Në botën moderne nuk mjafton të njohësh njësitë monetare të vendeve të veçanta dhe të dish se si monedhat e tyre lidhen me levin bullgar. Konvertimi i levit në euro dhe anasjelltas nuk i zgjidh problemet tona financiare për një kohë të gjatë dhe nuk është pjesë e edukimit financiar në botën e sotme jashtëzakonisht dinamike. Paratë e së ardhmes do të jenë dixhitale dhe askush nuk do të mbajë në duar kartëmonedha dhe monedha. Rruga e parave ka ndryshuar ndjeshëm, dhe kjo krejt natyrshëm ngre pyetjen e rolit tonë si konsumatorë aktivë apo pasivë.
Jetojmë në një botë të re me shumë sfida dhe mundësi të reja të pakufizuara, por si qëndrojmë ne, bullgarët, në pragun e "Revolucionit të Tretë Financiar"?
Nuk është sekret që njerëzit në vendin tonë njohin kryesisht dy modele për investimin e kursimeve të tyre - ose një depozitë në bankë, ose një investim në pasuri të paluajtshme, gjithçka tjetër është "terra incognita". "Ne bullgarët kemi vetëvlerësim shumë të ulët dhe politikanët dhe të gjitha fuqitë e tjera rreth nesh na bindin se jemi analfabetë, të pafuqishëm dhe jetojmë në një vend me një ekonomi të dobët. Edhe shkolla rrënjos te njerëzit një ndjenjë inferioriteti," tha për BNR Prof. Daniella Bobeva nga Instituti për Kërkime Ekonomike të Akademisë Bullgare të Shkencave. Për të ngritur perden e investimeve përmes të ardhurave tona personale, Daniella Bobeva shkroi librin "Financat personale. Revolucioni i tretë", i cili tashmë është një udhëzues praktik për mijëra studentë të specialiteteve të ndryshme:
"Tradicionalisht jemi edukuar sipas maksimës "para të bardha për ditë të zeza" dhe jo për të investuar. Financat personale moderne janë të paimagjinueshme pa investime. Është pjesë e ekzistencës sonë. Tani mundësitë tona për investime të tilla po zgjerohen jashtëzakonisht shumë. Mund të investoni me shuma të vogla në ndonjë biznes të njerëzve që aktualisht kanë nevojë për para për t'u zhvilluar. Kjo bëhet përmes platformave. Për shembull, me 200 euro mund të mbështesni një projekt të bukur që do të zhvillohet dhe do të sjellë përfitime në të ardhmen. Kjo formë investimi garanton një kthim më të lartë se ai i një depozite në bankë. Por e mira është se tani ju mund të merrni informacion nga shumë vende. Dhe çdo person është i ndryshëm, ka njerëz që janë të prirur për të rrezikuar, të tjerë më pak, por në investime ka vend për të gjithë. Platformat e mëdha përmes të cilave investohet, qoftë në valuta, kriptovaluta etj. disponojnë konsulentë elektronikë dhe aty japin këshilla individuale për secilin sipas qëndrimit të tij."

Forma e preferuar e investimeve në Bullgari është në pasuri të paluajtshme dhe në depozitat bankare, por ka edhe ndryshime pozitive - sepse 75% e bullgarëve përdorin pagesa elektronike dhe shërbime dixhitale në njëfarë forme. Ekziston një pjesë jashtëzakonisht e madhe e tregtisë në internet, rreth 60% e popullsisë blen mallra dhe shërbime në një mjedis dixhital. "Ka përparim të madh dhe bullgarët po bëhen gjithnjë e më të arsimuar financiarisht," vëren Prof. Daniella Bobeva:
“Dhe ndërsa 15-20 vjet më parë askush nuk fliste për edukimin financiar, tani të gjithë kanë një mendim për këtë temë. Megjithatë, është shumë e rëndësishme që informacioni të merret nga një burim i besueshëm dhe të mos u besohet sugjerimeve dhe recetave të gatshme. Nuk ka receta të gatshme, recetat i bëjmë vetë, por për këtë kemi nevojë për njohuri që mund t'i marrim vetë nga burimet e informacionit."

Daniella Bobeva është profesoreshë e ekonomisë ndërkombëtare dhe ka 10 vjet që punon mbi temën e financave personale. Ligjëratat e saj dëgjohen me shumë interes edhe nga studentë të specialiteteve të ndryshme.
Përpiloi: Gergana Mançeva /bazuar në intervistën e Nina Caneva, BNR-“Hristo Botev”/
Foto: freepik.com
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Shitjet e seteve fillestare me monedha euro me anën kombëtare bullgare do të fillojnë më 1 dhjetor 2025, njoftoi Banka Kombëtare Bullgare /BNB/. Ato do të jenë në qarkullim nga 1 janari 2026. BNB dhe Postat Bullgare do t’u shesin sete fillestare vetëm..
Indeksi i përgjithshëm i besimit të konsumatorëve gjatë tetorit 2025 ra me 4 pikë krahasuar me korrikun, njoftoi Instituti Kombëtar i Statistikave. Në korrik, indeksi kishte rënë me 4.7 pikë krahasuar me prillin. Gjatë tetorit, u shënua një rritje e..
Konfederata e Punës "Podkrepa" nuk e mbështet buxhetin shtetëror të propozuar nga qeveria për vitin 2026, njoftoi sindikata. Si arsye, sindikata e dytë më e rëndësishme në vend thekson "mungesën e politikave dhe reformave për të adresuar sfidat..
Qeveria miratoi projektin për buxhetin shtetëror të Bullgarisë për vitin 2026, si dhe Parashikimin e përditësuar buxhetor afatmesëm për periudhën..
Banka Popullore e Bullgarisë (BNB), në rubrikën e saj “Pyetje dhe përgjigje” për aplikimin e euros, publikoi një sqarim se si do të shënohet dhe shkruhet..