Në vitin 1847, në familjen e Hristo Ivanov Bankovit - një njeri i urtë nga një familje e vjetër dhe mjeshtër i të ashtuquajturave “eminii” (pantofla), në një nga mëhallët e qytetit të Gabrovos (Bullgaria Qendore) lindi djali i dytë i Hristos. Dhe duke qenë se supozohet se në familjen e madhe ka pasur piktorë dhe priftërinjtë shumtë, artisti i ardhshëm u largua për në Malin e Zi, kur ishte vetëm 12 vjeç.
Jo shumë kohë më vonë, talenti i tij në vizatim u vu re nga igumeni i manastirit dhe kleriku vendosi ta dërgonte të riun e talentuar për të studiuar në Rusi.
Përpara se të hynte në Shkollën e Pikturës, Skulpturës dhe Arkitekturës në Moskë, Hristo Cokev qëndroi për shtatë vjet në manastirin “Kievo Peçorska Lavra” në Kiev, ku u bë murg dhe zotëroi specifikat e pikturës së ikonave.
Besimi dhe arti janë lidhur ngushtë gjatë gjithë jetës së artistit, për të cilin me rendësi të madhe është edheideali kombëtar i çlirimit. Madje, studiuesit modernë bëjnë paralele me Apostullin e Lirisë Vasill Levski, pasi që të dy e kanë hequr veladonin - njëri për t'u bërë revolucionar dhe tjetri - për të pikturuar dhe marrë pjesë në betejat nacionalçlirimtare.
“Duke hedhur një vështrim prapa në historinë bullgare, mund të shohim shumë personalitete që fillimisht kanë kaluar nëpër akademi shpirtërore – thotë Neli Nedeva, kuratore në Galerinë e Arteve në Gabrovo. – Kjo është lidhur kryesisht me vetë epokën. Mungesa e edukimit laik mbase e bën atë shpirtërore më të aksesueshme për bullgarët, dhe përveç kësaj, tema filozofike dhe ky lloj edukimi në përgjithësi lidhen me personalitetet shpirtërore të asaj kohe.”
Hristo Cokev u kthye nga Rusia në atdheun e tij në një periudhë kur nuk ishte as e qartë nëse Bullgaria do të çlirohej - para Kryengritjes së Prillit dhe kur edukimi laik i pikturës ishte ende një ëndërr e largët.
“Kjo tregon mendimin e tij reformist jo thjesht për t'u bërë piktor, por edhe për t’u bërë mësues, i cili të fusë rregullat akademike të mësimdhënies. Menjëherë pas kthimit të tij në Gabrovo, Hristo Cokev u vu nën vëzhgim nga autoritetet turke për shkak të dyshimit se ai kishte lidhje me lëvizjen nacionalçlirimtare” – shton Neli Nedeva.
Për shkak të persekutimeve osmane, Hristo Cokev kaloi disa vite në emigracion.
Më 1879 u kthye në Gabrovo dhe po atë vit u emërua mësues vizatimi dhe pikture në “Gjimnazin e Aprillovit”. Në ekspozitën e parë të nxënësve në Sofje, mësuesi i përkushtuar u vlerësua personalisht nga Princi Aleksandër Batenberg për veprat e nxënësve të tij.
“Në këtë periudhë Hristo Cokev ka pikturuar kryesisht portrete – thotë Neli Nedeva. - Këtu duhet të theksojmë një veçori të krijimtarisë së tij - ai ka krijuar portrete të shenjta, ose sakrale, d.m.th. të personave të vdekur. Hristo Cokev i ka pikturuar nga një fotografi dhe nga përshkrimi i të afërmve të tij - ka marrë informacione për fatin e personit dhe në bazë të historisë dhe përshtypjeve të të afërmve, ka arritur të përcjellë karakterin e objekteve të tij, që për mua është mbresëlënëse dhe madje edhe gjeniale”.
Artisti na ka lënë trashëgim një galeri të tërë me imazhe të bashkëqytetarëve të shquar - mësues, tregtarë, zejtarë, prindërit dhe fëmijët e tyre.
Në vitin 1883, Hristo Cokev mori pjesë me një vepër të tij në një konkurs për mësues në një shkollë të mesme në kryeqytet dhe e fitoi atë, por mjerisht humbi betejën me tuberkulozin dhe u largua nga kjo botë në moshën 36-vjeçare – duke shijuar mundësitë në Atdheun e çliruar vetëm për pesë vjet.
Hristo Cokev zë një vend të madh në analet e artit figurativ bullgar, duke lënë kontributin e tij personal jo vetëm në pikturën kishtare, por edhe në atë laike.
“Deri në Çlirim bullgarët e kanë njohur pikturën si zhanër vetëm nga kishat dhe manastiret, me ndihmën e afreskeve dhe ikonave në to – thotë Neli Nedeva. - Në fund të shekullit, ata filluan ta njohin pikturën laike pikërisht falë Hristo Cokevit, i cili është një nga artistët e paktë që e bëri këtë tranzicion të vështirë. Ai gjithashtu dha një kontribut të rëndësishëm në shfaqjen dhe zhvillimin e arsimit artistik bullgar.”
Sot, Galeria e Gabrovos mban emrin e artistit të madh dhe disponon pesë nga pikturat e tij dhe një ikonë.
Foto: Fondi “Piktura” i Galerisë së Arteve "Hristo Cokev", Muzeu Regjional Historik Gabrovo
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Përgjatë shtrirjes midis Rrafshinës së Trakisë së Epërme dhe malit Rodopa nga lindja në perëndim si një varg gjerdani renditen vendbanimet piktoreske - Asenovgrad, Perushtica, Kriçim, Peshtera, Patalenica dhe Varvara. Përgjatë luginave të..
Arkeologët bullgarë vazhdojnë studimin e nimfeumit të lashtë (vend i shenjtë i nimfave), zbuluar në kompleksin "Aquae Calidae" pranë Burgasit. Nimfeu zë një vend qendror në banjot e dikurshme romake dhe ka qenë pjesë e një shatërvani me mbishkrim..
Një tempulli trak nga shekulli III para Krishtit pa analog në vendin tonë mund të shndërrojë 10 hektarë të zonës "Jug" ("Juzhen") të Plovdivit në një park arkeologjik. Vendi ndodhet në bazën e Tumës së Madhe, të cilën një ekip i Muzeut..