Brazili është ndoshta një nga destinacionet më pak të njohura për të emigruar mes bullgarëve sot. Vetë vendi nuk ka një standard jetese kaq të lartë, megjithatë bashkatdhetarët tanë që kanë zgjedhur të jetojnë atje janë shumë të kualifikuar. Shumë prej tyre janë profesorë universiteti, mësues muzike, artistë, specialistë të IT-së me aftësi të larta, konsulentë biznesi etj. Madje ata që shkojnë atje dhe martohen janë qytetarë të botës. Zakonisht ata e kanë takuar partnerin e tyre diku tjetër në botë dhe më pas kanë vendosur të jetojnë në Brazil. Vendi është shumë i këndshëm për të jetuar, si sa i përket klimës, ashtu edhe si atmosferë. Një nga emigrantët që e kanë zgjedhur Brazilin si shtëpinë e tyre të dytë është Daniell Metodiev. Ai është gjeolog për nga profesioni dhe ka udhëtuar në të gjitha vendet ku flitet portugalisht. Është vendosur në Brazil pasi e ka takuar të dashurën e tij, brazilianen Helena. Si çdo bullgar atje, edhe Daniell Metodiev mbetet shumë i lidhur me atdheun e tij. Aktualisht Daniell Metodiev është student i doktoraturës në gjeologji dhe është një forcë shtytëse për komunitetin bullgar në Brazil. Ai mban një grup në Facebook. Përveç kësaj, shpesh i drejtojnë atij lutje për të kërkuar informacione për bullgarët që kanë jetuar në territorin brazilian. Kështu lindi interesimi i tij për biografitë e emigrantëve nga Bullgaria.
Daniell Metodiev kërkon me zell dhe këmbëngulje dokumente, takohet me trashëgimtarët, mbledh foto nga arkivat familjare dhe arrin në fakte të pabesueshme për fatin e personaliteteve të njohura edhe në Bullgari. Mes tyre janë shkrimtarët Matvej Vëlev dhe Illko Minev, babai ipresidentes së 36-të braziliane me origjinë bullgare Dilma Rusef dhe një mik i ngushtë i poeteshës Elisaveta Bagrjana – Petër Rusef, regjisori Ivan Hlebarov. Në Brazil kanë jetuar gjithashtu koleksionisti dhe mecenati i madh Ilija Delev, themeluesi i muzeut "Toka dhe njerëzit", si dhe arkitektja dhe artistja Doli Mihajllovska, e njohur në të gjithë Amerikën Latine.
Historitë e patreguara të këtyre dhe shumë bullgarëve të tjerë në shtetin e Amerikës së Jugut janë mbledhur në librin e Daniell Metodiev “Gjurmët bullgare në Brazilin e largët”. Ai është vlerësuar shumë lart nga specialistët – etnografë të Akademisë Bullgare të Shkencave, ndër të cilët është edhe redaktorja shkencore e librit, dr. Lina Gergova.
"Libri i Daniell Metodievit është i shquar për faktin se e drejton vëmendjen në biografinë e emigrantit. Kështu mund të kuptojmë rrugët personale të njeriut, dhe jo të flukseve të migrantëve. Përvojat personale, vështirësitë, sukseset, e gjithë kjo përshkruhet në libër” – thotë dr. Lina Gergova në një intervistë për Radio Bullgarinë:
"Më pëlqen ta quaj Brazilin "laboratori i migrimit bullgar", sepse atje dallohen shumë qartë dy komunitete. Njëri janë pasardhësit e bullgarëve besarabë që emigruan 100 vjet më parë, në vitet 20 të shekullit të kaluar. Ata janë një komunitet shumë i fortë, me tradita. Grupi tjetër janë bullgarët që emigruan nga Bullgaria në periudha të ndryshme - nga fundi i shekullit të 19-të e deri më sot. Më interesante janë fatet e intelektualëve dhe artistëve bullgarë që emigruan atje dhe u bënë të njohur. Për shembull, Radi Gorski, i cili është emigranti i parë bullgar i njohur në Brazil - ai është shkencëtar, biolog, është marrë me agronomi, ka kontribuuar në vendosjen e kopshtarëve bullgarë atje. Ai emigroi në fillim të shekullit të 20-të. Shkrimtari i famshëm Matvej Vëlev gjithashtu emigroi në Brazil në periudhën midis luftërave. Nuk mund të flasim për një organizatë bullgare në Brazil gjatë këtyre viteve. Ka pasur klube të lidhura më shumë me jetën disidente, me mbështetjen e lëvizjeve antikomuniste. Në fakt, institucionalizimi i bullgarëve filloi pas viteve 90 të shekullit të 20-të. Por duhet të kemi parasysh faktin që mbiemri bullgar “hap dyert atje”, e trajtojnë pozitivisht. Karakteristikë e bullgarëve në Brazil është përpjekja për të ruajtur rrënjën bullgare në brezat e ardhshëm. Diçka që po mungon në emigracionin në Evropën Perëndimore dhe SHBA”.
