Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Për Lojërat Olimpike me dashuri dhe krenari

Ju ofrojmë historinë olimpike të Bullgarisë, e ekspozuar në Muzeun e Sportit në Sofje

Kolazhi: Ivan Petrov

Para disa ditësh filluan Lojërat Olimpike Verore XXXIII. Për herë të tretë në historinë tonë moderne dhe saktësisht një shekull pas pritjes së fundit, forumi më i rëndësishëm sportiv po mbahet sërish në kryeqytetin francez Paris, i cili është dhe vendlindja e "babait" të lëvizjes moderne olimpike - Pierre de Coubertin.

Në prill të vitit 1896, në kryeqytetin grek Athinë u mbajtën Lojërat e para Olimpike moderne. Të dytat ishin katër vjet më vonë në Paris. A e dini se Bullgaria është një nga 14 bashkëthemeluesit dhe pjesëmarrësit në Olimpiadën e parë verore 128 vjet më parë? "Një fakt për të cilin çdo bullgar duhet të jetë shumë krenar," tha për Radio Bullgarinë Katja Ivanova, kuratore në Muzeun e Sportit në Sofje.

Katja Ivanova

“Në vitin 1894 mbërritën në Bullgari dhjetë mësues zviceranë të gjimnastikës, të cilët u dërguan në gjimnazet e mëdha pedagogjike të vendit tonë. Këta zviceranë luajtën një rol të jashtëzakonshëm në edukimin fizik modern në Bullgari, por emri i një prej tyre është i lidhur ngushtë me pjesëmarrjen e Bullgarisë në Lojërat e para Olimpike moderne, vendi ynë u përfaqësua nga mësuesi zviceran i gjimnastikës Charles Champaud. Ai u rendit në vendin e pestë dhe, në kuptimin modern të fjalës, solli pikët e para për sportin bullgar nga Lojërat Olimpike.”

Në Muzeun e Sportit në Sofje, mund të shihet edhe sot medalja përkujtimore nga kjo pjesëmarrje e parë e Bullgarisë në Lojërat Olimpike.

Zonja Ivanova na kujton edhe pjesëmarrjen e Bullgarisë në vitin 1928 në lojërat në Amsterdam, atëherë Holandë, kur vendi ynë dërgoi vetëm pesë sportistë. Fondet e përcaktuara për një delegacion më të madh sportiv u drejtuan për të ndihmuar të lënduarit pas tërmetit në qytetin e Çirpanittë Bullgarisë Qendrore, i cili ndodhi në prill të të njëjtit vit me magnitudë 7.0 të shkallës Rihter.

"Dhe këtu, në Muze, është kostumi i skermës i Dimitër Vasilev, me të cilin ai mori pjesë në Lojërat Olimpike në vitin 1928. Kjo është një ekspozitë e jashtëzakonshme. Këta njerëz e kanë shtruar shtegun olimpik të Bullgarisë pothuajse pa pasur kushte materiale për stërvitjen e tyre."

Kostumi i skermës i Dimitër Vasilev nga Lojërat Olimpike të vitit 1928

Medalja e parë olimpike për Bullgarinë ishte prej bronzi nga lojërat në Helsinki në vitin 1952. Ajo u fitua nga boksieri Boris Georgiev në kategorinë deri në 75 kilogramë.

Dorezat e boksit të Boris Georgiev, me të cilat fitoi medaljen e parë olimpike për Bullgarinë

“Në muze kemi dy medalje të arta olimpike - të mundësit Georgi Markov, të fituar në Munih në vitin 1972 dhe të kampionit tonë të parë olimpik të boksit Georgi Kostadinov nga i njëjti vit.

Medalja e artë e kampionit tonë të parë olimpik të boksit Georgi Kostadinov nga Lojërat Olimpike në Munih, 1972

Kemi edhe disa medalje argjendi dhe bronzi, por do të ndalem në dy medalje argjendi të ekspozuara në muze, të cilat për ne bullgarët kanë shkëlqimin e arit. Kjo është medalja e argjendtë e Diana Jorgova në kërcimin së gjati, e cila u mposht për vetëm një centimetër nga përfaqësuesja e vendësve në vitin 1972 në Munih të Gjermanisë. Edhe sot e kësaj dite ka dyshime nëse përvoja e saj ishte matur me saktësi, sepse atëherë nuk kishte matje elektronike dhe gjithçka bëhej me dorë. 

