Para shpërthimit të Luftës Ballkanike 1912-1913, bullgarët në rajonin e Trakisë së Edrenesë numëronin 410 724 persona, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Jashtme të atëhershme të Bullgarisë. Me marrjen e kalasë së Edrenesë më 26 mars 1913, territoret me popullsi bullgare u çliruan nga sundimi osman, por jo për shumë kohë. Në qershor, Turqia rifitoi edhe një herë Trakinë e Edrenesë, ku filloi një luftë e ashpër me bullgarët, disa prej të cilëve arritën të arratiseshin në Bullgari, ndërsa disa të tjerë vdiqën.
Sot, për tokën e dikurshme bullgare kujtojnë dy kishat –"Shenjtorët Konstandini dhe Elena" dhe "Shën Gjergji Fitimtar" në Edrene, ndërsa qendra kulturore bullgare "Prosveta" dhe shkolla e së dielës "Ivan Vazov" bashkojnë komunitetin bullgar nga Trakia e Edrenesë. Qendra kulturore bullgare, e cila është bërë një qendër shpirtërore për njerëz të besimeve të ndryshme, por me rrënjë bullgare, është vendosur në një ndërtesë të vogël, pranë kishës "Shën Gjergji Fitimtari".
Shkolla është gjithashtu afër, në katin e parë të një pallati ngjitur me kishën. Vetëm një vit më parë, për famullinë dhe komunitetin kujdesej At Aleksandër Çëkërëk, një bullgar trashëgimtar, i cili dashurinë për Zotin dhe njerëzit e trashëgoi nga babai i tij Çëkërëk, gjithashtu prift. Me veprimtarinë e tij të përkushtuar patriotike, At Aleksandri kontribuoi shumë në forcimin dhe ruajtjen e marrëdhënieve miqësore dhe fqinjësore midis Bullgarisë dhe Turqisë. Për meritat e tij të mëdha për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe historike bullgare, në muajin shkurt u nderua me Urdhrin "Shën Kirili dhe Metodi" - shkalla e parë nga Presidenti i Republikës së Bullgarisë Rumen Radev. Vdekja e tij e papritur trondit të gjithë bullgarët nga Trakia e Edrenesë, por ajo që ai ndërtoi mbetet:
“Një humbje e madhe, një humbje për familjen, një humbje e madhe për Bullgarinë dhe një humbje e madhe për Turqinë”, tha me dhimbje bashkëshortja e tij Maria Çëkërëk në një intervistë për Radio Bullgarinë. - At Aleksandri ishte një filantrop. Ai i donte shumë njerëzit, i ndihmonte të gjithë. At Aleksandri u largua nga kjo botë shumë papritur. Po përpiqemi të ruajmë atë që ai ka nisur. Është vërtet shumë e vështirë, sepse ai ishte forca lëvizëse pas gjithçkaje. Ai donte që kisha të lulëzonte, të forconte marrëdhëniet e mira mes njerëzve dhe të ishte një urë, siç thonë të gjithë. Ai donte të kishte ngjarje kulturore dhe ne po vazhdojmë”.
Pas vdekjes së At Aleksandrit, bashkëshortja e tij Maria mori mbështetje të madhe si nga shoqëritë e Trakisë së Edrenesë, ashtu edhe nga pala bullgare, në personin e nënpresidentes Ilijana Jotova:
“Unë thjesht nuk e prisja këtë mbështetje nga kaq shumë njerëz. Pavarësisht feve, ai kujdesej për të gjithë dhe ne përpiqemi të ndihmojmë sa të mundemi. Shumë faleminderit shtetit bullgar dhe shtetit turk, si dhe qytetarëve bullgarë dhe turq që na mbështesin”.
Sa u përket tempujve bullgarë në Edrene – aty At Aleksandri e ka zëvendësin e tij të denjë në shërbim të Zotit:
“Jam rritur në kishë dhe kështu fillova ta dua Zotin edhe më shumë”, theksoi djali i At Aleksandrit, Georgi. - Prindërit e mi të mirë më treguan mirësinë e jetës përmes kishës. Para kësaj, gjyshi im ishte në krye të kishës këtu. Prandaj shërbimin ndaj Zotit e kam pasur gjithmonë në zemër dhe do të doja ta zërë zyrtarisht vendin e babait tim sa më shpejt. Do të jem shumë i lumtur – kjo ishte ëndrra e tij dhe shpresoj se me ndihmën e Zotit do të mund ta bëj realitet.”
Foto: BGNES, BTA, Konsullata e Përgjithshme - Edrene
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Ekspedita e tridhjetë e tretë polare bullgare po shkon drejt Antarktidës për të vazhduar kërkimet e saj shkencore në bashkëpunim me shkencëtarë nga vende të ndryshme. Në bordin e anijes kërkimore “Shën Kirill dhe Metodij” ndodhen për herë të parë..
Ambasada e Francës dhe Instituti Francez i Kulturës mblodhën së bashku shkencëtarët për të prezantuar eksperiencën e tyre mbi sfidat shkencore në Antarktidë dhe luftën kundër ndryshimeve klimatike. Partnerë të aktivitetit ishin Instituti Polar Francez..
Organizata për mbrojtjen e natyrës WWF - Bullgaria nis fushatën "Abonohu për natyrën". Zhdukja e kafshëve të egra është një film me seri në të cilin ne luajmë rolin kryesor. Në më pak se një jetë njerëzore, 73% e vertebrorëve kanë humbur në natyrë...
Iluminist - njeri që me veprimet, idetë ose krijimtarinë e tij zgjon shpirtin e popullit, ruan dhe përhap vetëdijen, kulturën dhe edukimin kombëtar. Në..