Maja Sllavova nga “Netland”, shtëpia botuese që ndihmoi për publikimin e librit, gjithashtu merr pjesë në vëllim me një histori braziliane e lidhur me rrethin e saj familjar:
“Kërkova disa letra në arkivin familjar të Radi Gorskit – emigrant në Brazil, nga viti 1923. Ai ua ka shkruar miqve të familjes – Anka dhe Petër Veliçkovi, të cilët janë gjyshërit e burrit tim. Në familje është treguar si legjendëse ky person ka shkuar në Brazil, por nuk ka asnjë informacion për të. Vetë Radi Gorski ka qenë profesor në Universitetin e Kimisë dhe Fizikës. Në libër kemi publikuar fotografi me studentët e tij. Shpresoj shumë që ndonjë nga studentët t’i shohë këta foto bashkë me profesorin. Meqenëse nuk është martuar nuk kemi informacion për të nga viti 1970. Është shumë keq që nuk gjejmë njerëz që e kujtojnë për ta plotësuar historinë për të. Në arkivat në Brazil, Daniell Metodiev arriti të gjejë certifikatën e tij të vdekjes. Kështu morëm vesh se ai ka vdekur aty në vitin 1970, por nuk dihet se ku është varrosur”.
Shumica e tregimeve në libër janë për disa emigrantë bullgarë të harruar ose të panjohur, të cilët kanë lënë një gjurmë në shoqërinë braziliane, por në të njëjtën kohë në Bullgari vetëm të afërmit e tyre të drejtpërdrejtë dinë për ta - shpjegon vetë Daniell Metodiev në grupin në Facebook të bullgarëve në Brazil.
Lexoni më shumë:
Foto: Anzhella Georgieva (BTA), arkivi personal i Daniell Metodievit
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
“Artist lind, nuk bëhesh” – ndihet ende jehona e së vërtetës së këtyre fjalëve të Maria Callas, prima e operës botërore, e lindur më 2 dhjetor në Nju Jork. Në këtë datë, pikërisht 101 vjet pas lindjes së Callas, një grua bullgare, një yll i vërtetë..
Pas suksesit të festivalit "Ne jemi fëmijët e lumit" në shtator, një fondacion qytetarësh përsëri bëhet partner me rajonin e Plovdivit "Centralen". Këtë herë rasti është një ekspozitë e veçantë që shfaq vizatime të fëmijëve të frymëzuar nga natyra...
Milena Selimi, përkthyesja e romanit “Kohëstrehim” të autorit bullgar Georgi Gospodinov, e cila është edhe përfaqësuese e bullgarëve në Komitetin për Pakicat Kombëtare në Shqipëri, mori çmimin për përkthimin më të mirë për vitin 2024 në Panairin e 27-të..
Si një galerie arti në mes të pyllit e përshkruajnë dëshmitarët shatërvanin me belvedere pranë fshatit Konçerajoni i qytetit Momçillgrad të Bullgarisë..