Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Ngjarjet me adresë ballkanike

Turqit dhe grekët duan më shumë pika kalimi përgjatë Vijës së Gjelbër në Qipro

Partitë politike greke qipriote dhe turke qipriote u kanë bërë thirrje liderëve të tyre që të hapin më shumë pika kalimi përgjatë Vijës së Gjelbër që ndan Qipron për të mundësuar komunikimin më të mirë midis dy komuniteteve etnike, raporton BTA. Që nga viti 1974 ishulli ka 9 pika lidhëse përgjatë vijës së gjelbër prej 180 km. Mijëra njerëz i përdorin ato çdo ditë, me radhë të gjata dhe bllokime trafiku që janë një dukuri e rregullt. 13 parti greke dhe turke qipriote që morën pjesë në një aktivitet të organizuar nga Ambasada Sllovake në Nicosia mbështetën thirrjen drejtuar udhëheqësve politikë të komuniteteve të tyre për të ecur përpara në këtë drejtim. "Kjo është një domosdoshmëri për të ruajtur trashëgiminë tonë të përbashkët kulturore dhe për ta bërë jetën e njerëzve shumë më të lehtë," tha Mehmet Harmanci, kryebashkiak i sektorit turk të Nicosias.

Kroacia i dërgoi Malit të Zi një non-paper mbi çështjet e pazgjidhura dypalëshe

Kroacia i dërgoi Malit të Zi një non-paper në të cilin paraqet kërkesat për zgjidhjen e disa çështjeve të hapura, të cilat, sipas Zagrebit, cenojnë marrëdhëniet dypalëshe, fqinjësinë e mirë dhe pengojnë integrimin evropian të Podgoricës, raporton vijesti.me. Kroacia thekson se mbështet anëtarësimin e Malit të Zi në BE, por Zagrebi dëshiron zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe si pronësia e anijes shkollore detare Jadran, ndjekja penale e krimeve të luftës, politizimi i çështjes së kampit kroat të përqendrimit Jasenovac në Luftën e Dytë Botërore, etj. Non-paper u dërgua mes pritshmërive që deri në fund të vitit 2025 Podgorica do të mbyllë 4 nga kapitujt e negociatave të anëtarësimit në BE. Mali i Zi ka propozuar krijimin e një grupi pune për konsultime me Kroacinë për çështjet e ngritura.

Beogradi shfuqizon moratoriumin mbi energjinë bërthamore

Pas 35 vitesh Serbia shfuqizoi moratoriumin për ndërtimin e centraleve bërthamore. Parlamenti i Serbisë miratoi ndryshime në Ligjin për Energjinë, duke hequr një ndalim të futur në ish-Jugosllavi në 1989. Më pas, për shkak të katastrofës bërthamore të Çernobilit, autoritetet i dhanë fund programit bërthamor të vendit dhe mbyllën të vetmin reaktor kërkimor në afërsi të Beogradit. Kalimi drejt energjisë bërthamore ka të ngjarë të jetë një proces i gjatë dhe i shtrenjtë. Sipas një studimi të fundit të qeverisë, vënia në punë e një objekti të ri bërthamor mund të zgjasë deri në 2 vjet dhe të kushtojë mbi 11 miliardë dollarë euro. Serbia është duke negociuar këtë çështje me kompanitë franceze. Një opsion për blerjen e 10% të centralit bërthamor hungarez Paks po shqyrtohet gjithashtu, raportojnë novaekonomiya.rs dhe danas.rs.

Negociatat për kthimin e skulpturave të Partenonit në Athinë po përparojnë
Keir Starmer dhe Kyriakos Mitsotakis
Londra nuk do të bllokojë një marrëveshje me Muzeun Britanik për kthimin e skulpturave nga Partenoni në Greqi, shkruan kathimerini.gr pas takimit mes kryeministrit britanik Keir Starmer dhe homologut të tij grek Kyriakos Mitsotakis. Në bisedimet zyrtare në Downing Street-10 me fokus marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimin ekonomik dhe sfidat e migracionit, Mitsotakis ka ngritur sërish çështjen e kthimit të skulpturave. Ato u hoqën nga Partenoni në fillim të shekullit të XIX-të nga ambasadori britanik në Perandorinë Osmane, Lord Elgin, dhe sipas palës britanike, kjo është bërë në bazë të një firmani sulltanor, ekzistenca e të cilit është mohuar nga Athina. Më shumë se gjysma e britanikëve mbështesin kthimin e skulpturave, sipas një sondazhi të YouGov të cituar nga agjencia ANA-MPA.

Përpiloi: Ivo Ivanov
Foto: guernseypress.com, energycentral.com, БТА, vijesti.me, protothema.gr
Përgatiti në shqip dhe publioi: Kostandina Bello

Më shumë nga rubrika

Të rinjtë bullgarë janë gjithnjë e më mosbesues, por janë pragmatikë dhe të prirur ndaj demokracisë

Të rinjtë bullgarë nuk janë një shoqëri apatike apo e radikalizuar, por megjithatë po bëhen gjithnjë e më të pasigurt për perspektivat e tyre në fusha të ndryshme të jetës – kjo duket qartë nga një studim mbi të rinjtë në vendin tonë, të cilin një grup..

botuar më 25-03-30 8.20.PD

Ngjarjet me adresë ballkanike

Vazhdojnë protestat në Turqi pas arrestimit të kryebashkiakut të Stambollit  Protestat masive në Turqi nuk janë qetësuar që nga arrestimi i kryebashkiakut të Stambollit Ekrem Imamoglu më 19 mars. Gati 1900 persona u arrestuan për pjesëmarrje në..

botuar më 25-03-29 8.30.PD

81% e bullgarëve janë të mendimit se Kuvendi Popullor i emëron anëtarët e tij mbi baza partiake

Kriza parlamentare në Bullgari ka vonuar për muaj të tërë procedurat për zgjedhjen e drejtuesve të organeve rregullatore kryesore si Komisioni Rregullator i Energjisë dhe Shërbimeve të Ujit, Gjykata Kushtetuese, etj. Pasi u formua një shumicë qeverisëse,..

botuar më 25-03-28 7.30.PD