjitha veprimet e tyre do të çojnë në prishjen e sistemit partiak dhe në mundësinë e shfaqjes së subjekteve të reja politike në skenën politike. Dhe frika ime është se këto mund të jenë parti populliste autoritare që do ta devijojnë Bullgarinë nga rruga e saj evropiane."
Foto: BGNES, BTA, BNR
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Kryetarja e grupit “Rinovo Evropën” në Parlamentin Evropian, Valérie Hayer, kërkoi që Komisioni Evropian të dërgojë urgjentisht një mision në Bullgari për të vlerësuar situatën me sundimin e ligjit, si dhe për të ngrirë të gjitha pagesat në kuadër të..
Në një takim në Parlament, në prani të drejtuesve të partive, koalicioni GERB-SDS dhe partia “DPS-Fillimi i Ri” u dakorduan për një mandat të plotë qeverisës dhe për zbatimin e angazhimeve në drejtim të orientimit euroatlantik të Bullgarisë. Këtë e..
Presidenti bullgar Rumen Radev priti në qytetin Smoljan presidentin e Hungarisë, Tamash Shujok. Gjatë qëndrimit në qytetin malor të malit Rodopa, i ftuari vizitoi shtëpinë bullgare të poetit, përkthyes dhe piktor hungarez Llasllo Nagi. Më 20..