Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Enë të gdhendura në mënyrë të shkëlqyer dhe statuja të punuara me imtësi - Tuma Kozareva zbulon sekretet e saj

Foto: Muzeu Historik - Pomorie

Gjetjet nga gërmimet arkeologjike të tumës Kozareva u bënë një sensacion i vërtetë në vitin 2014, kur u prezantuan për herë të parë para publikut të gjerë. Ndër eksponatet e shkëlqyera dallohen amuletat e bëra nga kafka njerëzore, enë balte dhe vegla prej bakri e stralli. Interesante janë disa nga pllakat më të mëdha prej stralli të zbuluara ndonjëherë, të përdorura nga njerëzit e lashtë në aktivitetet e tyre. Që në atë kohë, bota shkencore e vlerësoi tumën Kozareva si një nga objektet arkeologjike më të vlefshme të zbuluara në vendin tonë. 

Por gërmimet arkeologjike të tumës vazhdojnë dhe çdo vit dalin në dritë gjithnjë e më shumë dëshmi të vlefshme të një qytetërimi shumë të zhvilluar në trojet tona. Ato ilustrojnë se si forma më e hershme e tregtisë lindi krahas prodhimeve të ndryshme vendase. Vetë vendndodhja e tumës është gjithashtu kyçe në këtë drejtim. Ndodhej në një rrugë të lashtë të Detit të Zi që shërbente për shkëmbimin tregtar të lëndëve të para. Në ditët e sotme, vendbanimi i studiuar ndodhet pranë qytetit Kableshkovo në rajonin e qytetit të Burgasit në Detin e Zi.

Shfaqja e minierave në atë kohë u pasqyrua edhe në dekorimin e enëve prej balte nga vendbanimi parahistorik. Mbi to shfaqet një dekorim grafiti, një imitim i shkëlqimit metalik. Kjo i jep një elegancë të veçantë objekteve.

Statuja të vogla dhe amuleta të punuara me imtësi, bizhuteri kockash, enë qeramike etj., të gjitha flasin për shijen estetike dhe pasurinë e popullsisë në mijëvjeçarin e pestë para Krishtit, thonë arkeologët. "Të lashtët ndërtuan vendbanimet e tyre në të njëjtin vend, pa bërë më parë ndonjë pastrim të veçantë të terrenit. Kur disa shtëpi bëheshin të papërdorshme, i prishnin, gjithçka rrafshohej dhe ndërtoheshin të reja nga e para", shpjegon Nadezhda Stojkova, arkeologe nga Muzeu Historik në Pomorie:

"Në këtë mënyrë, përftohet diçka si "efekti i tortës" dhe pas mijëra vitesh, shpatet e këtij vendbanimi zbuten dhe marrin formën e një tume. Tuma Kozareva ndodhet 11 km nga qyteti turistik Pomorie. Nga mesi i gushtit deri në mes të shtatorit vizitorët mund të shohin mbetjet e furrave, shtëpive dhe ndërtesave të qytetërimit të lashtë. Gjetjet janë kryesisht enë qeramike, vegla prej guri dhe të stralli. Stralli thyhet në copa që janë të mprehta si thikë. Gjejmë edhe figura të vogla statujash të bëra nga kocka kafshësh. Janë jashtëzakonisht të bukura dhe të pasura me detaje. Nisur nga kjo gjykojmë se në trojet tona në mijëvjeçarin V p.e.s. ka jetuar një qytetërim shumë i zhvilluar. Nuk ka gjetje ari në zonë, por thesari kalkolitik i Varnës nga nekropoli daton në të njëjtën kohë, ku në varrin e një predikuesi fetar u gjetën më shumë se 2 kg ar”.

Numri i enëve të zbuluara prej qeramike tregon se prodhimi i tyre tejkalonte ndjeshëm nevojat e popullsisë vendase. Ndër gjetjet më të vlefshme është një furrë e madhe qeramike, e zbuluar në një nga punishtet, ku popullësia e lashtë përgatiste enë balte mjaft të mëdha:

"Si formë i ngjan trupit të gjirafës me një pjesë të poshtme të zgjeruar dhe sipër është oxhaku - shpjegoi Nadezhda Stojkova për Radio Bullgarinë. - Mund të mburremi me një Sallë të Parë tërësisht e rinovuar në Muzeun Historik në Pomorie, e dedikuar tërësisht vendit parahistorik “Tuma Kozareva” – tha në përfundim Nadezhda Stojkova.

Foto: Gergana Mançeva, Muzeu Historik – Pomorie, facebook.com/kozareva.mogila
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Dr. Petër Beron

Dr. Petër Beron për hapat e parë të tranzicionit bullgar dhe demokracisë sot

Më 10 nëntor 1989, në një mbledhje të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Bullgare (BKP), Todor Zhivkov u lirua nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm - posti më i lartë në parti dhe në shtet. Ajo që ndodhi në takim më vonë do të përkufizohej si një..

botuar më 24-11-10 7.30.PD
Shishja nga ana e përparme dhe e prapme.
Foto: Rezervati Arkeologjik Kombëtar Deultum - Debellt

Një shishe që përshkruan mitin e përbindëshit Himara u zbulua në një nekropol romak të shekullit të II-të

Arkeologët zbuluan një shishe qelqi shumë të rrallë dhe të vlefshme në një varr të shekullit të II-të në nekropolin jugor të kolonisë romake Deultum pranë fshatit Debellt /Bullgaria Juglindore/. Gjëja unike është se ajo përshkruan mitin e përbindëshit..

botuar më 24-11-09 9.25.PD

Nderojmë Ditën e Kryeengjëjve - ditën e të gjitha hierarkive engjëllore

Kisha jonë Ortodokse kremton sot Mbledhjen e Shën. Kryeengjëllit Mihail, udhëheqës i ushtrisë qiellore dhe hierarkive engjëllore të patrup, që mundi forcat e errësirës. Është një nga festat më të rëndësishme të krishtera fikse të vjeshtës, e quajtur edhe..

botuar më 24-11-08 10.27.PD