Medalja e argjendtë e Diana Jorgova në kërcimin së gjati nga Lojërat Olimpike të Munihut 1972

Këtu duhet përmendur edhe medalja e argjendtë e Jordanka Bllagoeva nga e njëjta Olimpiadë në Munih në disiplinën e kërcimit së larti. Pasi e përballon lartësinë për medaljen e artë, ajo largohet nga fusha, dhe 17 sekonda pas kërcimit të saj shufra bie. Skuadra bullgare atëherë, për ndonjë arsye të panjohur, nuk ka bërë asnjë kontestim dhe ajo mbetet me medaljen e argjendtë me 188 centimetra të përballuar”.

Vite më vonë, një botim sportiv gjerman doli me një teori se një fotograf në fushë e ka shtyrë shiritin anësor. 20 ditë më vonë, në shtator, në një garë ndërkombëtare në Zagreb të Kroacisë, Jordanka Bllagoeva u bë atletja e parë bullgare me një rekord botëror prej 194 cm.

Çmimet e Jordanka Bllagoevës

Katja Ivanova vë re edhe argjendin me shkëlqimin e artë të gjimnastit tonë Jordan Jovçev nga gara e unazave në Olimpiadën në Greqi në 2004.

Ajo e drejton vëmendjen tonë edhe te medalja e bronztë e Krasimira Gjurovës, pjesë e ekipit të basketbollit për femra në Lojërat Olimpike në Montreal në vitin 1976. “Për herë të parë në program u përfshi gara e basketbollit për femra dhe bullgaret u renditën të tretat pas skuadrave të Bashkimit Sovjetik dhe Çekosllovakisë.”

Bullgaria ka qenë një fuqi botërore në garat e peshëngritjes prej vitesh dhe kampioni i parë olimpik në peshëngritje ishte Norair Nurikjan, i cili fitoi medaljen e artë në Munih në vitin 1972. Në Montreal në 1976, ai ishte përsëri i pathyeshëm dhe u bë i vetmi kampion olimpik bullgar dy herë në këtë sport.

Rripi i lëkurës i kampionit dy herë olimpik Norair Nurikjan

Lojërat Olimpike më të suksesshme për Bullgarinë ishin ato të vitit 1980 në Moskë, kur vendi ynë fitoi 41 medalje, nga të cilat 8 të arta, dhe u rendit në vendin e tretë për nga numri i medaljeve.

Foto: Vesella Krësteva, BGNES, nsb.bg, kolazhi Ivan Petrov

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Radosllav Jankov

Bullgari Radosllav Jankov fitoi titullin botëror në snowboard

Në sllallomin gjigant paralel të Kupës së Botës në Carezza (Itali), snowboardisti më i suksesshëm bullgar Radosllav Jankov fitoi titullin dhe regjistroi fitoren e parë të sezonit. Përsëri më 12 dhjetor, përsëri në Carezza, por në 2015, Jankov shënoi..

botuar më 24-12-12 7.20.MD
Karllos Nasar

Pas Tashkentit 2022 Karllos Nasar është sërish kampion bote në peshëngritje

Karllos Nasar u bë kampioni i botës në peshëngritje në kategorinë deri në 89 kg. në Kampionatin Botëror të Meshkujve në Manama me dy rekorde botërore - në hedhjen e 183 kg. dhe në dyluftim me 405 kg. Ai gjithashtu u përpoq të përmirësonte rekordin e..

botuar më 24-12-12 9.20.PD

Kubrat Pulev u bë kampioni i parë bullgar i botës në peshat e rënda në WBA

Krenaria bullgare e boksit për peshat e rënda Kubrat Pulev fitoi titullin e rregullt të Shoqatës Botërore të Boksit (WBA) në ndeshjen me Mahmud Çar në "Arena Sofja" para një publiku prej mbi 12 mijë vetash. Pulev ia mori rripin e Çarit pas një beteje të..

botuar më 24-12-09 9.31.PD